Ndërlidhjet

NAIM MALOKU: BISEDIMET PRISHTINË- BEOGRAD JANË TË IMPONUARA


Intervistë me Naim Malokun, deputet në parlamentin e Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Më 23 shtator mbahet një mbledhje e Grupit të Kontaktit, e cila është quajtur vendimtare për fatin e bisedimeve teknike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Çfarë i shihni ju gjasët për fillimin e këtij dialogu, këtyre kontakteve?

NAIM MALOKU
Po, si duket, më në fund, është një imponim. Neve bisedimet na janë imponuar, jo se ne nuk i dëshirojmë ato, apo se nuk kemi qëndrim pro bisedimeve teknike me Serbinë dhe me shtetet e tjera fqinje, por është një fakt i pamohueshëm se ne nuk jemi të përgatitur sa duhet. Pra, këto bisedime janë në njëfarë forme të imponuara dhe këto me një dinamikë mjaft të sforcuar. Mendoj se bisedimet do të fillojnë, por tani duhet ta rrisim edhe ne dinamikën, pala kosovare e kam fjalën, dinamikën e përshpejtimit të bisedimeve teknike dhe ne duhet të përgatitemi për ato bisedime.

RADIO EVROPA E LIRË
A mund të jenë këto bisedime ndër prioritetet e qeverisë dhe të institucioneve të tjera, apo vetëm një prej standardeve që duhet përmbushur, siç ka thënë kryeministri Rexhepi në një rast?

NAIM MALOKU
Jo, këto nuk janë prioritet. Ne kemi prioritete të tjera. Prej zhvillimit ekonomik, ndërtimit të qeverisë, të cilën ende nuk e kemi ndërtuar. Ne jemi në fazën e ndërtimit të institucioneve të Kosovës, ne nuk e kemi qeverinë e plotësuar dhe këto ministri që janë, nuk i kanë të gjitha kompetencat. Kemi probleme me sigurinë, ndërtimin e Shërbimit Policor të Kosovës, marrjen e kompetencave në segmentin e sigurisë. Pa i marrë kompetencat vendorët në segmentin e sigurisë, është vështirë të lëvizet diçka radikale pozitive në segmentin e sigurisë në Kosovë. Pra kemi shumë probleme, edhe privatizimin, papunësinë, krizën energjetikën, pra kemi një mori prioritetesh dhe nuk janë bisedimet me Serbinë prioritet. Mirëpo, tani me imponimin që po na bëhet është një ndër standardet që duhet t’i plotësojmë.

RADIO EVROPA E LIRË
Pasi i përmendët kompetencat, zoti Maloku, sipas mendimit tuaj sa është e domosdoshme marrja e këtyre kompetencave para fillimit të këtyre bisedimeve, pasi në një mënyrë edhe qeveria, edhe drejtuesit e tjerë të Kosovës e kanë kushtëzuar fillimin e bisedimeve pikërisht me marrjen e më shumë përgjegjësive.

NAIM MALOKU
Në seancën e fundit të parlamentin, grupi parlamentar i AAK-së ishte me qëndrim diçka më të fuqishëm në këtë drejtim. Dhamë dy opcione, pra janë dy rrugë para fillimit të bisedimeve, kontakteve me Serbinë, qofshin ato edhe teknike, pasi çdo lloj kontakti me Serbinë e ka edhe një lloj ngjyrimi politik, pra edhe peshën politikë, janë dy rrugë, e para është shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe procesi i ndërtimit të institucioneve dhe implementimit të saj, krijimi i kushtetutës dhe hapat që duhet të ndërmerren pastaj për jetësimin e saj. Rruga e dytë është ndërtimi i vetvetes, pra ndërtimi institucional i Kosovës, në mënyrë që në bisedime të kemi pozitën tonë të barabartë. Pra, ne nuk mund të shkojmë në bisedime të pabarabartë, sepse atëherë nuk kanë kuptim ato bisedime. Ato janë të suksesshme, çfarëdo qofshin ato, në mes të partnerëve të barabartë. Ne nuk mund të shkojmë në bisedime pa pasur të ndërtuar vetveten. Ose, shembull konkret: ne nuk mund të bisedojmë me Serbinë për energjetikën, kur komplet KEK-u është nën kompetencat e UNMIK-ut dhe nuk mund të bisedojmë si Kosovë me Serbinë për një çështje, e cila është kompetencë e UNMIK-ut. Ose, nuk mund të bisedojmë për sigurinë e pakicave, nëse kjo do të kërkohet të jetë në agjendën e tyre, nëse siguria komplet është kompetencë e rezervuar nga UNMIK-u. Ne duhet t’i ndajmë gjërat. Për ato që jemi ne përgjegjës për ato gjërat edhe duhet të bisedojmë. Ne nuk mund shkojmë në këso bisedimesh pa e ndërtuar vetveten, pra, pa e ndërtuar në aspektin isntitucional Kosovën. Unë kam besim që tani duhet të fillojë një dinamikë me përshpejtuar e bartjes së kompetencave nga UNMIK-u, kompletimi i qeverisë së Kosovës dhe pastaj bisedimet me Serbinë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Maloku, ju vetë e përmendët propozimin e Aleancës, apo përsëritjen e kërkesës për shpalljen e Kosovës shtet sovran dhe të pavarur. Cilat do të ishin efektet reale të këtij veprimi?

NAIM MALOKU
Ne nuk mund të presim efekte të menjëhershme reale. Efekti kryesor që do të ishte arritur është një qetësi psikologjike në vetë qytetarët e Kosovës, sepse praktikisht ne po e dimë statusin final të Kosovës – është pavarësia e Kosovës, e kemi shpallur pavarësinë e Kosovës dhe tani fillojnë hapat për njohjen e kësaj pavarësie dhe për ndërtimin ose implementimin e saj. Për këtë hap neve na kanë shtyrë edhe lëvizjet në Serbi. Pastaj, ne kemi edhe obligim para votuesve. Në zgjedhjet parlamentare, të gjitha partitë politike shqiptare kemi dalë me platformën e pavarësisë së Kosovës dhe këtë mandat sa e kemi ne duhet të bëjmë diçka në këtë drejtim. Në anën tjetër, ne nuk mund të shkojmë në zgjedhjet parlamentare në vitin e ardhshëm pa bazë kushtetuese, dhe thjesht në zgjedhjet e ardhshme parlamentare duhet të shkojmë me një bazë shumë më të fuqishme, me një qeveri të ndërtuar dhe, thjesht, mandati i parlamentit të ardhshëm duhet të jetë katërvjeçar dhe ne duhet ta ndërtojmë vetveten.
Intervistoi: Rrahman Paçarizi

XS
SM
MD
LG