Ndërlidhjet

logo-print

R.OSMANI: "ARSIMTARËT TË MANIPULUAR NGA UDHËHEQJA E SINDIKATËS"


Rexhep Osmani, ministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti ministër sot është paralajmëruar një grevë, e cila edhe ka filluar në disa shkolla të Kosovës dhe të Prishtinës. A mund të na thoni se çfarë është gjendja me mësimin sot në Kosovë?

REXHEP OSMANI
Më mirë mund të themi se mësimi në Kosovë sot ka filluar në shumicën e komunave të Kosovës. Edhe në kryeqytetin e Kosovës në Prishtinë, mësimi ka filluar në të gjitha shkollat, përveç në “Hasan Prishtina” dhe në “Faik Konica”. Vlerësimet tona janë pozitive për angazhimin e madh që kanë bërë drejtorët e shkollave për fillimin e mësimit, karshi një agresiviteti të pashoq të aktivistëve të sindikatës që duket se janë të paguar të bëjnë veprime të tilla dhe të marrin ndonjëherë edhe rolin e drejtorit dhe t’i përzënë nxënësit nga klasat. Po ashtu, ka edhe aktivistë që qëndrojnë në oborret e shkollave dhe nuk i lënë nxënësit të hyjnë në shkollë. Po, përgjithësisht, karshi të gjitha përgatitjeve që i ka bërë sindikata për të bojkotuar edhe me format jolegjitime që përdor dhe presionet psikologjike, duke i gënjyer arsimtarët se ka para për ndarjen e tyre, unë jam i kënaqur për nismën e mirë të vitit shkollor dhe kam shpresë se nesër viti shkollor do të stabilizohet edhe në shumicën e shkollave. Nuk jam i kënaqur me disa drejtorë të shkollave, si ai i shkollës fillore “Zenel Hajdini”, ku nuk u është hapur dera e shkollës nxënësve që të hyjnë brenda dhe kjo është shqetësuese. Në Lipjan arsimtarët kanë filluar mësimin plotësisht, në Fushë-Kosovë kanë filluar plotësisht, në Istog mësimi ka filluar normalisht, në Pejë shumica e shkollave kanë filluar mësimin, në Prizren mësimi ka filluar pjesërisht, në Rahovec mësimi ka filluar plotësisht, në Skënderaj nuk ka filluar mësimi, në Suharekë mësimi ka filluar në shumicën e shkollave, në Shtërpcë mësimi ka filluar plotësisht, në Vushtrri mësimi ka filluar në shumicën e shkollave, pos në dy fillore dhe një të mesme, të cilat janë duke u renovuar. Informatat për Dragash ende nuk i kemi dhe jemi të shqetësuar se në disa komuna ku qëndron në udhëheqje PDK-ja si në Skënderaj dhe në Kaçanik, dy komuna ku nuk ka filluar mësimi, unë tash për tash nuk mund të jap ndonjë vlerësim, por megjithatë mund të ketë edhe implikime politike për destabilizimin e sistemit të arsimit.

RADIO EVROPA E LIRË
Pikërisht këtë pyetje desha t’ua bëj. Meqenëse në disa shkolla nuk ka filluar mësimi dhe është respektuar thirrja e sindikatës për të bërë grevë. A mund të flitet këtu për një politizim, për një ndikim politik të njërës apo palës tjetër mbi arsimtarët?

REXHEP OSMANI
Këtu mund të flitet për tri motive. E para, asimtarët janë nën një presion të fuqishëm të krerëve sindikalë, të cilët dyshoj se kanë paguar aktivistët e tyre që të bëjnë propagandë me veprime jolegjitime. E dyta, në disa mjedise dyshoj se ka implikime edhe një komponentë politike, një segment, i cili tash për tash nuk mund të them se është në nivel të ndonjë partie në hierarki, por segmente të grupacioneve politike mund të jenë të implikuara në vështirësimin e fillimit të vitit të ri shkollor dhe e treta, në disa shkolla si “Hasan Prishtina”, ka të bëjë me xhelozi ndaj drejtorit të shkollës për shkak të punës së mirë që ai drejtor e bën.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Osmani, po si e shihni ju daljen nga kjo krizë, të themi?

REXHEP OSMANI
Unë besoj se sistemi i arsimit do të stabilizohet dhe viti shkollor do të marrë rrjedhën e vet normale shumë shpejt, ngase arsimtarët do ta kuptojnë shpejt se janë të manipuluar nga udhëheqja e sindikatës dhe kujtoj se rritja prej 20 për qind është një hap i parë. Edhe një herë them se ne jemi në ngritje të përmirësimit të pozitës materiale të arsimtarëve. Për një ditë nuk mund t’i bëjmë këto. Sqarimet i kemi dhënë. Unë kam vetëm një mesazh, se në disa mjedise është paraqitur edhe një numër i vogël i nxënësve, si rezulat i propagandës se nuk do të ketë mësim. Ftoj edhe një herë të gjithë nxënësit dhe prindërit që t’i dërgojnë fëmijët në shkollë dhe fëmijët duhet të hyjnë në klasë, ne do të shikojmë që përkohësisht arsimtarët që kanë vendosur të mos mbajnë mësimit deri sa të mos binden t’i zëvendësojmë, se ka një numër të madh të arsimtarëve rezervë, që kanë diplomuar dhe presin punë. Ne nuk do t’i zëvendësojmë arsimtarët e vjetër, nuk do t’ua ndërpresin kontratat, por do të bëjmë një zëvendësim të përkohshëm në mjediset deri sa ata të kthehen në vendin e tyre të punës.

RADIO EVROPA E LIRË
Por, zoti ministër, a ka mundësi që të përmbushen dy kërkesat e organizatës sindikale?

REXHEP OSMANI
As njëra, as tjetra nuk ka mundësi të përmbushen për momentin dhe këto gjëra janë sqaruar shumë mirë. Milionat që përmend SBASHK-u, janë pallavra të tyre, sepse në buxhete të ministrisë dhe të buxhetit të konsoliduar të Kosovës nuk ka mjete të tilla. Zgjidhjet do t’i gjejmë në proces dhe ndoshta edhe me particim. Ne po i bëjmë të gjitha përgatitjet që edhe këtë segment ta përmirësojmë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti ministër, ju, por edhe kryeministri Rexhepi, keni thënë se rritja është bërë nga korriku. A e kanë marrë atë rritje arsimtarët dhe nëse jo, kur do ta marrin?

REXHEP OSMANI
Arsimtarët do ta marin rritjen me rrogën e gushtit, e cila jepet në fillim të shtatorit, brenda disa ditësh. Arsimtarët i kanë nënshkruar listat. Janë pajtuar që 180 Euro do të marrin arsimtarët e shkollave fillore, 16 Euro do të marrin arsimtarët e shkollave të mesme dhe kjo është mesatarja e pagave në rajon. Ne do t’i respektojmë institucionet financiare dhe nuk do të bëjmë gabime kardinale në mënyrë që ta dënojmë dhe godasim Kosovën në kuptimin e parametrave financiare dhe të ftohim donatorët që të marrin pjesë në ndërtimin e infrastrukturës së Kosovës. Prandaj, edhe një herë po them se paga është rritur 20 për qind. Do të vazhdojë kjo pagë dhe nuk ka askund në botë, ku arsimtarët sa do një rritje të vogël ta marrin, të nesërmen të bëjnë grevë, që do të thotë se motivet e grevës duhet të hulumtohen dhe kërkohen në segmente të tjera.
Intervistoi Rrahman Paçarizi

XS
SM
MD
LG