Ndërlidhjet

MUSA XHAFERI: DO TË ISHTE GABIM I PAFALSHËM QË DJEMTË TANË TË JENË MISH PËR TOPA


Intervistë me z.Musa Xhaferi, zëvendëskryeministër i Maqedonisë

RADIO EVROPA E LIRË
Si e vlerësoni gjendjen aktuale të sigurisë pas ultimatumit të shpallur nga grupi që veten e quan Armata Kombëtare Shqiptare?

MUSA XHAFERI
Është krijuar një situatë e tensionuar më tepër për shkak të qendrimeve të ndryshme edhe të shtypit, duke e ushtruar një terror psikologjik te popullata, duke e alarmuar gjendjen deri në ato përmasa, të cilat nuk përputhen me realitetin. Është e vertetë që janë forcat policore, të cilat janë stacionuar në hyrje të rrugëve në formën e postblloqeve për të evituar dhe për ta minimizuar që të mos vijë deri të ndonjë ekces, siç ndodhi ditëve të fundit. Ata nuk shkojnë atje për të kontrolluar apo bastisur fshatrat, konkretisht fshatin Vaksincë apo për të maltretuar qytetarët. Kjo nuk është e vertetë. Këtë mund ta theme edhe si anëtar i qeverisë dhe me përgjegjësinë që kemi aktualisht. Nga ana tjetër, policia nuk është vetëm maqedonase, janë edhe shqiptarë, të cilët kanë urdhër nga ministri i punëve të mbredshme dhe qeveria që të mos intervenojnë. Ata kanë për qëllim mbrojtjen e popullatës nga ndonjë provokim që mund të ndodhë. Organet e sigurisë do të insistojnë që t'i mbrojnë qytetarët nga çdo provokim dhe nuk është qëllimi që të hyhet në fshatin Vaksincë për të bërë ekspedita.

RADIO EVROPA E LIRË
Për në orën 16 është paralajmëruar që një delegacion i deputetëve shqiptarë të shkojnë në Vaksincë, për të biseduar, siç thanë ata, me popullatën lokale. A mendoni se kjo vizitë do të rezultojë me shtensionimin e gjendjes?

MUSA XHAFERI
Në fakt edhe dje ka pasur një takim me aktivistët lokalë ku kanë marrë pjesë edhe përfaqësuesit e OSBE-së. Edhe sot kanë lënë një takim ku do të marrin pjesë deputetët dhe përfaqësuesit e partive politike dhe do të diksutohet se si do të tejkalohet kjo situtatë, me të vetmin qëllim që të mos ketë konfrontime në mes të forcave të rendit dhe atyre të cilët janë të kërkuar nga policia qysh para dy vjetësh.

RADIO EVROPA E LIRË
Qeveria ka thënë se nuk do të zbrapset në neutralizimin e, siç i quan, grupeve ekstremiste dhe kapjen e personave përgjegjës për sulmet e fundit. A mendoi se kjo edhe më tej mund ta përkeqësojë situatën në vend?

MUSA XHAFERI
Që ka grupe esktremiste me bindje ekstremiste politike është diçka tjetër dhe është normale në çdo vend. Aq më tepër te ne, në një vend që ka vetem dy vjet që ka dalë nga konflikit. Kur është fjala për grupe apo individë ekstremë që merren me kriminalitet ajo është një çështje tjetër. Nuk është fjala që nuk do të zbrapsen. Në realitet forcat e rendit nuk do të zbraspen në qoftë se do të jenë të sulmuara nga dikush, për arsye se ata do të jenë në situatë që ta mbrojnë edhe vetveten. Duhet të kemi parasysh se në radhët e këtyre forcave ka edhe policë shqiptarë të rekrutuar para një viti dhe pikërisht ata janë edhe banorë të atyre anëve. Do të ishte një gabim shumë i madh nëse dikush nga ana e shqiptarëve do të provokonte që djemtë tanë të jenë mish për topa në situata të tilla.

Intervistoi Vullnet Poshka
XS
SM
MD
LG