Ndërlidhjet

logo-print

FILLON GJYKIMI I LIDERËVE SERBË NË MITROVICË


ARBANA VIDISHIQI

Dy përfaqësues të lartë të Këshillit Kombëtar Serb në Mitrovicë, Milan Ivanoviç dhe Nebojsha Joviç, kanë dalë sot përpara një trupi gjykatësish ndërkombëtarë në Gjykatën e Qarkut në Mitrovicë. Që të dy janë të ngarkuar me aktpadinë se kanë udhëhequr një grup qytetarësh serbë, të cilët më 8 prill të vitit 2002, janë përleshur në urën qendrore mbi lumin Ibër me forcat ndërkombëtare të rendit, përleshje gjatë të cilës u plagosën më shumë se 20 policë ndërkombëtarë. Njëri nga avokatët mbrojtës, Ljubomir Pantoviç, pak çaste para fillimit të gjykimit ka deklaruar se pret që procesi të jetë korrekt. “Nuk dyshoj se procesi nuk do të jetë korrekt, sot është dita e parë e gjykimit dhe për këtë proces gjyqësor janë parashikuar tetë ditë pune, kështu që është shumë herët që jepet ndonjë prognozë”, tha zoti Pantoviç, duke shprehur megjithatë optimizmin e tij mbi shpalljen e të akuzuarve si të pafajshëm. Njëri prej këtyre të fundit, Milan Ivanoviç, i cili në Kosovë njihet si udhëheqës i vijës më ekstreme të politikës serbe, duke mohuar veprat penale për të cilat ngarkohet tha se aktpadia është e motivuar politikisht për faktin se ajo është ngritur në kohën kur, sic u shpreh, shef i administratës ndërkombëtare në Kosovë ishte Mihael Steiner. “Mendoj se rrethanat kanë ndryshuar pas ardhjes së zotit Harri Holkeri në krye të UNMIK-ut dhe natyrisht se do të lirohem, meqë jam i pafajshëm”, tha Ivanoviç, për të shtuar se megjithatë e frikëson fakti se përveç gjykatësve ndërkombëtarë, në trupin gjykues marrin pjesë edhe gjykatës shqiptarë.
Në gusht të vitit të kaluar, autoritetet ndërkombëtare bënë përpjekje për arrestimin e Milan Ivanoviçit në bazë të fletëarrestit që kishte lëshuar një prokuror ndërkombëtar, por Ivanoviçi arriti të arratiset në Serbi. Për shumë kohë, mosarrestimi i tij, në qarqet vendore është trajtuar si çështje e dështimit të autoriteteve ndërkombëtare për të ushtruar pushtet edhe në veriun e Kosovës. Në shtator të po të njejtit vit, Ivanoviç iu dorëzua policisë së Kombeve të Bashkuara, në praninë e avokatit të tij dhe të nënkryetarit të Qeverisë serbe, Nebojsha Coviç. Gjykata e qarkut në Mitrovicë më vonë mori vendimin që ai të paguajë gjobën prej 10 mijë eurosh dhe të mbrohet në liri.



XS
SM
MD
LG