Ndërlidhjet

A.POLLOZHANI: VENDIMET PËR PEZULLIM I MORA UNË NË BASHKËPUNIM ME STRUKTURAT NË BDI


Aziz Pollozhani, Ministër i Arsimit në Maqedoni

RADIO EVROPA E LIRË
Së pari si i komentoni ju këtë zhvillim... dhe përse vendimet e përmendura për pezullim u nënshkruan nga zëvendësministri kur ju jeni në Shkup?

AZIZ POLLOZHANI
Bëhej fjalë për një interpretim jo të drejtë të rrethanave. Duke marrë parasysh situatën e krijuar mbas idesë për të hapur një shkollë të mesme në gjuhën shqipe në Manastir dhe për problemet e krijuara rreth një shkolle të mesme këtu në Shkup, duhet marrë parasysh fakti që aty u krijua një situatë e tensionuar dhe disa reagime, të cilat ishin të papritura, por janë në kundërshtim me principet e veprimit institucional dhe me principet e shtetit juridik patjetër. Mirëpo një rrethanë e tillë, pa marë parasysh motivimin, gjithsesi, në vende si Manastiri, krijon situata të padëshirueshme dhe mund të rezultojë në një situatë, që mund të kishte rrezikuar jo vetëm nxënësit, por gjithë atmosferën, dhe atë që lidhet me aktivitetin shoqëror dhe jetën e qytetarëve të Manastirit, nga një aspekt që mund të eskalonte, gjë që nuk është as dëshirë, as esencë e jona. Dhe në këtë të drejtë, me këtë fakt, unë në bashkëpunim me strukturat më të larta partiake, duke përfshirë këtu dhe kryetarin e partisë, mora vendim për ngrirjen e aktiviteve rreth themelimit të kësaj paraleleje në Manastir, me qëllim që të shikohen mundësi dhe t'i lihet hapësirë mirëkuptimit dhe mundësisë që kjo çështje të zgjidhet në mënyrë paqësore, pa rrezikuar asnjë qytetar, asnjë nxënës, asnjë prind në Manastir. Dhe ky është vendim që e kam marrë gjithsesi unë, në përputhje dhe në bashkëveprim me bashkëpunues dhe një pjesë në partinë e BDI-së, ndërsa zëvendësministri vendimin vetëm e ka anoncuar, në momentin kur unë nuk kam qenë në Shkup. Por gjithsesi ka qenë vendim i marrë prej meje në përputhje me siç thashë, një kuadër të përgjegjësisë së përbashkët që kemi si parti, që t'i japim shans dhe mundësi zgjidhjes paqësore, ta quajmë kështu, zgjidhjes jokonfliktuale, të situatës së krijuar në Manastir, që gjithsesi është në dëm të arsimit por në dëm të gjithë qytetarëve që janë aty.

RADIO EVROPA E LIRË
Në këtë aspekt si do të zhvillohen gjërat mëtutje si në Manastir ashtu dhe në Shkup, lidhur me mësimin në gjuhën shqipe?

AZIZ POLLOZHANI
Mësimi në gjuhën shqipe ka një zhvillim pozitiv dhe krijon hapësira të reja bazuar mbi konceptin tonë qeveritar dhe partiak për mundësinë e krijimit të hapësirës së nevojshme për shkollimin shqip, dhe janë bërë disa hapa mjaft markantë në këtë drejtim. Situatat e krijuara janë të ngritura nga pozita krejt joparimore dhe në kundërshtim me ligjin. Megjithatë, me dëshirën për t'i tejkaluar dhe për t'i realizuar të drejtat në mënyrë të qëndrueshme, neve kërkojmë, dhe me vendimet tona mundohemi, t'i japim hapësirë këtij mirëkuptimi, në mënyrë që të mos bëhet shkak asnjë veprim i ngutshëm, apo i asnjë veprimi që faktikisht mund të çojë në rrezikime të tjera, e që ajo e drejtë, jo vetëm të realizohet, por të mos vihet në pyetje, mendoj në asnjë mënyrë. Gjithsesi jemi të detyruar si përgjegjës jo vetëm për arsimin, por edhe në kuadër të proceseve të përgjithshme dhe për situatën e përgjithshme, që hapat tona, bashkë me prindërit, bashkë me nxënësit t'i harmonizojmë, që të jenë në përputhje me qëllimet dhe synimet e stabilizimit të vendit dhe gjithsesi edhe në këtë valë arsimi do të luajë një rol mjaft pozitiv dhe mendoj se do të afrojmë drejt krijimit të kushteve dhe mundësive për realizimin e kësaj të drejte të shqiptarëve, gjë që është dhe përcaktimi jonë programor.

Intervistoi Fatmir Bujupi



XS
SM
MD
LG