Ndërlidhjet

QEVERIA E KOSOVËS KËRKON NGA KS I OKB-së SHVLERËSIMIN E DEKLARATËS SË PARLAMENTIT SERB


Zijadin Gashi, Prishtinë

Qeveria e Kosovës, përmes një deklarate i është drejtuar sot Grupit të Kontaktit i cili do të mblidhet nesër në Moskë, që, siq thuhet, të mos lejojë marrjen e asnjë parametri që do të anashkalonte vullnetin dhe ardhmërinë e Kosovës pa pjesmarrjen e popullit dhe institucioneve të Kosovës. E njëjta kërkesë i është përcjellur dhe Këshillit të Sigurimit, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian. Qeveria e Kosovës e ka akuzuar Beogradin për rizgjimin e hegjemonisë së Serbisë kundër Kosovës, çka ka vlerësuar se ka shkaktuar dhe zhvillime tejet shqetësuese jo vetëm në Kosovë, por në tërë rajonin. Këtë deklaratë, tha kryemninistri Bajram Rexhepi, qeveria e ka miratuar sot në mbledhjen e saj të rregullt dhe se ajo i është dërguar dhe shefit të UNMIK-ut, Harri Holkeri i cili do të marrë pjesë në takimin e nesërm të Grupit të Kontaktit në Moskë. “Ne e kemi bërë një kërkesë që përfaqësuesit e Grupit të Kontaktit, të jenë të kujdesshëm që të mos paragjykojnë ndonjë qëndrim apo vendim i cili bie ndesh me synimet e Kosovës”, tha Rexhepi.
Shteti fqinjë, Serbia, thuhet në deklaratë, është duke ndërhyrë në punët e brendshme të Kosovës dhe gjykohen deklaratat e kryeministrit serb i cili bëri thirrje që të gjejë aleatë të rinj për realizimin e projektit të Serbisë, i cili u luftua edhe nga NATO-ja gjatë vitit 1999. “Po ashtu do të kërkojmë dhe nga Këshilli i Sigurimit që deklarata kushtetuese, e cila është aprovuar në Parlamentin e Serbisë të shpallet e pavlefshme dhe të mos ketë implikime politike e juridike për Kosovën”, pohoi kryeministri i Kosovës.
Më pas kryeministri tha se në të njejtën deklaratë qeveria ka shprehur shqetësimet e saj në lidhje me zhvillimet në Maqedoni dhe se ajo i ka dhënë mbështetje qeverisë së atjeshme të koalicionit që të qetësojë situatën. “I kemi dhënë një mbështetje të plotë qeverisë së koalicionit e dalë nga zgjedhjet që janë mbajtur atje, poashtu i kemi dhënë mbështetje implementimit të marrëveshjes së Ohrit. Ne jemi deklaruar se asnjë aktivitet, qoftë ushtarak ose politik ilegal është i papranueshëm si në Maqedoni si te ne, dhe kërkesa e jonë që mundësisht tensionet e krijuara të zgjidhen me dialog dhe në asnjë mënyrë popullata civile të mos bie viktimë”, ishte theksi i deklaratës, të cilën e kumtoi Rexhepi.
Përndryshe, në pikat e rregullta të trajtuara në mbledhjen e sotme të qeverisë, ishin greva e urisë të minatorëve të minierës Trepça, si dhe greva e arsimtarëve për shkak të pagave të ulta. Ndërsa minatorëve u është bërë thirrje ta ndërpresin grevën, duke u premtuar atyre se qeveria do t’i shqyrtojë kërkesat e tyre, në anën tjetër qeveria i ka dhënë mbështetje Ministrisë së Arsimit dhe njëherit arsimtarëve u është bërë thirrje publike që të kthehen në punë, duke ua bërë të qartë se buxheti i Kosovës nuk mund të përballojë kurrfarë ngritje të re të pagave të tyre.


XS
SM
MD
LG