Ndërlidhjet

GEORGE BUSH: DO TË BASHKËPUNOJMË PLOTËSISHT NË HETIMET


JEFFREY DONOVAN

Departamenti amerikan i Drejtësisë ka ndërmarrë hetime kriminale pas akuzave se administrata e presidentit Bush e ka shkelur ligjin federal, duke e zbuluar identitetin e një agjenti të fshehtë të CIA-s, në përpjekje për t'i diskredituar kritikët e luftës në Irak.
Prokurori i përgjithshëm John Ashcroft e shpalli fillimin e hetimeve, përkundër thirrjeve të demokratëve që kërkojnë hetimet të bëhen nga një këshill i pavarur.
Ashcroft, i zgjedhuri i presidentit të Shteteve të Bashkuara George Bush, në Uashington tha: "Departamenti i drejtësisë ka marrë një kërkesë nga CIA për hetime kriminale lidhur me shkeljen e mundshme të ligjit federal për zbulimin e pa-autorizuar të informatës së klasifikuar. Pas shqyrtimit të menjëhershëm të kërkesës, me ndihmën e Byrosë Federale të Hetimeve hapëm hetime të plota", tha Ashcroft.
Departamenti i Drejtësisë rrallë herë ka ndërmarrë hetime mbi akuzat për rrjedhjen e informatave.
Rasti filloi në korrik, kur një kolumnist, duke i cituar zyrtarët e lartë të administratës Bush, e zbuloi identitetin e agjentit të CIA-s si bashkëshortja e Joseph Wilsonit, ish ambasador amerikan, i cili publikisht tha se janë të pavërteta pohimet e presidentit George Bush se Iraku është përpjekur të blejë uranium në Afrikë.
Me kërkesën e CIA-s për të hetuar pohimin, Wilson udhëtoi në Nigeri në vitin 2002, ku nuk gjeti kurrfarë dëshmie. Wilson tha se duke e bërë publik emrin e gruas së tij, Shtëpia e Bardhë është përpjekur ta tërheqë vemendjen nga akuzat e tij dhe është hakmarrë.
Analistët thonë se politikisht, kjo mund t'i kushtojë presidentit Bush, në kohën kur ai tani më gjendet në thumbin e kritikave për çmimin e rindërtimit të Irakut, për viktimat amerikane në rritje, si dhe për mosgjetjen e armëve të shkatërrimit në masë.
Shtëpia e Bardhë ka mohuar se ka patur dijeni për rastin, përpos asaj që është publikuar në media, dhe tha se krye-këshilltari politik i Bushit, Karl Rove, nuk ka luajtur kurrfarë roli në akuzën për rrjedhjen e informacionit.
Wilson e ka akuzuar Rove-in për nxitjen e incidentit.
Në komentet e tij të para, presidenti Bush tha.
"I kam thënë administratës sonë, njerëzve në administratë, që të plotësisht të bashkëpunojnë. Dua ta dij të vërtetën", tha Bush, dhe vazhdoi.
"Nuk e njoh askë nga administrata ime që ka zbuluar informatë të klasifikuar. Nëse dikush e ka zbuluar, do të dëshiroja të dihet, dhe ne do ta ndërmarrim aksionin e duhur", tha Bush.
Por demokratët në Kongres thonë se nuk kanë besim se prokurori i përgjithshëm Ashcroft mund t'i mbikqyrë hetimet e pavarura. Ata kërkojnë që hetimet ti besohen një këshilli të pavarur, që mund të jetë i besueshëm nga të gjitha palët.
Lideri i demokratëve në Senat Tom Daschle tha.
"Nuk kemi besim në John Ashcroftin. Kisha besim te ish prokurorja e përgjithshme Janet Reno. E dijmë me siguri se dikush e ka shkelur ligjin federal. Prandaj nuk dyshoj përse duhet thirrur një këshill special", tha senatori Daschle.
Por vendimi për hetimet bie mbi departamentin e drejtësisë, dhe pavarësisht ankesave të demokratëve, nuk është e qartë se si ata mund ta ndërlidhin Kongresin, kur ai kontrollohet nga republikanët.
XS
SM
MD
LG