Ndërlidhjet

11 SHTATORI: DY VJET MË VONË, SHPRESAT BUROJNË NGA ZONA ZERO


ROBERT MCMAHON

Deri sa bota e përkujton dyvjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit, vemendje e veçantë vazhdon t'i kushtohet vendit ku ndodhej ish Qendra Botërore e Tregtisë në Menhetën, ku e humbën jetën rreth 2.800 njerëz.
Me përshpejtimin e aktiviteteve për rindërtimin e zonës, gjithnjë e më shumë mendohet që ajo të bëhet një memorial për viktimat e terrorizmit, simbol i rilindjes, dhe nxitje për ringjalljen e njërës nga qendrat më të mëdhaja të biznesit në vend.
Dy vite më vonë, vendi është një gropë e madhe ku jetojnë dhimbja dhe shpresa.
Zona 7 hektarëshe njihet si zona zero. Vendi ku ndodhej Qendra Botërore e Tregtisë ekziston si një përkujtim emocional dhe fizik. Me kalimin e muajve, dalëngadalë janë hequr lemeritë e 11 shtatorit 2001, por vendi ende nuk e ka marrë formën e re.
Turistët megjithate vendin e vërshojnë, edhe pse aty mund të shohin vetëm makina të ndërtimit dhe themele. Është një ndjenjë se diçka e veçantë mund të dalë nga mbeturinat, thotë Robert Yaro, kryetar i Shoqatës për Planifikimin Rajonal.
Grupi i tij i përket një rrjeti të organizatave civile, që i mbikqyrin përpjekjet për rindërtimin e Manhattanit. Ai i ka thënë "Evropës së Lirë" se planet e rindërtimit balancojnë një varg interesash që mund ta transformojnë zonën.
"Vendi e ka marrë kuptimin simbolik për gjithë njerëzit e botës. Miliona vizitorë kanë ardhur vetëm të shohin se çfarë po ndodh në këtë kantier, dhe mendoj se miliona të tjerë ende do të vijnë", thotë Yaro.
Planet e tyre bëjnë thirrje për rindërtimin e Qendrës Botërore të Tregtisë, por jo si qendër komerciale.
Epiqendra mund të jetë një memorial për viktimat e sulmeve terroriste të 11 shtatorit dhe sulmin me bomba në 1993, ku u vranë 6 njerëz.
Keneth Jackson, një historian prominent nga Nju Jorku thotë se i ka inkurajuar planet e tilla. Por për momentin, thotë ai, zona zero ende paraqet një plagë të pashëruar. Ai i tha "Evropës së Lirë" se ringjallja e ish Qendrës Botërore të Tregtisë ka vlerë simbolike.
"Ana fizike e katastrofës është e pabesueshme, dhe është me rëndësi që qyteti i Nju Jorkut aty të vendosë diçka tjetër, sepse duke e parë këtë gropë aq të madhe, neve na kujtohet se çfarë humbëm. Mendoj se ky vend ka bërë që qyteti të jetë përfaqësues i rrahjes së zemrës së demokracisë, lirisë dhe kapitalizmit, ashtu siç ka qenë me shekuj", thotë Jackson.
Ka patur propozime të ndryshme për rindërtimin e zonës. Zyrtarët e Korporatës, e cila i ndjek aktivitetet e rindërtimit, zgjodhën rreth 5.200 syresh për disejnimin e memorialit. Zëdhënësja Joanna Rose thotë.
"E kthyem prapë tregun e gjelbërt. 13 parqe janë rregulluar dhe revitalizuar. Presim që qendra të rikthehet në jetë më mirë se kurdoherë më parë", thotë Rose.
Por në mesin e njerëzve ka edhe shqetësime se rindërtimi do të mund t'i lërë pas dore kujtimet për mijëra të vdekurit në sulmin ndaj kullave binjake.
Gjatë javës, familjarë të viktimave protestuan kundër planeve për zhvillimin e qendrës. Disa familje madje thonë se gjurmët e mbetura duhen trajtuar si të shenjta dhe të ruhen si memorial.
Ndërkaq të tjerët, ngushëllimin për plagët e tyre e shohin te ndërtimi i një hapësire memoriale dhe kulturore, mu në vendin ku qëndronin kullat binjake.
Por Yaro thotë se banorëve të Nju Jorkut gjithashtu u duhet t'u rikthehet prapë një pjesë e horizontit.
"Është e dhembshme dhe vërtetë dhemb të shohësh horizontin pa të dyja kullat, që e tregonin Manhattanin dhe horizontin mbi të. Prandaj mendoj se më tërheqës është propozimi për ndërtimin e dy kullave në formë spiraleje, që do të ngriteshin deri në majet më të larta", thotë Robert Yaro.
XS
SM
MD
LG