Ndërlidhjet

MINI: KOSOVA KA NEVOJË PËR KFOR-IN


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Bashkësia ndërkombëtare dhe posaçërisht NATO-ja vazhdojnë të jenë shumë të përkushtuara për Kosovën, ka deklaruar sot komandanti i KFOR-it gjenerali Fabio Mini, duke porositur qytetarët e Kosovës që të vazhdojnë bashkëpunimin me KFOR-in, për të cilin kanë nevojë ndoshta për një kohë më të gjatë. Këto komente gjenerali italian Fabio Mini i ka bërë në një takim lamtumire me gazetarët, dy ditë para se t’ia dorëzojë komandën e forcave paqëruajtëse, gjeneralit gjerman Holger Kammerhoff:
"Angazhimi i NATO-s është ende një angazhimi i madh dhe ekziston një përkushtim i madh i bashkësisë ndërkombëtare e posaçërisht i NATO-s, për të qëndruar në Kosovë dhe për të ndihmuar përmirësimin e situatës, pasi ky është misioni ynë," tha gjenerali Mini, duke e vlerësuar situatën në Kosovë të përmirësuar në masën, që nuk kërkohen më shumë trupa seç ka aktualisht në Kosovë. Në situata të tjera ndoshta do të kishte nevojë për më shumë trupa.
"Më besoni se angazhimi ynë këtu kurrë nuk do të rrezikojë të jetë nën nivelin e sigurisë së nevojshme për qytetarët e Kosovës," tha komandanti i deritanishëm, i cili komandon më se 20 mijë trupa paqëruajtëse nga kombe të ndryshme që udhëhiqen nga NATO-ja. Ai më herët ka deklaruar se KFOR-i do të mbetet në Kosovë gjithnjë deri sa populli i Kosovës dhe institucionet e saj ta vlerësojnë se një gjë e tillë është e nevojshme dhe ka ftuar për vazhdim të bashkëpunimit me KFOR-in:
"Unë ju falënderoj dhe ju ftoj të vazhdoni bashkëpunimin me KFOR-i,. Pasi jo vetëm që kemi nevojë për ju, por Kosova ka nevojë për KFOR-in, ndoshta për një kohë më të gjatë," tha gjenerali Mini.
Ai ka qëndruar në krye të forcës paqëruajtëse të NATO-s në Kosovë që prej një viti, duke qenë gjenerali i dytë italian pas Carlo Cabigiosos që ka komanduar këto trupa në një mandat gjashtëmujor, në më shumë se katër vjet të misionit të KFOR-it në Kosovë.




XS
SM
MD
LG