Ndërlidhjet

TAHIRI: BISEDIMET TEKNIKE ME BEOGRADIN DUHEN PRANUAR NËSE I PROPOZON GRUPI I KONTAKTIT


Zijadin Gashi, Prishtinë

Institucionet e Kosovës duhet ta pranojnë fillimin e bisedimeve teknike me Beogradin, nëse një gjë të tillë e kërkon Grupi i Kontaktit, kanë pohuar zyrtarë në kabinetin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës. “Kjo është detyrë e institucioneve të Kosovës që ta pranojnë dialogun dhe të dëshmojnë kështu se janë të afta t’i zgjidhin vetë në mënyrë diplomatike disa çështje praktike të parapara në bisedime”, thotë Ramush Tahiri, këshilltar politik i kryeparlamentarit Daci. Këto bisedime, për palën kosovare parashihet t’i udhëheqë qeveria e Kosovës. Zyrtarë nga kabineti i kryeministrit Bajram Rexhepi, kanë pohuar shkurt se qeveria do të veprojë vetëm sipas rekomandimeve të Kuvendit. Mirëpo, Kuvendi javën e kaluar debatoi për dialogun, pa u thënë në fund po apo jo bisedimeve, kurse këtë javë nuk e ka fare në rendin e ditës shqyrtimin e pozicionit të parlamentit ndaj dialogut me Beogradin. Mungesa e këtij qëndrimi, sipas Ramush Tahirit, nuk e pengon aspak qeverinë që t’i fillojë përgatitjet varësisht vendimeve që do t’i marrë sonte Grupi i Kontaktit.
“Nëse qeveria njëmend dëshiron që Kuvendi të nxjerrë ndonjë rezolutë ose ndonjë konkluzion, atëherë si është procedura normale qeveria duhet t’i dorëzojë një shkresë Kuvendit dhe Kuvendi të procedojë konform kësaj shkrese ashtu siç veprohet edhe me ligjet dhe Kuvendi me procedurë shumë të shpejtë aty për aty do ta japë përkrahjen që e kërkon qeveria, për arsye se Kuvendi dhe qeveria nuk janë struktura paralele”.
Tahiri vlerëson gjithashtu se institucionet kosovare nuk mund të pozicionohen në asnjë mënyrë kundër bisedimeve në këtë kohë kur bashkësia ndërkombëtare e ka vënë fillimin e tyre si prioritet. Ai thotë se çështjet praktike të parapara për bisedime janë dhe në interesin e qytetarëve të Kosovës që të zgjidhen, prandaj nuk sheh arsye pse Prishtina do të hezitonte për fillimin e dialogut.
“Me gjasë është lënë që qeveria në kuadër të mandatit të saj si ekzekutiv t’i kryejë punët konform ligjit dhe konform Kornizës Kushtetuese, dhe si kudo në botë qeveria t’i udhëheqë bisedimet, kurse nga Parlamenti ta ketë përkrahjen politike pasi që është qeveri e koalicionit. Gjithashtu nga Parlamenti ta ketë verifikimin se çdo marrëveshje e nënshkruara nga ministritë përkatëse duhet të ratifikohet në Parlamentin e Kosovës”.
Duke e përjashtuar mundësinë e miratimit të një platforme nga ana e Kuvendit, Tahiri thekson po ashtu, se institucionet vendore kanë rastin që për herë të parë t’i dëshmojnë aftësitë e tyre negociuese me vendet fqinje:
“Unë konsideroj se është detyrë e institucioneve tona që të pranojnë, për atë arsye se kjo është në interes të qytetarëve të Kosovës. Po ashtu zgjidhja e çështjeve praktike na ndihmon që të dëshmojmë para botës se dimë të bëjmë diplomaci dhe se dimë t’i zgjidhim vetë problemet pa ndihmën e tjetërkujt dhe se dimë ta zbatojmë mandatin që e kemi marrë nga votuesit”.
Sipas Ramush Tahirit, në bazë të kontakteve të deritashme me shefin e UNMIK-ut, institucionet vendore kanë marrë si paralajmërim se vendi i bisedimeve do të jetë Viena, kurse koha e fillimit të tyre, java e parë e muajit nëntor. Ndërsa Harri Holkeri para nisjes për në Nju Jork, pati thënë se ai do të angazhohet që në takimin e parë, të dy palët të përfaqësohen në nivelin më të lartë, pra të kryeministrave të dy qeverive.
XS
SM
MD
LG