Ndërlidhjet

H. SHAQIRI: " NGJARJET E FUNDIT RREZIKOJNË PROCESIN PAQËSOR NË MAQEDONI"


Hysni Shaqiri, deputet i Bashkimit Demokratik për Integrim

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Shaqiri si është situata aktuale në terren, pas aksionit të djeshëm të forcave të sigurisë në fshatin Brezë?

HYSNI SHAQIRI
Po ditët e fundit, e di i gjithë opinioni i brendshëm dhe ai i jashtëm, se gjendja ka qenë jashtëzakonisht e rëndë, por dje definitivisht ka eskaluar me vetë faktin se ka patur konfrontime të armatosura mes banorëve të fshatit Brezë dhe forcave policore dhe atyre ushtarake të Maqedonisë. Në këtë aksion të policisë deri për momentin, në bazë të informatave që kemi, ka patur tre të vdekur. Numri mund të jetë edhe më i madh. Ndërsa numri i të plagosurve dihet se është shumë më i madh. Ajo që ka ndodhur sot është një ngjarje që i ka shqetësuar të gjithë banorët e kësaj ane, sidomos të komunës së Likovës dhe gjithë pjesës së malësisë së kësaj ane, për vetë faktin se të gjithë kanë qenë në funksion të procesit paqësor. Sidomos kjo popullatë ka qenë me tërë qenien e vënë në dispozicion për implementimin sa më të shpejtë të Marrëveshjes së Ohrit, sepse kjo pjesë e përjetoi rëndë luftën dhe konfliktin e viti 2001. Këtë e di e gjithë popullta shqitpare në Maqedoni dhe kudo që jeton.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Shaqiri, partia juaj Bashkimi Demokratik për Integrim është kërcënuar me dalje nga qeveria, meqë siç ka thënë, aksioni nuk ka patur pëlqimin e saj. A mendoni se kjo paraqet vazhdimësi të praktikave të mëparshme të partnerëve të koalicionit si në rastet e Ladorishtës, Bit Pazarit, Gostivarit etj?

HYSNI SHAQIRI
Fatkeqësisht unë e them me keqardhje se është një fenomen, apo një dukur,i që po përsëritet në subjektet politike shqiptare. Unë mendoj se në këto momente duhet bërë analiza profesionale për të ardhur deri tek konstatimi i së vërtetës: pse kjo ndodh me ne shqiptarët në Maqedoni dhe pse partitë politike shqiptare harxhohen aq shpejt dhe e humbasin besimin para gjithë elektoratit shqiptar. Kjo është një dukuri që mendoj se nuk i kontribuon procesit paqësor, madje mund të them se është një dukuri jashtëzakonisht e rrezikshme për vetë ne shqiptarët, por edhe për gjithë procesin dhe interesimin e gjithë atyre që kanë për t'a vënë kontrollin në gjithë këtë rajon.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Shaqiri, keni patur konsulta të pandërprera me përfaqësuesit ndërkombëtarë. Çfarë mund të thoni për këto takime, si i shohin ata zhvillime të tilla?

HYSNI SHAQIRI
Faktori ndërkombëtar është i interesuar me të madhe që procesi paqësor të mos pengohet. Kur themi procesi paqësor, këtu nënkuptohet edhe Marrëveshja e Ohrit, sepse si rezultat i konfliktit të armatosur ne kemi Marrëveshjen e Ohrit dhe të gjithë duhet të jemi në funksion të implementimit të saj. Faktori ndërkombëtar ndihmon aq sa ne e ndihmojmë vetveten. Në këto momente që gjendemi, ecja para që kemi, unë mendoj se faktori ndërkombëtar nuk mund të bëjë më tepër, sesa ne bëjmë për vetveten. Por këtu ndodh diçka që nuk është në rregull, në vetë faktin se shqiptarëve për momentin nuk iu leverdis, nuk iu përgjigjet asnjë konflikt i armatosur, që është në dëm të gjithë çështjes sonë kombëtare. Megjithatë provokimet vijnë nga të gjitha anët dhe nuk e di kush punon për kë. Madje të them të drejtën edhe forcat e armatosura, qoftë policore apo ushtarake, nuk e di sa kanë qenë të vetëdijshme se çfarë kanë të bëjnë me të gjithë problemet që ndodhin në Maqedoni. Forca dhe dhuna kanë përfunduar me konfliktin e vitit 2001, dhe duhet të kishin marrë mjaft mësime nga viti 2001, por me sa po duket dhe me sa kam përshtypjen, shumë pak ka mësuar dhe pala maqedonase. Më vjen keq që në këto momente, kur paqja dhe stabiliteti është në interes të gjithë qytetarëve të Maqedonisë, pa marrë parasysh përkatësinë kombëtare, institucionet e këtij shteti më duket se punojnë pak në këtë drejtim.

Intervistoi Vullnet Poshka

XS
SM
MD
LG