Ndërlidhjet

logo-print

BISEDIME TEKNIKE –PO, PËR STATUSIN FINAL- JO


Zijadin Gashi, Prishtinë

Bisedimet teknike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, mund të fillojnë në cilindo vend neutral, qoftë ai vend anëtar i Bashkimit Evropian apo në Shtetet e Bashkuara, por ato nuk mund të përqëndrohen në bisedimet rreth statusit të Kosovës, kanë thënë sot disa prej deputëve nga partitë më të mëdha kosovare në Kuvend. Këto prononcime, deputetët kosovarë i kanë bërë pas disa njoftimeve, se Brukseli mund të jetë vend i mbajtjes së takimeve të para ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
Deputeti i Lidhjes Demokratike, Fatmir Sejdiu, tha se si për vendin ashtu dhe për vendimet e tjera në lidhje me bisedimet, fjalën e tyre duhet t'a thonë institucionet vendore:
“Me rëndësi është që për çdo rrjedhë të vetën do të marrë qëndrim në kuadër të institucioneve”, tha Sejdiu.
Derisa Lidhja Demokratike nuk shprehu qëndrim të qartë rreth vendit të bisedimeve, dy partitë e tjera, PDK-ja dhe AAK-ja, thanë se për bisedime praktike mund të bisedohet edhe në Bruksel. Deputeti Xhavit Haliti, nga Partia Demokratike, tha se nëse bëhet fjalë për një vend neutral, atëherë ai duhet të jetë i pranueshëm, por njëkohësisht, Haliti kërkoi që paraprakisht, Kosova të përcaktojë një platformë të vetën për bisedimet:
“Bisedimet për Kosovën mund të zhvillohen kudo, në cilindo shtet të Bashkimit Evropian, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do të thotë në një vend neutral të mundshëm. Por, bisedimet për Kosovën, duhet t’i nënshtrohen një analize së pari në Kosovë, e cila duhet të kalojë përmes Qeverisë dhe Kuvendit dhe pastaj mbi bazën e një platforme që do të miratohet në Kuvendin e Kosovës të mund të shkojmë më tutje”, ka thënë deputeti i PDK-së.
Haliti ka thënë po ashtu se bashkësia ndërkombëtare duhet të japë garanci për çfarë do të bisedohet dhe cili është rezultati që pritet nga këto bisedime. Ndërkohë edhe Bajram Kosumi, deputet i AAK-së, tha se Brukseli është vend i përshtatshëm, mirëpo edhe Kosumi, u shpreh kundër bisedimeve të tjera, përveç çështjeve praktike:
“Duhet të flitet edhe me Serbinë, por edhe me shtetet e tjera fqinje për problemet që ekzistojnë në mes të Kosovës dhe atyre vendeve. Kurse për statusin e Kosovës dhe çështjet e tjera politike që janë të Kosovës, nuk duhet të bisedohet jo vetëm në Bruksel, por asgjëkundi. Kjo është çështje e vullnetit politik të popullit të Kosovës dhe është çështje e lirisë dhe e demokracisë, tha Kosumi.
Përndryshe, Kuvendit të Kosovës do t’i drejtohen të enjten Komisioneri i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Kris Paten dhe shefi i misionit ndërkombëtar, Harri Holkeri. Mesazhet që dy përfaqësuesit e lartë ndërkombëtarë do t’ua adresojnë ligjvënësve kosovarë, sipas njoftimeve nga Kuvendi, do të përqëndrohen në zhvillimet e fundit në Kosovë si dhe në çështjen e bisedimeve teknike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
XS
SM
MD
LG