Ndërlidhjet

NAEGELE: SHBA-TË E BE-JA DO TË JENË LEHTËSUES DHE JO NDËRMJETËSUES TË BISEDIMEVE TEKNIKE


Jolyon Naegele – këshillëtar politik në UNMIK dhe pjesëmarrës në takimin e Grupi

EVROPA E LIRË
Zoti Naegele, a vendosi Grupi i Kontaktit ku dhe kur do të mbahen bisedimet teknike mes Prishtinës dhe Beogradit?

JOLYON NAEGELE
Grupi i Kontaktit rekomandoi që bisedimet të fillojnë në mes të tetorit në Vjenë.

EVROPA E LIRË
Kush do të jenë ndërmjetës për këto bisedime dhe në çfarë niveli do të përfaqësohen Prishtina dhe Beogradi?

JOLYON NAEGELE
Niveli i bisedimeve mbetet ende për t'u zgjidhur. Kohë më parë Beogradi ka thënë se do të përfaqësohet nga zëvendëskryeminstri Nebojsha Çovic, dhe zoti Svilanoviç. Por meqë nuk ka homologë të këtyre të dyve në Prishtinë, sepse nuk ka as zëvendëskryeministër e as Ministër të Jashtëm, qeveria e Kosovës ka kërkuar për t'u përfaqësuar në një nivel korrespondues me të mësipërmit. Por UNMIK-u dhe Grupi i Kontaktit dëshirojnë që të shohin nivelin më të lartë të mundshëm të përfaqësimit të të dyja palëve.
Ndërsa sa i përket çështjes së ndërmjetësuesve dhe të tjerave rreth këtyre bisedimeve mbeten ende për t'u sqaruar. Megjithatë duhet të them se nuk do të kemi shumë ndërmjetësues, por do të kemi lehtësues të këtyre bisedimeve. Dhe lehtësuesit do të jenë vendet e Grupit të Kontaktit, që janë Shtetet e Bashkuara, Rusia, Franca, Italia, Britania e Madhe e Gjermania si dhe Bashkimi Evropian. Këta do të jenë lehtësuesit. Ndërsa Garantuesit e bisedimeve, të cilët do të dëshmojnë se egziston mbështetja maksimale do të jenë Komisioni Evropian për marrëdhënie me jashtë, dhe administrata qëndrore e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork si dhe NATO-ja.

EVROPA E LIRË
Mund të shpjegoni se cili do jetë egzaktësisht roli i lehtësuesve?

JOLYON NAEGELE
Ata janë aty për të siguruar se këto bisedime nuk do të dështojnë, si dhe të japin ndihmën e tyre nëse është e nevojshme, nëse ka probleme, si dhe të ofrojnë potencialin e tyre për këshillim.

EVROPA E LIRË
Çfarë mund të na thoni rreth modaliteteve të tjera të këtyre bisedimeve?

JOLYON NAEGELE
Së pari më duhet të them se do të kemi një raund hapës, i cili do të jetë në nivel të lartë përfaqësuesish. Ky do të jetë fillimi. Së dyti do të jetë krijimi i grupeve të punës, ku fillimisht do të kemi katër të tilla. Dhe çdonjëri prej këtyre grupeve korrespondon me një nga temat e bisedimeve.

EVROPA E LIRË
Cilat do të jenë temat konkrete për të cilat do të diskutohet gjatë bisedimeve teknike?

JOLYON NAEGELE
Në këtë fazë, diskutimet në agjendë lidhen me kthimin e pakicave, personat e zhdukur, sektorin energjitik, dhe atë të transport-komunikacionit.

EVROPA E LIRË
Cilat ishin reagimet e para nga Prishtina dhe Beogradi, pasi i keni informuar për rezultatet e takimit të Grupit të Kontaktit?

JOLYON NAEGELE
Reagimet e tyre ishin pozitive.

Intervistoi: Iliriana A. Bajo
XS
SM
MD
LG