Ndërlidhjet

A. SHALA: SHPALLEN TENDERËT PËR PRIVATIZIMIN EDHE TË 18 NDËRMARRJEVE SHOQËRORE


Ahmet Shala, zëvendësdrejtor i AKM-së





RASDIO EVROPA E LIRË
Nesër pritet të shpallen tenderët e grupit të dytë të ndërmarrjeve shoqërore që do të privatizohen. Çka mund të thuhet për interesimin e blerësve potencialë të këtyre ndërmarrjeve?

AHMET SHALA
Nesër hapen tenderët, ndërsa shpallja e fituesve do të bëhet zyrtarisht në mbledhjen e Bordit, e cila është paraparë për 9 shtator. Sa i përket interesimit mendoj që është një interesim jashtzakonisht i madh, sidomos i biznesit kosovar, por edhe i atij rajonal dhe shpresojmë që do të kemi një përzgjedhje të mirë.

RADIO EVROPA E LIRË
A mund të thoni, të paktën, për cilat ndërmarrje shprehet interesim më i madh i investitorëve – per ndërmarrje prodhuese apo për ndërmarrje shërbyese?

AHMET SHALA
Në kuadër të 18 ndërmarrjeve ka ndërmarrje prodhuese edhe shërbyese, siç janë disa hotele. Mendoj që relativisht është i balancuar numri i tyre.

RADIO EVROPA E LIRË
Në tenderin e parë mungoi interesimi i investitorëve të huaj për ndërmarrjet shoqërore. A pritet që në këtë tender të ketë blerës të huaj potencialë të ndërmarrjeve?

AHMET SHALA
Normalisht që edhe në tenderin e parë ka pasur blerës të huaj, përkatësisht konkurues nga vendet e huaja dhe presim edhe tani, së paku në bazë të interesimeve të tyre. Përzgjedhja dihet se bëhet në bazë të çmimit më të lartë të ofruar, prandaj tani në Kosovë janë duke u matur blerësit në bazë të ofertave që do t'i bëjnë. Shpresojmë që edhe nga investitorët e huaj do të kemi blerës serioz, të cilët do të ofrojnë edhe oferta serioze.

RADIO EVROPA E LIRË
Pas shpalljes së fituesve të tenderëve të parë, janë shprehur dyshime në seriozitetin e pronarëve të rinj. A i kanë kryer ata të gjitha obligimet e tyre
ndaj AKM-së?

AHMET SHALA
Pesë prej gjashtë blerësve e kanë përfunduar pagesën, ndërsa një prej tyre ende nuk e ka përfunduar dhe besoj që kjo do të reagohet në mënyrë të efektshme edhe nga AKM-ja, sipas politikava operacionale dhe rregullave, të cilat janë në tender.

RADIO EVROPA E LIRË
Institucionet e Kosovës dhe, së fundi, edhe organizata sindikale ka shprehur përkrahje për procesin e privatizimit. Si do të ndikojë në procesin e
privatizimit moskryerja eventuale e obligimeve te kontraktorëve?

AHMET SHALA
Normalisht se ekziston një periudhë prej dhjetëditësh, të pakët sipas rregullave të aprovuara, kur secili fitues i shpallur zyrtarisht është i obliguar që pas njoftimit me shkrim të shlyejë obligimet e premtuara dhe në qoftë se nuk i shlyen atëherë Bordi i AKM-së, ose ekzekutivi me autorizimin e Bordit, ka të drejtë që të vazhdojë me të dytin ose t'i propozojë Bordit për rishpalljen e tenderit dhe besoj që këto rregulla do të zbatohen me përpikëri nga Bordi dhe ekzekutivi i AKM-së.

RADIO EVROPA E LIRË
Janë bërë vërejtje edhe në politikat operacionale. A ka menduar AKM-ja të bëjë ndryshime të këtyre politikave, në qoftë se procesi i privatizimit shihet se nuk po ecë me dinamikën e parashikuar?

AHMET SHALA
Mendoj që dinamika është duke shkuar mirë , normalisht se politikat operacionale, sikur edhe çdo dokument tjetër është një refleksion i momenteve të caktuara dhe ato mund të adaptohen. Bordi ka kompetencë dhe autorizim që të bëjë adaptimin e tyre konform reagimeve të tregut dhe reagimeve të kërkesave qëllimmira, të cilat bëhen qoftë nga institucionet e caktuara vendore, nga blerësit apo çfarëdo kërkese tjetër, e cila shkon në ngritjen e efikasitetit, në rritjen e përsosshmërisë së procesit dhe përshpejtimin e tij.
Intervistoi: Hyrë Tejeci
XS
SM
MD
LG