Ndërlidhjet

DACI: MBËSHTESIM BISEDIMET ME BEOGRADIN, GJATË KËTIJ MANDATI DO SHPALLIM PAVARËSINË


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Kuvendi i Kosovës do t’ia hapë rrugën qeverisë për të filluar bisedimet teknike me Beogradin, por njëkohësisht do ta ruajë për vete mandatin për verifikimin e marrëveshjeve eventuale nga këto bisedime dhe për ndërprerjen e tyre. Kështu ka deklaruar sot kryetari i Kuvendit të Kosovës Nexhat Daci, duke iu përgjigjur një kërkese të qeverisë së Kosovës që Kuvendi ta marrë një qëndrim publik politik lidhur me bisedimet teknike me Beogradin. U bashkangjitem kërkesave të qeverisë së Kosovës për pajisjen e qeverisë me kompetenca, për të mundur të marrë pjesë në bisedime dhe të jetë nënshkruese e tyre, tha Daci duke u shprehur në favor të bisedimeve:
"Të enjten parlamenti, nëse kam autoritet dhe ndikim, do t’i hapë derën qeverisë për bisedime".
Sipas zotit Daci, qeveria e Kosovës nuk ka pasur nevojë të kërkojë qëndrim të Kuvendit, pasi qeveria ka besimin e parlamentit që nga dita kur është votuar për këtë qeveri. Sidoqoftë, tha zoti Daci, Kuvendi i Kosovës ruan mandatin e verifikimit të marrëveshjeve eventuale:
"Parlamenti e ruan këtë mandat dhe do ta ekzekutojë maksimalisht. Nëse parlamenti sheh se do të ketë lojëra me qeverinë tonë, cilido faktor, i brendshëm apo i jashtëm, do të insistojmë të ndërpriten biseda dhe çdo marrëveshje do të ketë rëndësi për Kosovën, vetëm kur në parlament, në prani të mediave do të analizohet dhe do të verifikohet.
Ai tha se kishte informacione se SHBA do të jenë prezente në bisedime, pasi pa këtë prani nuk mund të kenë sukses bisedimet, të cilat patjetër duhet të jenë të nivelit të barabartë përfaqësues.
Ai tha se në fazën e parë të bisdimeve, Kosova dhe Serbia do të flasin për çështje teknike, pasi për këtë ka interes të dyanshëm të të dyja vendeve, ndërsa në fazën e dytë do të bisedohej për pavarësinë e Kosovës:
"Nuk duhet të ketë biseda dhe dialog me Serbinë sa i përket ardhmërisë politike të Kosovës, pasi Kosova ka dalë nga sovraniteti i Serbisë dhe Jugosllavisë me luftën e vet paqësore dhjetëvjeçare dhe me luftën e saj çlirimtare dyvjeçare të ndihmuar nga bashkësia ndërkombëtar".
Sipas Dacit çdo intepretim tjetër do të ishte i paakceptueshëm dhe ai deri sa të jetë në krye të parlamentit nuk do të përfshihej në këto bisedime. Ai gjithashtu ka paralajmëruar që Kuvendi i Kosovës do ta shpallë pavarësinë e Kosovës:
"Brenda mandatit elektoral që e kanë institucionet e Kosovës, ne do ta përmbyllim çështjen e vizionit politik për Kosovën, do të thotë çështjen e deklarimit të pavarësisë së Kosovës në parlamentin e Kosovës," tha Daci, sipas të cilit brenda gjashtë muajve të fundit asnjë njeri i rëndësishëm ndërkombëtar nuk ka protestuar lidhur me këtë ide apo nuk është befasuar jokëndshëm nga kjo ide. Sipas kësaj, Daci tha se Kosova e pavarur do të kishte të pranishme një forcë simbolike të NATO-s për një kohë të gjatë dhe një monitoring të bashkësisë ndërkombëtare në vëzhgimin e respektimit të të drejtës ndërkombëtare.



XS
SM
MD
LG