Ndërlidhjet

SBASHK: GREVA E ARSIMTARËVE NUK DO TË NDËRPRITET


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Me gjithë ofertën e qeverisë, udhëheqja e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës ka kumtuar sonte vonë në mbrëmje se greva nuk do të ndërpritet, pasi sipas kryetarit të SBASHK-ut, në favor të vazhdimit të grevës pas konsultimeve të sotme ishin më se 61 për qind e shkollave të Kosovës. Këtë njoftim, kryetari i SBASHK-ut e ka dhënë vonë në mbrëmje, pas konsultimeve që sipas tij janë zhvilluar nëpër shkollat e Kosovës dhe pas një mbledhjeje që ka mbajtur me përfaqësues komunalë të sindikatave të arsimit të Kosovës:
"Kemi marrë qëndrimet e sindikatave komunale, duke filluar nga Prizreni e Peja dhe duke përfunduar me Artanën, Shalën e Drenasin. Sapo përfunduam mbledhjen me përfaqësues të organeve përkatëse dhe qëndrimi është për të vazhduar grevën në shkallë vendi, nga 61.67 të shkollave", tha kryetari i SBASHK-ut.
Zoti Hyseni tha se ndërkohë më se 35 për qind e shkollave janë deklaruar për ndërprerjen e grevës dhe 2, 67 për qind nuk janë deklaruar. Prandaj, tha zoti Hyseni në bazë të statutit të sindikatës, greva vazhdon në shkollat fillore dhe të mesme të Kosovës, por nuk do të ndërpritet aktiviteti i bisedimeve për t'a rishikuar edhe një herë çështjen duke u dhënë përparësi negociatave për të përmbushur kërkesat e arsimtarëve:
"Kërkesa kryesore tani nga dy kërkesat me karakter social do të jetë ajo që qeveria të tregohet në nivel të detyrës dhe të bëjë gjithëshka ka mundësi për të treguar një vullnet të mirë për t’u dalë ndihmë punonjësve të arsimit, që t’u paguhet në mënyrë të denjë së paku angazhimi i tyre prej idealisti që është dëshmuar gjatë gjithë këtyre viteve të rënda për Kosovën, për arsimtarin dhe arsimin kosovar", tha zoti Hyseni.
Në të vërtetë, mbrëmë udhëheqja e sindikatës qe pajtuar me ofertën e qeverisë që sipas sindikalistëve përmbushte më se gjysmën e kërkesave të arsimtarëve, mirëpo, vendimi përfundimtar u qe lënë vetë arsimtarëve nëpër shkolla.
Zoti Agim Hyseni tha se megjithatë puna mund të ndryshojë gjatë ditës së nesërme, pasi konsultimet do të vazhdojnë edhe mëtej, por nuk arriti të përgjigjet nëse 35 për qindëshi që ka votuar pro vazhdimit të mësimit, nesër nuk do të vazhdojë grevën:
"Tani vërtet mbetet që shoqatat edhe një herë t'a rishqyrtojnë edhe propozimin, edhe qëndrimin e shkollave përkatëse dhe pastaj të nxjerrim një rezultantë të re që mund të jetë e ndryshme nga qëndrimi që është dhënë sot," tha zoti Hyseni.
Në anën tjetër, zyrtarët e Ministrisë së Arsimit deri më tani nuk janë prononcuar rreth vendimit më të ri të SBASHK-ut, por një zëdhënës i ministrisë ka paralajmëruar një konferencë shtypi në ministri në orët e vona.



XS
SM
MD
LG