Ndërlidhjet

TË REJAT DHE TË VJETRAT E NJË FUSHATE ZGJEDHJESH


Lutfi Dervishi, Tiranë

Fushata elektorale për zgjedhjet lokale në Shqipëri, megjithëse në javën e parë të saj ka ofruar disa risi. Për herë të parë kemi një polarizim në fushatë dhe përqëndrim të vëmendjes së medias në Tiranë dhe pjesën tjetër të vendit. Kandidatët e partive kryesore për
bashkitë, nuk po shkëmbejnë akuza me njëri-tjetrin dhe janë përqëndruar më tepër në premtimet dhe programet e tyre. Por, gjithsesi kandidatët nuk mbeten pa u sulmuar. Janë dy liderët kryesorë të partive politike që po akuzojnë respektivisht kandidatët kundërshtarë me akuza që fillojnë nga paaftësia dhe përfundojnë tek
përfshirja në kontrabandë dhe krimin e organizuar. Kandidatët janë përqëndruar në problematikën e zonës,duke u përpjekur për të marrë sa më shumë vota nga ai, që në Shqipëri, quhet brezi i painteresuar në votime. Ndërsa liderët e dy partive më të mëdha nuk i kursejnë
akuzat ndaj njëri tjetrit, duke i dhënë fushatës ngjyrat e zgjedhjeve parlamentare. Për shkak të karakterit lokal dhe interesave të ngushta të votuesve me drejtues lokal, pritet që pjesëmarrja në votime të
jetë më e lartë se në ato të zgjedhjeve parlamentare. Për herë të parë pranohet se zgjedhjet në Shqipëri e kanë edhe një arbitër të brendshëm, që është Presidenti i Republikës. Kryetari i shtetit, megjithë problemet e dala së fundi, shihet si një lloj ekuilibruesi dhe garant se në zgjedhje nuk do të ketë parregullsi serioze. Megjithë problemet e dala së fundi me përbërjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, presidenti Moisiu shihet si një figurë që mund të
ndërmjetësojë dhe të ndikojë mes palëve. Zyra e OSBE-së në Tiranë, ka pranuar se ndodhet vetëm për të asistuar, ndihmë nëse kjo i kërkohet nga aktorët politikë në Shqipëri dhe nuk e ka më atë rol që kishte
në zgjedhjet e mëparshme. Një mision i zyrës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Demokracisë ka filluar monitorimin e fushatës.
Për herë të parë media elektronike në Shqipëri duhet t’a mbulojë fushatën zgjedhore në përputhje me rregullat e përcaktuara në kodin zgjedhor. Tashmë është e përcaktuar me ligj heshtja zgjedhore 24 orë
para ditës së zgjedhjeve, çfarë do të thotë që praktikisht gazetat të mos publikohen një ditë para fillimit të votimeve. Ligji parashikon sanksione të rënda për televizionet, sanksione që shkojnë nga gjoba
deri në mbylljen e televizionit. Për t’u shënuar është fakti se drejtues dhe pronarë të mediave publike dhe privat,e u njohën me ligjin vetëm në një seminar të organizuar në OSBE. Redaktorë dhe gazetarë janë unanim në mendimin që ligji më tepër se një pasqyrim objektiv dhe realist të fushatës, i detyron mediumet të bëjnë
një raportim sipërfaqësor dhe të jenë strikt në kohë. Shpresohet se në zgjedhjet e ardhshme do ketë amendamente të ligjit, të paktën në kapitullin kur flet për mediat. Eshtë e vërtetë se kjo fushatë elektorale zhvillohet me një kod të ri zgjedhor, por aktualisht ka një krizë mosbesimi mes palëve për ndershmërinë e procesit, gjë
që shfaqet në mosmarrëveshjet e fundit për përbërjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Debatet që pasuan pas zgjedhjes së një anëtari të KQZ-së nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, kanë çuar në paraqitjen e dorëheqjes së zëvendësministrit të Drejtësisë. Ofrimi i dorëheqjes shihet si një përpjekje për të zbutur marrëdhëniet e tensionuara mes Presidentit të Republikës dhe mazhorancës. Presidenti ka bërë të
qartë se kërkon respektimin e një marrëveshje mes dy partive më të mëdha, për ballancimin politik të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Pritet që gjatë kësaj jave të ndërmerren hapa për zgjidhjen e kësaj
krize, përndryshe i gjithë investimi për të siguruar një infrastrukturë zgjedhore të plotë dhe të besueshme do të vihet në pikëpyetje. Këto zgjedhje shikohen si një gur prove për të testuar
vullnetin e forcave politike për të realizuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Një palë zgjedhje të konstestuara do të ishin një hap mbrapa në ecjen e Shqipërisë në procesin e integrimit euro-atlantik.

XS
SM
MD
LG