Ndërlidhjet

PROKURORËT NË BEOGRAD AKUZOJNË MILLOSHEVIÇIN PËR VRASJE POLITIKE


Julia Geshakova

Në Beograd, prokurori special e ka akuzuar ish presidentin jugosllav Sllobodan Millosheviq për ndërlidhje me vrasjen e një politikani prominent dhe për përpjekjen për vrasjen e një politikani tjetër.
Ish presidenti i Serbisë Ivan Stamboliq ishte rrëmbyer dhe vrarë në gusht 2000. Një vit më parë, lideri i opozitës Vuk Drashkoviq e mbijetoi atentatin ndaj tij me plagë të lehta.
Deklarata e prokurorisë, e lëshuar të martën, e akuzon Millosheviqin për sajimin e vendimit për vrasje në të dyja rastet.
Prokurorët ia dorëzuan aktpadinë gjykatës së sapoformuar speciale në Beograd, kurse Millosheviqi do të gjykohet në mungesë.
Policia tha se Stamboliqi ishte vrarë nga 5 pjesëtarë të Njësitit për Operacione Speciale natën që është rrëmbyer. Mbeturinat e tij u zbuluan gjatë operacionit për shtypjen e grupeve kriminale pas vrasjes së kryeministrit serb Zoran Xhingjiq në muajin mars.
Komandanti i Njësitit Millorad Llukoviq, i njohur si Legija, u akuzua për organizmin e vrasjes së Stamboliqit. Legija, i cili është i dyshuari kryesor për vrasjen e Xhiongjiqit, ende është në arrati.
Lideri i Lëvizjes së Përtëritjes Serbe Drashkoviq, gjatë kohë thoshte se Millosheviqi qëndron pas shumë vrasjeve politike. Por aktpadinë e fundit ai e quajti "nonsens legal".
"Në historinë e drejtësisë, askush nuk ka dalë me nonsens më të madh legal se ky. Sipas kësaj, del se Millosheviqi dhe Legija e kanë sajuar vendimin për vrasjen time dhe të Stamboliqit. Kjo bëhet për të shmangur përgjegjësinë e Millosheviqit. Ata dihet të thonë se Millosheviqi ka urdhëruar, kurse ish shefi i sigurimit shtetëror Radomir Markoviq dhe Legija i kanë kryer krimet", thotë Drashkoviq.
Ai i akuzoi prokurorët se përpiqen ta mbulojnë atë që ai e quan të vërtetë të pazbuluar gjatë hetimeve.
Natasha Kandiq është drejtuese e Qendrës për të Drejtën Humanitare dhe eksperte për krime të luftës.
"Aktpadia e re kundër Millosheviqit, këtë herë nga gjykata e vendit, paraqet përpjekje për tu treguar njerëzve në Serbi se Millosheviqi ka përgjegjësi personale për krimet e kryera kundër serbëve, e jo vetëm për krimet kundër grupeve tjera etnike. Mendoj se qeveria don të tregojë se regjimi i Millosheviqit ishte njësoj brutal edhe ndaj qytetarëve të Serbisë", thotë Kandiq.
Ajo thotë se në Serbi ende janë të ndjeshëm ndaj përgjegjësive të Millosheviqit për krimet e luftës, sepse lojalistët e tij ende janë të fuqishëm për shkak se në anën e qeverisë mungon vullneti politik.
"Millosheviqi është larg prej këtu, por mbrojtësit e politikës së tij dhe praktikave të krimeve të luftës ende gjenden në Serbi. Gjykimi atyre nuk do tua zvoglojë fuqinë, sepse problemi kryesor me Serbinë mbeten krimet e luftës. Ndërsa Millosheviqi në Serbi nuk është prekur për shkak të krimeve të luftës", thotë Kandiq.
Partia Socialiste e Millosheviqit e ka quajtur aktpadinë "akt të pacipë dhe terror politik".
Vetë Millosheviqi ka mohuar se ka lidhje me këto krime. Ai edhe ka refuzuar të bashkëpunojë me policinë rreth këtyre rasteve.
Ndërkohë, Millosheviqi gjithashtu është akuzuar edhe për transferimin jashtë vendit të miliona dollarëve të shtetit.
XS
SM
MD
LG