Ndërlidhjet

GRUPI I KONTAKTIT DEBATON GJENDJEN E SIGURISË NË KOSOVË


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Mbledhja e Grupit të Kontaktit që mbahet të enjten në Moskë do t’i kushtohet situatës së sigurisë në Kosovë, ka thënë sot një zëdhënës i UNMIK-ut, Simon Haselok, duke konfirmuar se kryeadministratori Harri Holkeri do të marrë pjesë në këtë mbledhje, pasi paraprakisht do të shkojë nesër në Beograd. Ndryshe nga paralajmërimet e mëhershme se në këtë mbledhje do të bëhen përgatitje për bisedimet teknike ndërmjet Kosovës e Serbisë, zoti Haselok tha se siguria do të jetë tema numër një. "Këto incidente po i shkaktojnë dëme të konsiderueshme dhe të ndieshme reputacionit të Kosovës jashtë, si dhe po dëmtojnë prospektet e kthimit të të zhvendosurve, çështje që dëmton edhe të ardhmen e Kosovës”, tha zoti Haselok, sipas të cilit, siguria është përgjegjësi e të gjithëve dhe jo vetëm e një agjencie apo e një tjetre, tha zoti Haselok, duke e vlerësuar si të dëmshme situatën e fundit të sigurisë, të karakterizuar nga incidentet e shtuara në të cilat janë përfshirë pjesëtarët e komunitetit serb.
Kjo, tha Haselok ka ka bërë që agjenda e Grupit të Kontaktit do të jetë në përputhje me këto zhvillime dhe çështja kryesore do të jetë siguria, ndërsa anëtarët e Grupit të Kontaktit do të manifestojnë qartë qëndrimin e tyre lidhur me zhvillimet e fundit në Kosovë. “Duhet të jeni të sigurt se zoti Holkeri do të pyetet rëndë nga grupi i Kontaktit se çfarë është situata në Kosovë dhe çfarë po bëjnë forcat e sigurisë në Kosovë”, tha Simon Haselok, për të paralajmëruar një agjendë të ngjeshur të zotit Holkeri pas mbledhjes së grupit të Kontaktit, pasi Holkeri do të takojë më pas paraardhësin e tij Michael Steiner, përfaqësuesin e lartë të BE-së, Javier Solana dhe do të kthehen në Prishtinë bashkë me komisionerin Chriss Patten.
Ndërkohë, zoti Haselok nuk vërtetoi pohimet se bisedimet do të jenë në rendin e ditës së Grupit të Kontaktit, por, një zëdhënës i OSBE-së tha se të shtunën do të fillojë një program aftësimi i përfaqësuesve të Kosovës, përfshirë edhe kryeministrin Rexhepi për negociatat e ardhshme me Beogradin për çështje teknike, një program ky që udhëhiqet nga OSBE dhe Instituti Amerikan për Paqe i zotit Daniel Serëer. Pavarësisht nga kiritikat për situatën e sigurisë në Kosovë, zëdhënësi Haselok, i cili nesër përfundon misionin në Kosovë dhe niset për në Irak, si dhe zëdhënësi i policisë Barry Fletcher thanë se situata e sigurisë është e nivelit të vendeve evropiane, ndërsa serbët tani mund të shëtisin lirisht edhe në Prishtinë.

XS
SM
MD
LG