Ndërlidhjet

SERBËT E KOSOVËS PJESË E DELEGACIONIT KOSOVAR NË BISEDIMET TEKNIKE


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Serbët e Kosovës përfundimisht do të jenë pjesë e delegacionit të Kosovës në bisedimet teknike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit kanë deklaruar sot për Evropën e Lirë, ministri Goran Bogdanoviç dhe shefi i grupit parlamentar të koalicionit Kthimi, Dragisha Kërstoviç, të cilët janë takuar sot me shefin e Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Harri Holkeri. Takimi i sotëm i përfqësuesve të serbëve të Ksoovës me zotin Holkeri ka pasuar një takim të mbrëmshëm të Holkerit me udhëheqës shqiptarë të institucioneve dhe të partive politike të Kosovës, që doli pa ndonjë rezultat konkret. Ndërkohë, përfaqësuesit serbë janë ndarë të kënaqur nga zoti Holkeri, tha Goran Bogdanoviç:
"Jemi marrë vesh se dialogu duhet të ndodhë, ndërsa ne si përfaqësues të serbëve të Kosovës do të marrim pjesë në këto bisedime, dhe si pjesë e delegacionit të Kosovës, tha Bogdanoviç, sipas të cilit një përfaqësues serb do të jetë në nivelin më të lartë përfaqësues, ndërsa një tjetër do të jetë në grupin e punës.
Sipas shefit të grupit parlamentar të koalicionit Kthimi në Kuvendin e Kosovës, Dragisha Kërstoviç, zoti Holkeri megjithëse nuk e dinte datën e saktë të fillimit të bisedimeve u ka shpjeguar atyre shumë detaje:
"Kontakti i parë do të jetë në nivele më të larta të delegacioneve, ndërsa raundet e tjera do të mbahen në kuadër të grupeve të punës, ku do të zgjidhen disa çështje teknike," tha Kërstoviç, duke shpjeguar se bisedimet teknike nuk do të presin arritjen e një marrëveshjeje të përgjithshme, sipas modelit qipriot, por menjëherë pasi të arrihet pajtueshmëria për një çështje, do të fillojë implementimi i saj.
Sipas tij, temat e para për të cilat do të diskutohet janë jo vetëm katër temat parimore për të cilat është arritur pajtueshmëria në Selanik:
"Temat e para do të jenë, energjetika, telekomunikacioni, kthimi, siguria, pastaj privatizimi e më pas do të trajtohen tema të tjera, me kohë do të kalohet edhe në gjëra më të komplikuara dhe më të vështira," tha Kërstoviç, ndërkohë që përfshirja e sigurisë në bisedimet teknike, nuk është përmendur deri më sot asnjëherë nga zyrtarët ndërkombëtarë apo nga ata të Kosovës.
Sidoqoftë, përfaqësuesit serbë mendojnë se më e rëndësishmja është se vetë Holkeri do të kryesojë bisedimet, mirëpo në to do të jenë të përfshirë si kryesues edhe përfaqësues të tjerë ndërkombëtarë:
"Ajo që është më me rëndësi është fakti se Holkeri do t’i kryesojë këto takime dhe natyrisht grupet e punës do t'i kryesojnë edhe përfaqëesues të tjerë të bashkësisë ndërkombëtare, të cilët Holkeri ende nuk i di, por thuhet të jenë përfaqësues të SHBA-së, BE-së dhe të Grupit të Kontaktit," tha Bogdanoviç, sipas të cilit detyra e fundit e vështirë që u mbetet serbëve të Ksoovës para bisedimeve është që të përcaktojnë përfaqësuesit e tyre në delegacion.

XS
SM
MD
LG