Ndërlidhjet

N. BIEGMAN: PJESËTARËT E GRUPEVE TË ARMATOSURA SHQIPËTARE, JANË KRIMINELË


Nadie Ahmeti,Prishtinë

Ambasadori i Aleancës Veriatlantike në Ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë, Nick Biegman, gjatë qëndrimit në Kosovë ka deklaruar se situata në këtë republikë, megjithë përshkallëzimin e gjendjes së sigurisë atje, është tërësisht e ndryshme nga situata e para dy viteve. Ai i bëri këto komente duke dashur të bëjë dallimin ndërmjet Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe grupeve të armatosura shqiptare.
"Pjesëtarët e këtyre grupeve nuk gëzojnë fare përkrahjen e popullatës vendore, ata janë thjesht kriminelë, edhe pse vetë pohojnë se janë politikanë, tha zoti Biegman, pas takimit që zhvilloi me kryeministrin e Kosovës, Bajram Rexhepi.
Duke i komentuar ndërkaq njoftimet se zoti Biegman ka ardhur të kërkojë përkrahjen e institucioneve vendore në izolimin e grupeve të armatosura shqiptare në Maqedoni, ai tha se në këtë rrafsh këto institucione nuk mund të bëjnë edhe aq shumë:
"Kosova ka problemet e veta, kurse Maqedonia ka të vetat," tha zoti Biegman, për të shtuar se deri tani autoritetet ndërkombëtare në Maqedoni nuk kanë vënë re ndonjë lëvizje të grupeve kriminale nga Kosova. Ai shprehu bindjen se forcat paqeruajtëse në përbërje të KFOR-it janë duke u përkujdesur që një gjë e tillë të mos ndodhë. Kryeministri i Kosovës, pas këtij takimi, nuk është prononcuar për gazetarët, por e ka bërë të qartë më herët qëndrimin e tij rreth situatës aktuale në Maqedoni. Në këtë kuadër, kryeministri i ka dhënë mbështetjen e plotë qeverisë së koalicionit në qetësimin e situatës dhe implementimit të Marrëveshjes së Ohrit, por ka kërkuar që para çdo aksioni të tillë të kursehen jetët e civilëve të pafajshëm.
XS
SM
MD
LG