Ndërlidhjet

logo-print

SHBA-TË TË AFTA PËR T'U ANGAZHUAR NË DISA FRONTE NJËHERËSH, THONË ZYRTARËT KOSOVARË


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi tha për Evropën e Lirë se 11 shtatori ka qenë një akt terrorist që ka tronditur gjithë botën, jo vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe prej këtij momenti është formuar një aleancë e fortë në luftë kundër terrorizmit global, një aleancë, pjesë e të cilës është dhe Kosova, edhe pse mundësitë e saj janë të vogla:
"Në një mënyrë është zhvendosur paksa vëmendja në krizat e tjera. Mund të themi se nuk jemi në top agjendën e ngjarjeve, ndoshta edhe për arsye se disa procese shkojnë pozitivisht në Kosovë, por megjithatë pak është zhvendosur vëmendja nga kjo pjesë e Ballkanit", tha kryeministri Rexhepi.
Ndërkaq, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, duke e parë 11 shtatorin si një përjetim shpirtëror në Kosovë, thotë se lufta kundër terrorizmit duhet të jetë pa pakompromis dhe nga ana tjetër, për shkak të angazhimeve shumë të mëdha të SHBA-ve në luftën kundër terrorizmit, kosovarët duhet të marrim përgjegjësi të mëdha për t'u krijuar më shumë liri miqve amerikanë që më pak të jenë të angazhuar në Kosovë në kuptimin fizik:
"Ne kemi mirëkuptim për problemet e miqve që na mbajtën gjallë dhe na çliruan bashkë me ndihmën e popullatës kosovare, prandaj do të dimë të respektojmë nevojat e tyre, por jemi shumë të vendosur dhe të përgatitur profesionalisht që nuk do ta dëmtojmë procesin e mëvetësimit të Kosovës. Kosovës do t’i ofrojmë një të ardhme si entitet i veçantë, si shtet i veçantë në Evropë dhe në bashkësinë ndërkombëtare, por informacionet e mia janë se SHBA-të janë bashkë me ne në këtë proces", tha Nexhat Daci.
Ndërkohë, profesori i të drejtës ndërkombëtare, Enver Hasani, mendon se ndikimi imediat i 11 shtatorit ka qenë një ngutje e SHBA-ve për të siguruar aleatë në luftën kundër terrorizmit, por:
"Një ndikim tjetër i 11 shtatorit ka të bëjë me tërheqjen e vëmendjes së Kosovës si organizim politik, d.m.th. si shoqëri që duhet ristrukturuar sipas parimeve perëndimore dhe rishikimin e sigurisë së Kosovës si një çështje urgjente".
Në anën tjetër, anëtari serb i kryesisë së Kuvendit të Kosovës, Oliver Ivanoviç, mendon se ftohja e interesimit amerikan për Kosovën kishte filluar para 11 shtatorit:
"Kjo e ka ndryshuar në tërësi fokusin e interesimit, por do të thosha se në të vërtetë edhe më herët ishte vërejtur një ftohje apo rënie e interesimit për Kosovën", tha Ivanoviç.
Ndërkohë që në Kosovë ekziston frika për mospërfshirjen aktive të SHBA-ve në bisedimet Prishtinë-Beograd, profesor Enver Hasani nuk e sheh pasiv rolin aktual të SHBA-ve:
"Roli amerikan në dukje është pasiv, por unë mendoj se amerikanët janë pjesë jo e eshalonit të parë të lojës së dialogut, por sigurisht janë aty pranë dhe mendoj se në këtë fazë, mbase edhe nuk është e nevojshme të jetë shumë aparente, shumë në dukje, prezenca amerikane në dialog. E kam gjithnjë parasysh agjendën e dialogut dhe nuk ka nevojë që të shpenzohet kredibiliteti amerikan në këtë fazë të dialogimit", tha Enver Hasani.
Lidhur me këtë, kryeparlamentari Nexhat Daci thotë:
"Ne e marrim Brukselin si synim të integrimeve të plota të Kosovës në BE dhe nëse është edhe kërkesë e SHBA-ve, ne do të shkojmë edhe në Bruksel, por nuk do t’u lejojmë sjellje të papërgjegjshme, as Solanës dhe asnjeriu, sepse në Selanik në një mënyrë pala kosovare u gënjye – ne shkuam në formacionin më të fuqishëm, me presidentin dhe kryeministrin, Beogradi kërkoi që atje të mos realizohet takimi dhe Solana dhe Brukseli e pranuan atë".
Vlerësimet e përgjithshme përmblidhen në fuqinë amerikane për t’u marrë njëkohësisht me disa vatra krizash. Kështu mendon edhe kryeministri Bajram Rexhepi:
"Mirëpo, megjithatë edhe SHBA-të, edhe faktori ndërkombëtar, kanë mjaft kapacitete që të merren me të gjitha krizat, kështu që proceset do të shkojnë në drejtimin e duhur." Sidoqoftë, të gjithë pajtohen se Kosova më nuk është në krye të agjendës botërore, pasi siç thonë analistët, 11 shtatori ka riorientuar interesat dhe synimet amerikane, por Kosova prapëseprapë nuk është jashtë fushës së interesit amerikan, thonë ata.




XS
SM
MD
LG