Ndërlidhjet

logo-print

INSTITUCIONET DHE PARTITE POLITIKE ENDE PA QËNDRIM PËR BISEDIMET TEKNIKE


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Edhe një takim i zotit Holkeri me udhëheqësit politikë dhe të institucioneve të Kosovës ka kaluar pa arritjen e një pajtueshmërie për bisedimet teknike me Beogradin. Bashkëbiseduesit e sotëm të zotit Holkeri thanë se konsultimet do të vazhdonin ndërkohë që ende nuk ishte arritur një konsensus brendakosovar dhe nuk ishte e qartë se kush do të vendoste për bisedimet dhe për delegacionin e Kosovës.
Kryetari i Kosovës Rugova tha se zoti Holkeri i kishte njoftuar zyrtarisht për qëndrimet e Grupit të Kontaktit, por nuk tha se ishte arritur diçka konkrete:
"Ju lutem, çka konkrete, mos t’i bëjmë aq të mëdha, se nuk janë… do të vazhdojnë konsultimet me zotin Holkeri".
Kryeministri Bajram Rexhepi tha se zoti Holkeri kishte sqaruar se bisedimet do të duhej të mbaheshin ndërmjet datës 10 e 20 tetor në Vjenë, por pala kosovare sipas tij ka mbetur në qëndrimet se qëndrimi politik i parlamentit është i domosdoshëm:
"Megjithatë e konfirmuam se duhet ta ndërtojmë konsensusin e brendshëm institucional, pra nëpërmjet parlamentit do të shkojmë, pas debatit që është mbajtur në grupet parlamentare, megjithatë qeveria kërkon që ta ketë qëndrimin politik nga parlamenti dhe se sa sheh interes Kosova në këto bisedime," tha kryeministri Rexhepi, sipas të cilit pas arritjes së konsensusit të brendshëm mund të flitet për një pajtueshmëri me UNMIK-un, ndërkohë që u shpreh skeptik për mundësinë e bisedimeve të suksesshme:
"Mendoj se në çështjet teknike të energjetikës dhe të transportit e telekomunikacionit jemi larg me qëndrime, por është vendi që të kërkohet që MOBTEL-i e të gjitha të tjerat të ndalin aktivitetin".
Në anën tjetër, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj e ka quajtur iniciativën për biseda teknike me Beogradin një improvizim, edhe pse ekziston një gadishmëri e institucioneve të Kosovës që të prezantojnë çështjet teknike:
"Ka gadishmëri të institucioneve që të prezantojnë çështjet praktike siç është thënë, por nuk ka qartësi,e në radhë të parë nuk ka një entuziazëm që të veprohet në këtë mënyrë. Ka edhe një improvizim të brendshëm, nuk dihet procedura e vendimmarrjes, liderët e partive, qeveria apo parlamenti dhe mendoj se të gjitha këto flasin për një improvizim", tha Haradinaj..
Ndërkohë, para gazetarëve pas kthimit nga Nju Jorku ende nuk ka dalë shefi i UNMIK-ut Harri Holkeri dhe askush nuk e ka shpjeguar procedurën e mëtjeshme të përgatitjeve të palës kosovare për bisedimet teknike me Beogradin, sidomos në raportet UNMIK-qeveri e Kosovës.



XS
SM
MD
LG