Ndërlidhjet

R.Haradinaj: Parlamenti i Kosovës duhet ta shpallë Kosovën shtet sovran dhe të pavarur


Intervistë me Ramush Haradinajn, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës

Evropa e Lirë:
Z.Haradinaj, Grupi parlamentar i AAK-së, kryetar i së cilës parti jeni ju, insistoi që në seancën e kaluar të Kuvendit, të miratohet deklarata për pavarësinë e Kosovës, andaj a mund ta shpjegoni pak më hollësisht këtë nismë në Kuvend?

R.Haradinaj:
Ne jemi në një situatë e cila na obligon që tanimë të përballemi jo vetëm me zhvillimet në Kosovë dhe të lëvizim në përputhje me vlerësimin që do t’i bëjmë situatës në Kosovë, por ne jemi të ndikuar, apo i ndiejmë dhe efektet e veprimeve të Serbisë. Në rast se Serbia e ka bërë një veprim që në Kushtetutën e vet të përfshijë Kosovën, si të vepron Parlamenti i Kosovës, si të veprojmë ne në këtë rast. Ne mendojmë se nuk duhet të merremi edhe më tutje me përgjigje apo kundërpërgjigje. Pra, të hedhim poshtë një rezolutë përmes një rezolute, sikurse kemi bërë edhe përpara apo të veprojmë në aprovimin e një rezolute sikurse ka vepruar edhe Parlamenti i Shqipërisë apo dikush tjetër. Mendoj se Parlamenti i Kosovës në të ardhmen më të afërme, duhet ta shpallë Kosovën shtet sovran dhe të pavarur. Duhet të ngarkojë komisionin për çështje legjislative dhe kushtetuese në Parlament që të hartojë Kushtetutën e Kosovës. Në bazë të Kushtetutës së Kosovës, duhet ta udhëzojë qeverinë për kompletim në përputhje me kompetencat apo bazën kushtetuese që i jep Kushtetuta e Kosovës. Shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk nënkupton armiqësi me bashkësinë ndërkombëtare e as me fqinjët por nënkupton një realitet të ri në implementimin e vullnetit politik të Kosovës, pra një situatë të re për shumë çështje që koncenojnë fqinjtë dhe bashkësinë ndërkombëtare ne duhet të përgatitemi për biseda. Kur është fjala për çështje të sigurisë ne duhet të përgatitemi për biseda me NATO-n, për faktin se ne jemi deklaruar për një mandat të përhershëm të NATO-s, jo për një politikë të pavarur të mbrojtjes për Kosovën, por për një aderim, pra për një pjesëmarrje në politikën e sigurisë që ka NATO-ja për rajonin. Duke u nisur nga ky realitet, e them edhe një herë se është gabim i madh i spektrit tonë politik vendor, një hezitim i tillë.

Evropa e Lirë:
Ndërkohë z.Haradinaj, kryeparlamentari Nexhat Daci është duke i zhvilluar disa takime me liderët vendorë, përfshirë këtu dhe një takim që ka zhvilluar me ju, për miratimin e një strategjie unike për Kosovën. Si e vlerësoni nismën e z.Daci?

R.Haradinaj:
Është më se e dobishme dhe e nevojshme, harmonizimi jo i qëndrimeve, sepse ne kemi qëndrim të njejtë, pra vullneti politik i popullit të Kosovës për shtetin e pavarur është në konsensus të plotë, askush nuk bën dallime në këtë. Ndërsa për modalitetet, për hapat që do t’i ndërmarrim, për kohën, dhe për shumë çka tjetër është mëse e nevojshme që të harmonizohen. Unë e kam mbështetur këtë nismë të kryeparlamentarit Daci, dhe vet personalisht i kam vazhduar edhe konsultat me kryetarët e grupeve parlamentare. Me Sabri Hamitin nga LDK-ja, me Arsim Bajramin nga PDK-ja dhe në të ardhmen do t’i vazhdojmë këto konsulta edhe me pakicat jo serbe, në mënyrë që Parlamenti i Kosovës të marrë vendimin e duhur.

Evropa e Lirë:
Mirëpo në tërë këto zhvillime, z.Haradinaj, ka edhe vlerësime ku thuhet se shpallja e pavarësisë nga ana e Parlamentit të Kosovës do t’mund të sillte deri te dëmtimi i raporteve ndërmjet Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare. Si i komentoni ju këto vlerësime?

R.Haradinaj:
Nuk ka asnjë bazë që të ndodhë kjo. Bashkësia ndërkombëtare është meritore për atë që kemi arritur në Kosovë. Pra është pjesmarrëse dhe ajo që sot prezanton Kosova, është rezultat i përbashkët i yni dhe i bashkësisë ndërkombëtare. Ne e dimë fare mirë që bashkësia ndërkombatare ka investuar shumë që Kosova të mund të funksionojë si një shoqëri demokratike, ka investuar shumë në krijimin e një situate ku ka proces të vendimarrjes demokratike, pra në institucionet e zgjedhura. Dhe, implementimi apo zbatimi i kërkesave që populli i Kosovës i ka për të zgjedhurit e vet nuk është në kundërshtim edhe me parimet e funnksionimit të të gjitha vendeve që prezantojnë bashkësinë ndërkombëtare në Kosovë. Bashkësia ndërkombëtare, prezente në Kosovë, mund ta shoh këtë si hap të përshpejtuar, por nuk mund t’ia mohoj legjitimitetin këtij veprimi, sepse bëhet nga Parlamenti i Kosovës, i cili është i zgjedhur në mënyrë demokratike dhe është përgjigje në atë që pret populli i Kosvës nga ne, nga të zgjedhurit.

Evropa e Lirë:
Cili është vlerësimi i juaj në lidhje me dialogun e paralajmëruar me Beogradin dhe propozimin e Grupit të Kontaktit, që z.Holkeri të jetë ndërmjetësues i bisedimeve teknike?

R.Haradinaj:
Është një situatë ku shumë është folur për këto bisedime. Ta përsëris edhe një herë, nuk është ky prioriteti ynë, i vendorëve në Kosovë. Është një kërkesë e vazhdueshme e bashkësisë ndërkombëtare që në një mënyrë të dëshmohet edhe për zotësinë edhe për gatishmërinë e shoqërisë kosovare, institucionet e Kosovës, që të trajtojnë tema të ndieshme ose që të bashkëbisedojnë, kontaktojnë me Serbinë. Është në dobi reciproke. Mirëpo, ne nuk e kemi kërkuar një dialog dhe sidomos nuk marrim pjesë në negociatat për të ardhmen e Kosovës me Serbinë. E ardhmja e Kosovës ndërtohet ose realizohet përmes zbatimit të vullnetit tonë dhe përkundër gatishmërisë dhe vullnetit të mirë që ka Holkeri që të merr pjesë dhe t’i mbështesë, apo që edhe Bashkimi Evropian t’i lehtësojë këto bisedime, ne mendojmë se që të ketë sukses, do të angazhohemi dhe do të marrim pjesë vetëm në ato bisedime, ku rolin udhëheqës nga bashkësia ndërkombëtare do ta ketë qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Intervistoi: Zijadin Gashi

XS
SM
MD
LG