Ndërlidhjet

B. CLINTON: " DO TË VAZHDOJ TË ANGAZHOHEM PËR TË MIRËN E QYTETARËVE TË KOSOVËS"


Zijadin Gashi

"E gjithë bota me ndihmën e Shteteve të Bashkuara është duke lëvizur drejt lirisë dhe përparimit për një jetë normale”, ka thënë sot ish-presidenti amerikan Bill Clinton, ndërsa po u bënte një vizitë ushtarëve amerikanë në Kosovë, në kampin ushtarak Bondsteel. "Shtetet e Bashkuara punuan 14 vjet që njerëzit këtu t'i ofrojnë të punojnë bashkërisht dhe tani përparimet shihen. Falenderoj KFOR-in dhe aleatët në NATO për kontributin dhënë ndërtimit të paqës këtu", tha Clinton, duke falenderuar edhe kosovarët për punën e përbashkët drejt këtij përparimi. Më pas Clinton u përqëndrua në fokusimet e amerikanëve në momentin aktual të luftës kundër terrorizmit në botë duke përkujtuar se kjo e keqe niset nga dallimet që ekzistojnë ndërmjet njerëzve.
“Pjesa më e madhe e terrorizmit në botë është rrjedhojë e veprimeve të atyre që shfrytëzojnë ata që besojnë se dallimet janë më të rëndësishme sesa njerëzimi në përgjithësi. Angazhimi amerikan për promovimin e vlerave të demokracisë kundër terrorizmit nuk do të mungojë kurrë”, tha Clinton.
Ish-presidenti amerikan është nderuar sot nga Universiteti i Prishtinës me titullin, Honoris Causa, doktor nderi i këtij Universiteti dhe është quajtur miku më i madh i popullit të Kosvës, i cili me kontributin e tij si president i shtetit më të fuqishëm në botë, i dha fund dhunës së regjimit të Milosheviqit ndaj popullatës së Kosovës dhe i cili kontriboi që mbi 800 mijë persona të ndjekur gjatë luftës të kthehen sërish në Kosovë pas fushatës ajërore të NATO-s kundër forcave të Milosheviqit.
“Duhet t’u falënderohemi ushtarëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të tjerëve që ju mbrojtën juve qytetarëve të Kosovës, duke e rrezikuar jetën e tyre, kurse juve ju mundësuan që të ktheheni sërish nëpër shtëpitë tuaja”, tha Clinton.
“Ne erdhëm në Ballkan bashkë me aleatët dhe do të largohemi nga Kosova, bashkë me ta, kur të konsiderojmë se kemi përfunduar misionin tonë këtu”, tha ish-presidenti Clinton. Ai u ka bërë thirrje sot qytetarëve të Kosovës, liderëve vendorë, si dhe të gjitha subjekteve relevante, që të kontribuojnë në pajtimin etnik, të mos e harrojnë të kaluarën, por kurrësesi të mos i përsërisin gabimet e Milosheviqit.
"Jam krenar që isha një prej atyre që i kam ndihmuar popullit të Kosovës të çlirohet dhe pas luftës së tmerrshme njerëzit të kthehen sërish nëpër shtëpitë e tyre," tha Clinton. Andaj, ai kërkoi nga popullata shumicë, që tani, të mos lejojë hakmarrjen dhe dhunën ndaj pakicave, apo etnive tjera. Clinton më pas ka folur dhe për statusin e pazgjidhur të Kosovës dhe rrugën e definimit të tij:
“E di se ju doni që të dini dhe kah do të shkoj e ardhmja e juaj politike. Unë besoj në vetëvendosje dhe unë dua të besoj se ju do t’ia dilni që të krijoni vet të ardhmen tuaj”, tha Clinton, duke shtuar më pas se rruga deri atje nënkupton dhe sfida të ndryshme:
“Rasti që është dhënë për nisjen e dialogun ndërmjet Beogradit e Prishtinës për bisedimet teknike”, tha Clinton, "është një punë e madhe. Ky dialog, tha ai, nuk do të shërbejnë për zgjidhjen e të gjitha çështjeve brenda natës. Por,"shtoi ai, "është një ngjarje e madhe që t’i shohësh në tavolinë në njërën anë qeverinë serbe e në anën tjetër të tavolinës qeverinë e Kosovës. Kjo është një fotografi që nuk është parë kurrë në histori," theksoi Clinton, i cili më pas u dëshiroi bisedime të mbara liderëve vendorë, duke përsëritur se ndihet shumë krenar që kontribuoi që gjërat të vijnë deri këtu ku janë. "E dua këtë vend, tha Klinton dhe do të vazhdoj të angazhohem për të mirën e qytetarëve të Kosovës," ishin mesazhet që sot ish- presidenti Clinton, ia adresoi popullit të Kosovës.
Paraprakisht, ish-presidenti amerikan ka takuar në ambjentet e Universitetit dhe udhëheqësit vendorë, Ibrahim Rugovën, Bajram Rexhepin e Nexhat Dacin, si dhe liderët e partive më të mëdha politike të Kosovës. Mirëpo pas këtyre takimeve nuk janë dhënë prononcime për mediat.
Ish- presidenti Clinton, mbërriti sot në orën tetë të mëngjesit, në aeroportin e Prishtinës, ku është pritur nga presidenti Ibrahim Rugova. Ky i fundit, para takimit me të, tha se do ta falënderonte Clintonin për të mirat që ka bërë për Kosovën dhe do të kërkonte nga ai, që si mik i Kosovës, të vazhdojë angazhimin deri në realizimin e aspiratave të popullit të Kosovës. Clinton, më pas ka takuar dhe shefen e misionit amerikan në Prishtinë Marsi Ris, si dhe shefin e misionin ndërkombëtar Harri Holkerin. Ai ka vizituar Universitetin Amerikan si dhe sheshe të ndryshme, përfshirë këtu dhe sheshin e emëruar sipas tij. Në orët e mbrëmjes ai është larguar nga Prishtina, duke përmbyllur kështu vizitën e tij të dytë që i ka bërë Kosovës.




XS
SM
MD
LG