Ndërlidhjet

HOLKERI: BISEDIMET TEKNIKE FILLOJNË BRENDA DISA DITËVE


Zijadin Gashi, Prishtinë

Bisedimet teknike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit do të fillojnë brenda disa ditësh, ka thënë sot shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Harri Holkeri. Ai tha se sa i përket fillimit të bisedimeve, nuk bëhet fjalë më për disa javë, por për disa ditë. Holkeri i ka bërë këto komente sot pak çaste para nisjes për në Nju Jork, në një takim me gazetarë. Ai tha se në takimin e mbrëmshëm me liderët kosovarë, është njohur me qëndrimet e tyre lidhur me dialogun dhe këto qëndrime do t’ja prezantojë Grupit të Kontaktit në takimin e 23 shtatorit në Nju Jork.
“Nëse më pyesni se çfare drafti do t’i dorëzoj Grupit të Kontaktit, mund t’ju them se nuk do të ketë kurrëfarë drafti, sepse kjo nuk është mënyra e punës sime”, tha Holkeri, për të shtuar se ai do të jetë transparent në punën e tij në Kosovë si personi numër një e misionit të Kombeve të Bashkuara. Nga Grupi i Kontaktit do të kërkoj që t’i pranojë sugjerimet e mia për dialogun, që kanë të bëjnë kryesisht me çështje procedurale, tha Hokeri, kurse lidhur me temat e bisedimeve ndërmjet Prishtinës e Beogradit, ai theksoi se ato mbesin të njejtat që kanë qenë në agjendë deri më tani.
"Agjenda e bisedimeve," theksoi Holkeri, "është ajo që ishte caktuar edhe në kohën e Samitit të Selanikut, dhe temat e bisedimeve kanë të bëjnë me energjetikën, transportin dhe komunikacionin, refugjatët si dhe bashkëpunimi rreth çështjes së personave të zhdukur."
Holkeri tha po ashtu, se ai si njeriu që me gjasë do ta udhëheqë dialogun, do të përpiqet që në takimin e parë të ftojë në tavolinën e bisedimeve një nivel sa më të lartë të politikanëve nga të dyja anët, pasi një përfaqësim i tillë, sipas tij, do të kishte efekte më të mira sa i përket rezultatit të bisedimeve. Ai tha po ashtu se i ka parasysh kërkesat e palës kosovare, që ajo të jetë e barabartë me atë nga Beogradi në dialogun që pritet të vendoset.
“Këto janë bisedime për çështje praktike dhe të gjithë e dimë shumë mirë që statusi final i Kosovës do të zgjidhet më vonë nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara”, theksoi Holkeri. Ai i ka parasysh kërkesat e kosovarëve dhe ato do t’ia prezantojë Grupit të Kontaktit, ndërsa ka përsëritur se garantues të këtyre bisedimeve do të jenë mekanizmat kryesorë të bashkësisë ndërkombëtare.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian, si dhe i tërë Grupi i Kontaktit do të jenë garantues të bisedimeve”, theksoi Holkeri. Ai sërish nuk e ka sqaruar deri në fund pozicionin e tij në këto bisedime, duke e prezantuar veten aty më tepër si njeriu që do t’i sjellë dy palët në tavolinën e bisedimeve. “UNMIK-u dhe institucionet vendore do të jenë partnerë në këtë dialog”, tha Holkeri, i cili pasdite është nisur për në Nju Jork, prej nga tha se do të kthehet me propozime konkrete rreth vendit dhe kohës së fillimit të bisedimeve teknike.
XS
SM
MD
LG