Ndërlidhjet

logo-print

WHYTE: PARAPËLQEJ ARRITJEN E NJË KORNIZE MË TË GJERË QË DO TË ÇONTE DREJT STATUSIT FINAL TË KOSOVËS


Nicholas Whyte, shef i zyrës për Ballkanin pranë ICG

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Whyte, Financial Times raportoi se zyrtarë amerikanë të ushtrisë kanë kërkuar Pentagoni t'i tërheqë të gjithë paqëruajtësit amerikanë nga Ballkani, për të siguruar trupa në Irak. Si i komentoni këto në prag të bisedimeve për çështje teknike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit?

NICHOLAS WHYTE
Mendoj se kjo ka të bëjë me debatin e brendshëm politik në Shtetet e Bashkuara lidhur me Irakun. Nuk më duket e arsyeshme që të komentoj diçka më tepër.

RADIO EVROPA E LIRË
Zëvendës kryeministri serb Nebojsha Çoviç është caktuar ta udhëheqë delegacionin serb. Sa i pranueshëm mund të jetë ai për palën kosovare, meqë kishte disa reagime nga Kosova.

NICHOLAS WHYTE
Natyrisht kosovarët kanë mendimin e tyre për të, por në përgjithësi në këto lloj bisedime nuk është punë e mençur që të merresh me atë se kush është në ekipin e palës tjetër.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur jemi te Beogradi, pala kosovare do të bisedojë me Serbinë, apo Serbinë dhe Malin e Zi?

NICHOLAS WHYTE
Me sa e kam kuptuar unë deri tani do të jenë bisedime mes Kosovës dhe Serbisë. Por, pandeh se gjithashtu mund të ketë edhe zyrtarë të Serbisë e Malit të Zi. Shumica e çështjeve që priten të diskutohen janë kompetencë e republikës së Serbisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Po çka rreth kërkesave të shqiptarëve të Preshevës që kërkojnë të përfshihen në bisedime?

NICHOLAS WHYTE
Ata nuk kanë mbështetje të bashkësisë ndërkombëtare lidhur me këtë çështje.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Whyte, shumë analistë kosovarë kanë shprehur dyshime për rezultatet e bisedimeve. Cili është mendimi juaj. A do të jetë kjo vetëm edhe një gur në murin e diplomacisë botërore, apo diçka më tepër?

NICHOLAS WHYTE
Gjithmonë është më mirë të kesh një marrëveshje se sa të mos merresh vesh për asgjë. Unë druaj se shkaku për të cilin kosovarët shprehin dyshime është sepse ata nuk kanë shumë besim në aftësitë negociuese të ekipit të tyre. Nëse vërtet është kështu , atëherë është për keqardhje. Në një rast të tillë ata duhet të rrisin aftësitë e tyre për bisedime.

RADIO EVROPA E LIRË
A jeni optimist për rezultatet e bisedimeve?

NICHOLAS WHYTE
Më me dëshirë do të kisha parë arritjen e një kornize më të gjerë që do të çonte në përcaktimin e statusit final të Kosovës. Por, mendoj se ky është një fillim i arsyeshëm.

Intervistoi Vullnet Poshka
XS
SM
MD
LG