Ndërlidhjet

NUK KA KONSENSUS PËR DIALOGUN TEKNIK PRISHTINË-BEOGRAD


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Edhe pse kryetari i Kuvendit Daci dhe kryeministri Rexhepi thanë sot se kishin arritur një pajtueshmëri të plotë lidhur me kërkesën e qeverisë që Kuvendi të marrë qëndrim politik lidhur me fillimin apo jo të bisedimeve me Beogradin për çështje teknike, shefat e tre grupeve kryesore parlamentare në Kuvendin e Kosovës, nuk kanë arritur një konsensus për t’i dhënë vizën qeverisë së Kosovës që të fillojë bisdimet teknike me Beogradin. Fillimisht, kryetari i Kuvendit Daci, pas takimit me kryeministrin ishte mjaft optimist:
"Mendoj se jemi të gatshëm për punë dhe për marrjen e përgjegjësive dhe sot e kam kryesinë dhe të enjten parlamentin, prandaj ne do ta sponsorojmë dhe do ta përkrahim qeverinë tonë", tha Nexhat Daci.
Ndërkaq, kryeministri Rexhepi tha se qeveria do të merrte pjesë në mbledhjen e të enjtes në Kuvendin e Kosovës, pavarësisht nëse do të kishte ftesë me shkrim apo jo. Dhe, pavarësisht se kryeparlamentari Daci edhe dje kishte thënë se do ta përdorte autoritetin e tij në Kuvend për t'ia hapur dyert qeverisë që të fillojë bisedimet teknike, shefat e tre grupeve parlamentare, LDK-së, PDK-së dhe AAK-së nuk kanë arritur sot një konsensus për këtë çështje, u tha pas një takimi që këta të tre patën me zotin Daci. Kryetari i grupit parlamentar të LDK-së, Sabri Hamiti tha se nuk kishte se çfarë të thuhej pas këtij takimi, ndërsa Arsim Bajrami i PDK-së, tha se për bisedimet duhen tre parakushte:
"Në një mënyrë bashkësia ndërkombëtare të neutralizojë të gjitha përpjekjet e Serbisë për agresion kushtetues, dhe kjo të bëhet në mënyrë shprehimore me instrumente ligjore, duke i refuzuar ato pjesë që në mënyrë të drejtëpërdrejtë bëjnë agresion kushtetues mbi Kosovën; e dyta kemi kërkuar një ndërmjetësim adekuat ndërkombëtar, dhe përfshirje të SHBA-ve dhe BE-së; dhe një konsensus të brendshëm dhe mandat për të shqyrtuar gjithë procesin nga Kuvendi i Kosovës, i cili sipas nevojës do të mblidhet dhe do të vendosë për këtë." Prandaj, tha zoti Bajrami, Kuvendi duhet të vendosë lidhur këtë çështje, pavarësisht nëse do të arrihet ndërkohë një konsensus ndërmjet tre partive më të mëdha:
"Do të kemi edhe qeverinë në mbledhje, por mendoj se parlamenti duhet ta marrë paraprakisht këtë vendim, mundësisht me konsensus, por nëse nuk ka konsensus atëherë me procedurë demokratik," theksoi Arsim Bajrami.
Mirëpo, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës këmbëngul se bisedimet teknike me Serbinë nuk janë as prioritet dhe as arsyeja, pse qytetarët e Kosovës ua kanë dhënë votën deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
"Sido që të jetë për këtë çështje nuk ka konsensus dhe kuvendi mund të veprojë qoftë edhe pa konsensus të nënshkruesve të kësaj marrëveshjeje", bëri të ditur AAK-ja.
Kështu, në një kohë që deklarimi i djeshëm i kryetarit të Kuvendit Nexhat Daci pro bisedimeve teknike, dukej se u dha fund dilemave lidhur me fillimin e tyre, tani sërish i mbetet Kuvendit të Kosovës të vendosë nëse Prishtina zyrtare do të marrë pjesë në këtë bisedime dhe në çfarë kushtesh.



XS
SM
MD
LG