Ndërlidhjet

logo-print

K PATEN: DEKLARATAT KUNDËR DHE PRO PAVARËSISË JANË TË PADOBISHME


Zijadin Gashi, Prishtinë

Duke rikujtuar sulmet terroriste të 11 shtatorit, para dy viteve mbi Nju Jork e Uashington, shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara Harri Holkeri dhe komisioneri i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Kris Paten, kanë bërë thirrje sot në Prishtinë që qytetërimi të ngadhjejë mbi terrorizmin. Zyrtarët ndërkombëtarë e vlerësuan lartë pozicionimin e Kosovës përkrah botës demokratike, kundër terrorizmit dhe shprehën shpresën e tyre se edhe në Kosovë, dhuna nuk do të mund të ngadhnjejë mbi paqen. Këto komente, Holkeri dhe Paten, i kanë bërë para deputetëvë të Kuvendit të Kosovës, të cilit iu drejtuan me mesazhet e qarta të bashkësisë ndërkombëtare se Kosova është pjesë e Evropës dhe se ajo do të jetë pjesë e integrimeve evropiane. E di, tha Kris Paten, se çështja që juve ju shqetëson më shumë është statusi i pazgjidhur i Kosovës. Mirëpo, statusi, tha ai, nuk është një çështje që mund të zgjidhet menjëherë, por nuk do të jetë as një çështje që mund të shtyhet përgjithmonë. Ai më pas tha se si Beogradi ashtu edhe Prishtina, duhet t’i ndërpresin veprimet, të cilat mund të nxisin rritjen e tensioneve dhe shtoi, se këto mesazhe do t’ia adresojë nesër Beogradit. Kurse të njejtat mesazhe, ai ua drejtoi dhe ligjvënësve kosovarë:
“Deklaratat parlamentare kundër pavarësisë, nëse mund ta them shumë butë, janë të padobishme, e të tilla do të ishin dhe deklaratat për pavarësi nëse bëhet këtu, sepse asnjëra nuk do të kishte as ndikimin më të vogël në vendimin përfundimtar rreth statusit”, tha para Kuvendit të Kosovës, Kris Paten, për të shtuar se forcat politike në Kosovë, tani duhet të përqëndrohen në dialogun me Beogradin. Ai tha se BE-ja do të ofrojë ndihmën e vet në këto bisedime, kurse liderëve kosovarë u tha se ata nuk janë vetëm në këto bisedime, sepse aty do ta kenë UNMIK-un. Ndërsa shefi i administratës ndërkombëtare Harri Holkeri, ka folur më pas dhe rreth spekulimeve sa i përket rolit të tij në bisedimet teknike me Beogradin:
“Disa po më pyesin nëse jam unë udhëheqës i bisedimeve, apo cili do të jetë roli im. Roli im është përfaqësues Special i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara dhe se unë i kam instruksionet nga Këshilli i Sigurimit, kështu që nuk më duhet tjetër post”, tha Holkeri.
Fjalimet e zyrtarëve të lartë ndërkombëtarë para Kuvendit, janë përshëndetur me duartrokitje dhe me falënderimin e kryeparlamentarit Nexhat Daci:
Gjatë paradites, Kris Paten takoi kryetarin dhe kryeministrin dhe tërë qeverinë e Kosovës. Kryetari Ibrahim Rugova, tha se e çmonte lartë angazhimin e BE-së në Kosovë, por tha ai, kërkesa e kosovarve për njohjen e shtetit të pavarur të Kosovës nuk është pengesë për angazhimet e tanishme, por është qëllim i popullit të Kosovës.
Ndërsa kryeministri Bajram Rexhepi, ka kërkuar dhe këtë herë që bisedimet teknike të ndërmjetësohen nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian si dhe ka kërkuar qartësimin e këtij dialogu, nëse behet fjalë për bisedime me Serbinë apo me Unionin Serbi e Mali i Zi.
Përndryshe, gjatë vizitës së tij në Kosovë, Kris Paten, i dorëzoi sot letrën aprovuese që do t'i lejojë Kosovës dhe pjesës tjetër të rajonit të përfitojë nga asistenca prej 31.5 milion eurosh të ofruara nga Bashkimi Evropian me qëllim të nxitjes së bashkëpunimit rajonal në Evropën juglindore. Letra u pranua zyrtarisht nga përfaqësuesi special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Hari Holkeri, gjatë një ceremonie të nënshkrimit në Prishtinë.

XS
SM
MD
LG