Ndërlidhjet

logo-print

F.MINI:" GJENDJA E SIGURISË NË KOSOVË ËSHTË PËRMIRËSUAR"


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

KFOR-i do të jetë i pranishëm në Kosovë derisa populli i Kosovës dhe jo bashkësia ndërkombëtare t'a vlerësojë këtë të nevojshme, ka deklaruar sot në Prishtinë komandanti i forcës paqëruajtëse të NATO-s, gjenerali italian Fabio Mini. Këto komente gjenerali Mini i ka bërë pas takimeve të lamtumirës që ka pasur me kryetarin e Kosovës Ibrahim Rugova dhe me kryeministrin Rexhepi:
"Prania e KFOR-it në Kosovë do të jetë e siguruar derisa ka nevojë për të, dhe jo deri sa bashkësia ndërkombëtare ta vlerësojë të nevojshme një gjë të tillë. KFOR-i do të jetë këtu, derisa populli dhe institucionet e Kosovës vlerësojnë se kjo prani është e nevojshme," tha gjenerali Mini.
Ai tha se gjendja e sigurisë në Kosovë është përmirësuar në masë të madhe, ndërsa përmirësimi i mëtejshëm vjen me integrimin dhe me bashkëpunimin e njerëzve:
"Më besoni se siguria nuk është më çështja e vetme këtu, por nga një këndvështrim i caktuar, ajo është një prioritet i dorës së dytë," tha gjenerali Mini, sipas të cilit prioritetet për Kosovën janë ekonomia, ndërtimi i institucioneve dhe ndërtimi i mirëbesimit.
Edhe kryetari i Kosovës, Ibrahim Rugova ka thënë se siguria në Kosovë është më e mirë, duke iu falënderuar në një masë të madhe edhe KFOR-it:
"E falënderoj gjeneral Minin për punën e bërë dhe për progresin e arritur së bashku, pasi gjendja e sigurisë është më e mirë dhe më stabile,"tha kryetari Rugova, duke e vlerësuar qëndrimin e gjeneralit Mini, ndër më të merituarit për këtë përparim të arritur.
Duke e lavdëruar gjeneralin italian, kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi ka shfaqur shpresën se ai do të mbetet i angazhuar edhe më tej për Kosovën"
"Shpresoj se gjenerali Mini do të mbetet me Kosovën edhe në të ardhmen. Eksperienca e tij në Kosovë është e domosdoshme dhe seriozisht mendojmë se gjenerali Mini edhe më tutje mund të kontribuojë për Kosovën dhe do t’i shohim mundësitë që edhe në të ardhmen të jetë bashkë me Kosovën në ndonjë formë."
Gjenerali italian Fabio Mini, i cili mbahet mend për deklaratën e tij se me ruajtjen e paqes në Kosovë në të ardhmen mund të merret një forcë shumëkombëshe ballkanike, për ç’gjë nuk pati gjetur ndonjë mbështetje as tek NATO-ja as tek institucionet vendore, më 3 tetor përfundon mandatin e tij të komandimit të KFOR-it në Kosovë, për t’ia kaluar komandën mbi trupat paqëruajtëse gjeneralit gjerman Kamerhof.




XS
SM
MD
LG