Ndërlidhjet

B.REXHEPI: QEVERIA NUK DO SHKOJË NË BISEDIME PA VENDIMIN E KUVENDIT


Rrahman Paçarizi Prishtinë

"Bisedimet teknike me Beogradin nuk do të fillojnë pa një vendim të Kuvendit të Kosovës për këtë," ka deklaruar sot kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi, duke theksuar se qeveria nuk do t’u nënshtrohet kurrfarë presioneve lidhur me këtë. Këtë deklaratë kryeministri Rexhepi e ka bërë pas një mbledhjeje të qeverisë, ku kjo e fundit ka kërkuar nga parlamenti që të marrë një qëndrim lidhur me bisedimet për çështje teknike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Kryeministri i Kosovës tha se në mbledhjen e sotme ka pasur shumë diskutime dhe është shqyrtuar pozicioni i qeverisë nga pikëpamje të ndryshme, por që doli në fund me një qëndrim unanim:
"Ishte qëndrim unanim i të gjithë ministrave që për bisedimet eventuale Kosovë-Unioni Serbi-Mali i Zi, qëndrimi politik duhet të merret në parlament. Ne e kemi bërë kërkesën zyrtare që do t’ia dërgojmë parlamentit dhe është shprehur gadishmëria dhe kërkesa që qeveria komplete të jetë e pranishme në seancën e parlamentit, në mënyrë që të identifikojë fushat që nevojiten të kompletohen për qeverin,ë që të jetë efikase dhe kompetente dhe të propozojë fushat e interesit në bisedimet eventuale me Serbinë", tha Bajram Rexhepi.
Në anën tjetër, kryueministri nuk ka pranuar të pohojë nëse qeveria e Kosovës ka një qëndrim të vetin lidhur me bisedimet. Kjo do të thotë se qeveria do ta kryejë obligimin e vet institucional dhe kjo shkon me këtë radhitje, tha kryeministri, sipas të cilit megjithatë vetë qeveria do të vendoste për delegacionin:
"Qëndrimi politik në parlament, kompletimi i kompetencave të domosdoshme për bisedime dhe pjesëmarrja e qeverisë eventualisht në takimin e parë të nivelit të lartë, vendimi se kush do ta prezantojë qeverinë do të merret në qeveri, pra do të jetë vendim i qeverisë."
Ndryshe, kryeministri Rexhepi ka thënë se pavarësisht nga presionet, qeveria e Kosovës do të respektojë vendimin e parlamentit të Kosovës për pjesëmarrje në bisedime apo jo, edhe pse tha se nuk dëshironte të prejudikonte lidhur me mbajtjen apo jo të këtyre bisedimeve dhe për kohën e tyre:
"Nuk do të fillojë qeveria pa vendim të parlamentit dhe nuk do të bjerë në asnjë trysni".
Në këtë mënyrë, një vendim i Kuvendit nuk mund të pritet para të enjtes kur mbahet seanca e radhës, ndërkohë që është thënë se në një situatë të këtillë Kuvendi i Kosovës bashkë me qëndrimin politik lidhur me bisedimet, do të kërkonte për vete mandatin për të verifikuar marrëveshjet eventuale që do të dilnin nga bisedimet teknike me Beogradin.




XS
SM
MD
LG