Ndërlidhjet

logo-print

GEORGE BUSH: NUK DO TA SHPEJTOJMË E AS VONOJMË BARTJEN E PUSHTETIT TEK IRAKIENËT


Presidenti amerikan George Bush i ka sfiduar Kombet e Bashkuara që ta mbështetin planin e tij për tranzicionin demokratik të pushtetit në Irak, duke e bërë të qartë se Shtetet e Bashkuara nuk do ta shpejtojnë e as nuk do ta vonojnë bartjen e pushtetit, ashtu siç duan të tjerët.
Në fjalimin në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, presidenti i Shteteve të Bashkuara tha:
"Këshilli i Sigurimit kishte të drejtë të kërkojë nga Iraku t'i shkatërrojë armët e asgjësimit në masë, dhe kishte të drejtë ta kërcënojë me pasoja refuzimin e Irakut. Prandaj vepruan vendet e koalicionit, për ta mbrojtur paqen dhe kredibilitetin e Kombeve të Bashkuara. Iraku tani është i lirë dhe me ne janë përfaqësuesit e vendit të çliruar" tha Bush.
"Gjithashtu e dij se disa vende sovrane në këtë Asamble nuk ishin dakord me aksionet tona. Por ne megjithate jemi unik mbi parimet dhe qëllimet e Kombeve të Bashkuara. Prandaj duhet të shkojmë përpara", tha ai.
"Në Irak, jeta është përmirësuar. Në Lindjen e Mesme njerëzit janë më të sigurtë sepse një agresor u largua nga pushteti. Popujt në botë janë më të sigurtë sepse ra një aleat i terrorizmit", tha Bush.
"Koalicioni ynë ndërkombëtar në Irak i përmbush obligimet. Ndërmarrim vërsulje precize kundër strofullave të terroristëve dhe ish regjimit. Ata e bënë Irakun front qendror të luftës kundër terrorizmit, por do të humbin", tha presidenti amerikan.
"Koalicioni ynë është siguruar që ish diktatori i Irakut kurrë më të mos përdorë armë të shkatërrimit në masë", tha Bush dhe vazhdoi.
"I propozova Kongresit që Shtetet e Bashkuara të japin fonde shtesë për Irakun, më të mëdhajat që nga Plani i Marshallit. Duke u ndihmuar irakienëve të ndërtojnë vendin stabil dhe paqësor, vendet tona do t'i bëjmë më të sigurta".
"Qëllimi kryesor i koalicionit tonë është vetëqeverisja e popullit të Irakut, e arritur përmes procesit demokratik. Procesi duhet rrjedhur sipas nevojave të irakienëve, e jo të shpejtohet apo vonohet sipas dëshirave të palëve tjera", tha presidenti amerikan.
Duke folur për gjendjen në Lindjen e Mesme, George Bush tha.
"Çështja palestineze është tradhtuar nga liderët që vijnë në pushtet duke mbjellur urrejtje dhe shkatërruar punët e tjerëve. Palestinezët e meritojnë shtetin e tyre, dhe do ta kenë kur liderët e rinj t'i mbështesin reformat, ta luftojnë terrorizmin dhe ta ndërtojnë paqen", tha Bush.
Presidenti amerikan gjithashtu bëri thirrje edhe për miratimin e rezolutës për parandalimin e përhapjes së armëve të shkatërrimit në masë.
"Kombinimi vdekjeprurës i regjimeve të jashtëligjshme, rrjetave terroriste dhe armëve të shkatërrimit në masë paraqet rrezik që nuk mund të injorohet. Nëse ai materializohet, do të jetë shumë vonë", tha Bush.
George Bush foli edhe për krizat humanitare të kohës, trafikimin e qenieve njerëzore dhe luftën kundër AIDS-it, duke e theksuar me këtë rast përkushtimin e Shteteve të Bashkuara që të luftohen këto dukuri.
"Si nënshkruese e Kartës së Kombeve të Bashkuara, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të përkushtuara të punojnë për përmbushjen e qëllimeve të Kombeve të Bashkuara, dhe t'ia japin kuptimin idealit të tyre", përfundoi presidenti amerikan George Bush.

Përgatiti Vullnet POSHKA
XS
SM
MD
LG