Ndërlidhjet

TAHIRI: NËNSHKRUAJMË VETËM MARRËVESHJET, PËR TË CILAT BISEDOJMË ME BEOGRADIN


Zijadin Gashi, Prishtinë

Kabineti i kryetarit të Kuvendit të Kosovës, është zotuar sot se Prishtina do t’i pranojë si të vlefshme, vetëm ato marrëveshje, të cilat i bisedon vetë me Beogradin dhe asnjë marrëveshje tjetër institucionet kosovare nuk do t'a pranojnë si të tillë. Këto komente i ka bërë Ramush Tahiri, këshilltar politik i Nexhat Dacit. Edhe pse dje shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara Harri Holkeri, tha se marrëveshjet për Prishtinën do t’i nënshkruajë UNMIK-u për fushat e rezervuara dhe qeveria e Kosovës për fushat në të cilat ajo ka kompetenca, Tahiri vlerëson se pala kosovare do të pranojë vetëm marrëveshjet që ajo vetë do t’i nënshkruajë si palë e barabartë me Beogradin:
“Ne do t’i nënshkruajmë të gjitha dokumentet për të cilat bisedojmë. Asnjë dokument për të cilin nuk bisedon, pala kosovare nuk do ta nënshkruajë”, tha zoti Tahiri, për të shtuar se pala kosovare tani duhet të jetë e pranishme në arritjen e çdo marrëveshjeje të mundshme dhe se ajo nuk do t’i marrë përgjegjësitë për dështimin e implementimit të ndonjë marrëveshjeje, nëse nuk është vetë nënshkruese e saj:
“Ne e dimë që në këtë moment nuk jemi shtet dhe kjo është një pengesë që ne të përfaqësohemi në shumë forume ndërkombëtare, por nuk mundet Serbia të bisedojë për Kosovën pa qenë prezente këtu fare, por duhet të bisedojnë institucionet e Kosovës në kuadër të delegacionit të UNMIK-ut apo si delegacion i veçantë”.
Ndërsa sa i përket seancës së nesërme plenare në Kuvendin e Kosovës, ku pritet marrja e vendimit rreth përfaqësimit të Prishtinës në dialogun me Beogradin, në të cilën pritet që të marrin pjesë dhe kryeministri dhe qeveria e Kosovës, Tahiri tha se, në raste të tilla kur ka ekspoze, nuk ka debat parlamentar, por pyetje dhe përgjigje. Mirëpo, meqënëse çështja është shumë konkrete, theksoi ai, pritet që Kuvendi vetëm të deklarohet rreth kësaj kërkese:
“Çështja është shumë konkrete. Kryeministri do të kërkojë përkrahjen e Kuvendit për t’i kryer funksionet e tij në bisedimet që do të zhvillohen me Unionin Serbi e Mali i Zi, dhe kjo është vënë në rend të ditës. Orientimi i përgjithshëm është që t’i jepet përkrahje qeverisë, për faktin se në të gjitha rastet deri tani, qeverisë i është dhënë mbështetja”, theksoi Tahiri.
Gjatë ditës së sotme qeveria e Kosovës është takuar në mbledhjen e rregullt, mirëpo asnjëri prej zyrtarëve të saj nuk është prononcuar pas përfundimit të saj. Kryeministri Rexhepi e ka konfirmuar pjesëmarrjen e tij në seancën e nesërme plenare, por e paqartë mbetet çështja e deklarimit të grupeve më të mëdha parlamentare rreth dhënies së mandatit qeverisë për fillimin e bisedimeve. Gjatë dy ditëve të fundit, shefat e grupeve më të mëdha parlamentare janë takuar, mirëpo nuk kanë arritur konsensus rreth kësaj çështje, kështu që sipas tyre, me gjasë ka mbetur që deklarimi i Kuvendit pro apo kundër fillimit të bisedimeve të vendoset me anë të votimit në Kuvend.



XS
SM
MD
LG