Ndërlidhjet

logo-print

SOLANA DHE ROBERTSON MBËSHTETIN BISEDIMET TEKNIKE PRISHTINË-BEOGRAD


Augustin Palokaj, Bruksel

Komisioni për Siguri dhe Mbrojtje i Bashkimit Evropian dhe Këshilli i Përhershëm i NATO-s, kanë mbajtur sot një takim në selinë e BE-së në Bruksel, ku kanë diskutuar për situatën në Afganistan dhe për atë në Kosovë. Pas këtij takimi duke folur para gazetarëve, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Lordi George Robertson, dhe përfaqësuesi i lartë i BE-së Javier Solana, i dhanë edhe njëherë mbështetje nisjes së dialogut sa më të shpejtë mes Prishtinës dhe Beogradit. Edhe pse janë të vetëdijshëm për statusin e pazgjidhur të Kosovës, në takimin e BE-së dhe NATO-s, është përsëritur se çështja e statusit të Kosovës duhet të zgjidhet sipas kornizave që i cakton rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Zoti Solana u thirr në këtë rezolutë për të theksuar se ende nuk ka ardhur koha për caktimin e statusit final të Kosovës, por shfrytëzoi edhe rastin të përkujtojë se "standartet para statusit, mbeten ende në fuqi si formulë, që do të ndiqet sa i përket statusit final të Kosovës dhe kur të plotësohen këto standarte, atëhere mund të bisedohet edhe për statusin," tha ai.
Lordi Robertson tha se pajtohet me këtë politikë, ndërsa më parë kishte thënë se edhe pse çështja e statusit final të Kosovës është në kokat e politikanëve në Ballkan, ajo ende nuk është në agjendën e OKB-së.
Ka rëndësi absolute edhe nisja e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit, ka thënë në Bruksel, Javier Solana, përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë. Duke folur para gazetarëve, së bashku me shefin e NATO-s, Lordin George Robertson, ka theksuar se "tani jemi shumë afër edhe në përcaktimin e agjendës së dialogut Prishtinë-Beograd, fillimi i të cilit ka rëndësi të madhe." Solana më tej dha disa shpjegime se pse dialogu nuk nisi që në Selanik, duke thënë se "kjo nuk ishte e mundur, pasi kryeadministratori i Kosovës në atë kohë ishte në largim e sipër nga detyra në Kosovë, ndërsa tani kemi pasardhësin e tij dhe procesi i përgatitjes së nisjes së dialogut mund të vazhdojë." Solana dhe Robertson shprehën shqetësim edhe për rastet e dhunës në Kosovë dhe përsëri u bënë thirrje liderëve politikë, që të marrin më shumë përgjegjësi për qetësimin e situatës. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s theksoi se kriminelët që bëjnë akte të tilla të dhunës në Kosovë, janë duke i bërë sabotazh të ardhmes së saj. Në këtë rast iu dha siç thuhet mbështetje e plotë autoriteteve të UNMIK-ut dhe të Kosovës, në luftë kundër krimit të organizuar. Po ashtu është diskutuar edhe për situatën në Maqedoni, ku NATO-ja ka parë disa shqetësime në të kaluarën. "Grupet e armatosura në Maqedoni janë kriminelë, të cilët fshihen prapa " solidaritetit etnik". Ata duhet të izolohen dhe margjinalizohen, por në mënyrë të përshtatshme, pa përdorur dhunën dhe duke zbatuar elementet e Marrëveshjes së Ohrit", ka thënë Lordi Robertson, duke i dhënë mbështetje pa rezervë, siç tha ai dhe Solana, qeverisë së Republikës së Maqedonisë, e cila po orvatet t'a zgjidhë këtë problem.

XS
SM
MD
LG