Ndërlidhjet

Z. ZEKA: EPILOGU I GREVËS DO TË DIHET PASI ARSIMTARËT NËPËR SHKOLLA TË SHQYRTOJNË OFERTËN E QEVERISË


Zenel Zeka, sekretar i SBASHK-ut

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Zeka cilat janë zhvillimet më të fundit lidhur me mbajtjen apo mosmbajtjen e mësimit, respektivisht për vazhdimin apo mosvazhdimin e grevës?

ZENEL ZEKA
Siç është i njohur opinioni, këto dy ditë të fundjavës kemi pasur takime intensive me MASHT, si një provë për të gjetur një zgjidhje të përbashkët lidhur me kërkesat e arsimtarëve. I gjithë ky mund ka patur si rezultat një ofertë nga qeveria e Kosovës, e cila përbëhet nga disa pika, si rrjedhojë e maksimumit të përpjekjeve. Ne e kemi shpërndarë nëpër shkolla për t'u shqyrtuar dhe për t'u vlerësuar nga vetë arsimtarët nëse kjo ofertë i plotëson apo jo kërkesat e tyre, pasi marrëveshja jonë me arsimtarët ka qenë që ata i kanë bërë kërkesat, ata e kanë shpallur grevën dhe ata do të jenë kompetentë se kur duhet përfunduar greva.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju, si udhëheqje e SBASHK-ut, sa jeni të kënaqur nga oferta e qeverisë?

ZENEL ZEKA
Nuk jemi të kënaqur, pasi vërtet kemi pritur më shumë. Kemi pritur që kësaj çështjeje t’i qasen më seriozisht dhe që oferta do të jetë së paku në një formë të kënaqshme për punonjësit e arsimit. Na habit kjo ngurtësi e qeverisë, e cila thjesht në një farë mënyre i çon duart se këto janë mundësitë maksimale dhe përtej këtyre nuk ka. Prandaj, ne kemi qenë të detyruar t'a konsultojmë anëtarësinë lidhur me këtë. Personalisht, si udhëheqje e SBASHK-ut nuk jemi të kënaqur.

RADIO EVROPA E LIRË
Nga disa shkolla kanë arritur informacione se arsimtarët për të vazhduar grevën apo mësimin presin ndonjë kumtesë nga kryesia e SBASHK-ut. Cili do të jetë rekomandimi juaj?

ZENEL ZEKA
Në bazë të statutit dhe rregullores së grevës, përderisa kërkesa është bërë nga shumica e arsimtarëve, 51 % e tyre, greva do të vazhdojë. Normalisht, sot nga informacionet që do të marrim, do të shohim se cila është përqindja e atyre që janë për grevë dhe nëse përqindja e atyre është 51 për qind atëherë greva do të vazhdojë nëpër ato shkolla dhe të tjerat do të lëkunden.

RADIO EVROPA E LIRË
Po, në rast se përqindja është në favor të ndërprerjes së grevës, ndërkohë që në ofertën e qeverisë nuk thuhet se rrogat do të rriten, me 44 euro sa ishte kërkuar, cili do të jetë qëndrimi juaj. A do të vlerësoni se greva ka patur sukses?

ZENEL ZEKA
Mund të themi se nuk mund ta shpallim të pasuksesshme që tani, pasi 50 për qind e kërkesave janë të plotësuara. Pika e parë të cilën e kemi kërkuar është marrëveshja kolektive. Pra të kthehet në ligj ajo që ka qenë fshirë nga ligji. Prandaj, unë do të thosha se është arritur shumë në këtë drejtim, pasi marrë nga SBASHK-u dhe shumë arsimtarë, vërtet kjo e arritur është ndoshta më e madhe sesa të ardhurat personale. Me këtë rregullohet për një kohë më të gjatë statusi i punëtorëve të arsimit, dhe shumë çështje të tjera që kanë të bëjnë me punën, me kushtet e punës, pagat, obligimet që dalin, benificionet, pushimet, fondi i orëve dhe shumë çështje të tjera që rregullohen me kontratë kolektive që po ta kishim këtë të zgjidhur, atëherë nuk do të ishim në situatën që jemi sot.

Intervistoi: Rrahman Paçarizi

XS
SM
MD
LG