Ndërlidhjet

ISH KOMANDANTI I NATO-S WESLEY CLARK I BASHKANGJITET GARËS PRESIDENCIALE


JEFFREY DONOVAN

Ish komandanti i NATO-s Wesley Clark, pa ndonjë përvojë në politikë, por me përvojë të gjatë në ushtrinë amerikane, e synon nominimin e Partisë Demokratike për president të Shteteve të Bashkuara në zgjedhjet e vitit 2004.
Gjenerali i pensionuar me katër yjet mbi supe, këtë e bëri publike dje para përkrahësve në qytetin e tij.
"Quhem Wes Clark. Jam nga Little Rock, Arkansas, dhe jam këtu ta shpall kandidimin tim për presidencën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës", tha ai.
Planifikuesi kryesor i Pentagonit me arsimim të theksuar akademik, Clark e arriti kulmin kur i priu fushatës së bombardimeve të NATO-s në Kosovë, në cilësinë e komandantit suprem të aleancës, pasi që më parë i ndihmoi diplomacisë për t'i dhënë fund luftës në Bosnje.
Clark, i cili vjen nga i njëjti shtet jugor si ish presidenti Bill Clinton, vjet ishte në krye të lajmeve, kur e paralajmëroi Uashingtonin të mos shkojë në luftë në Irak pa pëlqimin e Kombeve të Bashkuara.
Dje ai u tha gazetarëve se fushata në Irak ishte "thjesht një luftë e zgjedhjeve", që nuk është dashur të ndërmerret tani.
Vëzhguesit politikë thonë se përvoja ushtarake dhe diplomatike e Clarkut, ia jep atij kredibilitetin të dalë kundër Bushit, të cilin shumica e amerikanëve e shohin si të fortë në çështjet e sigurisë e të mbrojtjes, në kohën kur vendi ndjehet i kërcënuar nga terrorizmi ndërkombëtar. Patrick Basham, analist nga Instituti Cato në Uashington thotë.
"Për dallim nga shumica e kandidatëve demokratë që nuk kanë përvojë ushtarake apo në politikën e jashtme, Wesley Clark ka një dosje me të cilën e mund secilin, dhe ai mund të flasë nga përvoja e botës reale për të gjitha çështjet ushtarake, të mbrojtjes dhe të sigurisë kombëtare që janë aktuale", thotë Basham.
Clarku hyri vonë në garën për nominimin e partisë, ndërkohë që kandidatët tjerë deri tani kanë tubuar dhjetëra milionë dollarë. Por Basham thotë se çështja kryesore do të jetë mbledhja e fondeve në fushatën në mbarë vendin.
"Ai do duhet të shfaqë shkathtësi të mëdha për grumbullimin e fondeve, por edhe duhet të sigurojë votat", thotë analisti Basham.
Por Clarku nuk fillon nga zeroja. Vetëm përmes internetit, mbështetësit kanë dhuruar mbi 1.3 milionë dollarë.
Dje Clark e portretoi veten si njeri i qendrës, që u bën thirrje votuesve të majtë dhe të djathtë për ta ndryshuar lidershipin amerikan.
"Përse Amerika humbi 2.7 milionë vende të punës? Përse Amerika e humbi suficitin prej 500 miliardë dollarë, dhe e ktheu në deficit prej 500 miliardë dollarë, që dita ditës thellohet? Përse Amerika e ka humbur respektin e aq shumë njerëzve në botë?", pyeti Wesley Clark.
Gjatë karrierës së shkëlqyeshme ushtarake, Clark ishte më i miri në klasën e vet në Akademinë ushtarake West Point, dhe e fitoi bursën për në Oksford.
Gjatë bombardimeve në Kosovë, ai nuk pati sukses në polemikat me sekretarin e mbrojtjes William Cohen për futjen e trupave të NATO-s në Kosovë, që ta përshpejtojë disfatën e Millosheviqit.
Menjëherë pas fushatës së Kosovës, Clark e urdhëroi gjendralin britanik Michael Jackson ta bllokojë rrugën për në aeroportin e Prishtinës, dhe t'i parandalojë forcat ruse që papritur e pushtuan aeroportin.
Por Jackson e refuzoi eprorin e tij. "Nuk do ta filloj Luftën e Tretë Botërore për ju", i tha ai komandantit suprem të atëhershëm të NATO-s Wesley Clark.
XS
SM
MD
LG