Ndërlidhjet

B. ZENELI: MODALITETET PËR BISEDIME TË PAQARTA


Intervistë me Bernard Zenelin, shef i Departamentit te Shkencave Politike UP

RADIO EVROPA E LIRË
Grupi i Kontaktit e ka dhënë dritën jeshile për fillimin e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit dhe është paralajmëruar se bisedimet do të fillojnë në gjysmën e dytë të tetorit. Sa mendoni se është reale që pikërisht në këtë periudhë të fillojnë këto bisedime, duke marë parasysh rezervat e autoriteteve vendore në këtë drejtim?

BERNARD ZENELI
Në fakt ky proçes, kur do që të fillojë, do të ketë probleme. Qoftë njëra palë, qoftë tjetra do të shfaqin divergjencat e tyre dhe do të përqëndrohen tek një proçes, do të thoja, i politizuar i këtij bashkëbisedimi. Kështu që bisedimet mund të fillojnë, do të jenë reale, ajo që unë do ta quaja ireale, është mënyra se si po futen palët në këto bisedime.

RADIO EVROPA E LIRË
Grupi i Kontaktit gjithashtu ka tërhequr vërejtjen se bisedimet do të jenë për çështje teknike dhe se nuk do të bisedohet për statusin përfundimtar të Kosovës. Megjithatë, nuk janë të paktë ata që mendojnë se këto bisedime nuk mund të mbeten në korniza teknike, pa u prekur rrethanat politike të krijuara pas luftës. Çfarë mendoni ju?

BERNARD ZENELI
Fjala kyçe në të gjitha këto biseda ose në të gjitha këto trataktiva është fjala “teknike” dhe unë do të thoja se në politikë shumë rëndësi ka se kush e përkufizon fjalën ose kush e përkufizon një situatë. Ajo që mund të jetë “teknike” për njërën palë, e themi në këtë rast Grupin e Kontaktit, mund të jetë shumë politike, ose mund të jetë shumë emocionale për dy palët e tjera, që do të hyjnë në diskutime. Kështu që, mendoj që gjëja e parë e rëndësishme, për të pasur një fillim të mbarë të këtyre bisedimeve, do të ishte preçizimi ose përkufizimi i saktë i termit “teknik”, kush do të futet brenda këtyre çështjeve teknike dhe kush do të mbetet jashtë.

RADIO EVROPA E LIRË
Në çështjet e parapara për diskutim janë edhe disa çështje që hyjnë në kompetencat e rezervuara të administratës ndërkombëtare, si është për shembull çështja e kthimit të të zhvendosurve. Deri në ç’masë mund të marrin përgjegjësinë për këtë proçes institucionet vendore,
nëse nuk kanë pushtet?

BERNARD ZENELI
Në fakt, proçesi i kthimit të njerëzve ka filluar. Ka kohë që është një proçes, i cili, unë do të thoja, është përkrahur në maksimum edhe nga figurat e ndryshme politike shqiptare, me apo pa pasur parasysh sa pushtet politik ose sa forcë kanë ata në këtë proçes. I gjithë spektri shqiptar e ka përkrahur këtë proçes, kështu që nuk e di pse është futur edhe kjo në agjendë, sepse ky është një proçes i cili
tashmë ka nisur rrugën e vet dhe po ecën. Unë i kthehem edhe një herë asaj pyetjes se me cilin status hyn qeveria kosovare në këtë proçes. Në qoftë se ajo do të hyjë si Qeveri e Kosovës, një njësi e cila
administrohet nga UNMIK-u, atëherë përgjegjësinë kryesore do ta ketë vetë UNMIK-u, me përfaqësuesin e vet Harri Holkerin në këtë mes. Në qoftë se Qeveria e Kosovës hyn në bisedime si një pjesë e ish-Jugosllavisë drejt shkëputjes, atëherë përgjegjësia e palës shqiptare është shumë më e madhe, sepse do të jenë ata pikërisht njerëzit që do të kenë në dorë, nesër apo pasnesër, garantimin dhe sigurimin total të jetës së këtyre njerëzve që do të kthehen. Por ky modalitet, se si do të hyhet në këto bisedime, asnjëherë nuk është qartësuar.

RADIO EVROPA E LIRË
Së fundi, kosovarët dialogun me Beogradin gjithnjë e më shumë janë duke e cilësuar si dialog të imponuar, të cilin e ka kërkuar komuniteti ndërkombëtar. Pikërisht për këtë arsye, disa prej tyre thonë se ai mund të dështojë. Çfarë mendoni ju?

BERNARD ZENELI
Një farë ose një masë imponimi, po t’i futemi aspekteve historike të zhvillimit të trojeve shqiptare, ka pasur edhe do të ketë. Nuk është se shqiptarët janë pyetur ndonjëherë për të zgjedhur mënyrën se si ata do t'i përcaktojnë fatet e tyre. Kështu që, në këtë kontekst të vazhdimësisë ndërkombëtare me një lloj ndërhyrjeje, kjo nuk është një gjë e jashtëzakonshme. Por, nga ana tjetër, unë mendoj që ne kemi bërë pak punë për të lënë mënjanë këtë hije të keqe që ka ky proçes i bashkëbisedimit. Frika që ekziston në përgjithësi për të hyrë në bisedime, është reale sepse njerëzit e kanë vuajtur pabesinë e këtyre proçeseve historikisht. Për të luftuar këtë frikë ne kemi bërë
shumë pak. Ajo që unë të paktën shpresoj që do të ndryshojë në këto bisedime është ky fakt, që Kosova hyn si e barabartë. Neve këtë segment historik që serbët dhe shqiptarët po ulen në një tavolinë si të barabartë, e kemi anashkaluar dhe ma merr mendja se prej kësaj vjen edhe problematika që ju shtroni në pyetjen tuaj.

Intervistoi: Bekim Bislimi



XS
SM
MD
LG