Ndërlidhjet

FARHAN HAQ: PËR NDËRMJETËSUESIT E DIALOGUT DUHET TË SHOHIM ÇFARË PREFEROJNË DHE PALËT E INTERESUARA


Farhan Haq, zëdhënës i KB, i specializuar për Kosovën

RADIO EVROPA E LIRË
Është hera e dytë brenda muajIt që Këshilli i Sigurimit diskuton për Kosovën. Cilat janë arsyet?

FARHAN HAQ
Ky takim është mbajtur si përgjigje ndaj kërkesës së Këshillit të Sigurimit për t'u informuar rreth zhvillimeve më të fundit në Kosovë, veçanarisht që pas ardhjes në detyrë të Përfaqësuesit të ri të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Harri Holkeri. Këshilli i Sigurimit u informua nga Departamenti i operacioneve paqeruajtëse rreth zhvillimeve të fundit dhe veçanarisht atyre që lidheshin me problemet e sigurisë. Në veçanti këtu janë marrë parasyshë sulmet e fundit kundër anëtarëve të komunitetit serb në Kosovë, çfarë ka çuar në krijimin e një ndjenje pa sigurie në mesin e këtij komuniteti. Ajo çfarë u nënvizua ishte se kjo çështje duhet të trajtohet nga vetë kosovarët në mënyrë që të gjitha bashkësitë në Kosovë të ndjehen të sigurta dhe të mirëseardhura në vend.

RADIO EVROPA E LIRË
Qeveria e Kosovës i ka dërguar një kërkesë Këshillit të Sigurimit që të bëjë të pavlefshme deklaratën dhe rezolutën e miratuar nga Qeveria dhe parlamenti i Serbisë. A e keni diskutuar për këtë dhe çfarë hapa do të merrni?

FARHAN HAQ
Sa i përket kësaj çështjeje lidhur me legjislacionet e miratuara nga ndonjë palë, qoftë ajo në Kosovë apo në Serbi e në Mal të Zi, nuk ka asnjë vlerë lidhur me statusin e Kosovës, sepse në mënyrë automatike statusi i Kosovës diskutohet vetëm nga Këshilli i Sigurimit. Ky këshill nuk ka vendosur ta trajtojë këtë çështje për momentin. Një numër vendesh që morën pjesë në diskutimin e Këshillit të Sigurimit e ngritën këtë çështje, por sa i përket statusit final, po e përsëris, kjo është në duar të Këshillit të Sigurimit. Dhe ne nuk mendojmë t'i përgjigjemi ansnjërës palë rreth hapave që mund të marrin parlamentet përkatëse.

RADIO EVROPA E LIRË
Ka diskutime rreth rolit të Z. Holkeri në bisedimet e ardhshme për çështje teknike midis Prishtinës dhe Begradit. A ka ndonjë mundësi që ai të jetë ndërmjetës i këtyre bisedimeve dhe a mund të na thoni cili do të jetë roli i tij konkret në këto bisedime?

FARHAN HAQ
Ajo çfarë po përpiqet të bëjë z. Holkeri, është të ndihmojë Prishtinën dhe Beogradin në mënyrë që të fillojnë dialogun. Gjithmonë kemi thënë që kjo është diçka e rëndësishme dhe ai është duke bërë gjithë çfarë ka mundësi që ky dialog të fillojë. Këshilli i Sigurimit e ka inkurajuar dhe shpresojmë se ai do të ketë sukses. Por, njëherësh ne duhet të shohim se çfarë edhe palët e interesuara preferojnë lidhur me rolin e z. Holkeri. Megjithatë ai po përpiqet të bëjë çfarë është e mundur me të gjitha palët që t'i çojë ato drejt dialogut. Por, mbetet në zgjedhjen e palëve të vendosin se cili e duan për ndërmjetës.
Intervistoi Iliriana Bajo
XS
SM
MD
LG