Ndërlidhjet

DUHET APO JO MIRATIMI I PLATFORMËS SË BISEDIMEVE NË KUVEND?


Zijadin Gashi, Prishtinë

Qeveria e Kosovës nuk do të hyjë në bisedime me Beogradin, pa një platformë paraprake nga Kuvendi, qofshin këto dhe bisedime për disa çështje praktike, kanë thënë sot zyrtarë në kabinetin e kryeministrit Bajram Rexhepi. Këshilltari i kryeministrit, Ramadan Avdiu, tha se Qeveria pret nga Kuvendi që të deklarohet nëse e pranon apo jo këtë dialog:
“Në raport me Serbinë, për shkak të specifikave, për shkak të së kaluarës së përgjakshme që kemi pasur, do të duhet një koncensus politik dhe institucional, qoftë dhe për bisedime të çështjeve teknike”, tha Ramadan Avdiu, për të shtuar në vazhdim se Kuvendi duhet që për këto bisedime të miratojë dhe një platformë, e cila do t’ia hapte rrugën qeverisë për të filluar dialogun. Në të kundërtën, ai vlerëson se qeveria e Kosovës nuk do të pranonte kurrfarë bisedimesh me Serbinë apo Unionin Serbi e Mali i Zi:
“Është e domosdoshme që një platformë për bisedime të kalojë përmes Parlamentit dhe të merret një vendim në Parlament. Fillimisht do të duhet të deklarohet parlamenti, bën apo s’bën të bisedohet me Serbinë”, ka vlerësuar Avdiu.
Ndërkohë, në kabinetin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës Nexhat Daci, sot u tha se Kuvendi me gjasë në seancën e të enjtes do t’i japë dritën e gjelbërt qeverisë për të filluar dialogun. Mirëpo, sipas Ramush Tahirit, këshilltar i kryeparlamentarit Daci, nuk pritet që në këtë seancë të miratohet ndonjë platformë, por nga Kuvendi pritet vetëm që të autorizojë qeverinë për këto bisedime:
“Nuk është se do të ketë platformë, për arsye se nuk konsideroj që platforma mund të përfshijë të gjitha temat e bisedimeve. Thjesht do të ketë vetëm një miratim pas një debati që do të bëhet, për arsye se platforma te ne, institucionet, është e ndërtuar në bazë të ligjeve egzistuese dhe mandatit që kanë organet, jo mbi bazën e një platforme politike apo gjithpërfshirëse”.
Ramush Tahiri, tha po ashtu se deri tani, përveç deklaratave verbale nuk kishte një kërkesë zyrtare nga Qeveria për t'a autorizuar atë për bisedime, mirëpo nëse insistohet në këtë çështje, ai beson se nuk do të ketë probleme në Kuvend, dhe ky institucion do t'a autorizojë ekzekutivin kosovar për dialogun me Beogradin:
“Po. Nuk ka asnjë arsye që Kuvendi të mos i japë përgjegjësinë për bisedime qeverisë, sepse atë e ka edhe me Kushtetutë dhe me ligjet në fuqi”, pohoi Tahiri.
Në anën tjetër, Ramadan Avdiu, mendon se pas konkluzioneve që do të nxirren në seancën e ardhshme të Kuvendit, qeveria do të ulet dhe do të hartojë një platformë për bisedimet teknike, të cilën do t’ia kthente sërish Kuvendit për miratim. Përveç platformës, mbesin dhe çështje tjera në lidhje me bisedimet teknike, për të cilat në Prishtinë kërkohen sqarime, qoftë nga faktori ndërkombëtar apo ai vendor, siç janë niveli i bisedimeve, ndërmjetësimi ndërkombëtar, vendi dhe koha kur do të fillojnë këto bisedime e çështje të tjera.


XS
SM
MD
LG