Ndërlidhjet

PA ZGJIDHJEN E STATUSIT TË KOSOVËS NUK MUND TË KETË INTEGRIM TË PLOTË TË RAJONIT


Besnik Konçi, Sekretar Ekzekutiv i Shoqatës Shqiptare të Atlantikut

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Konçi, në takimin ndërkombëtar në Ohër, u zhvillua një takim ndërmjet Ministrit të Mbrojtjes së Shqipërisë Pandeli Majko dhe homologut të Serbisë e Malit të Zi Boris Tadiç. Takimi u zhvillua në praninë e ambasadorit amerikan në Tiranë James Jeffrey. Cili është komenti juaj për takimin në fjalë?

BESNIK KONÇI
Po në kuadrin e zhvillimeve të fundit në rajonin e Ballkanit, ku shqiptarët janë protagonistë, sidomos në kuadrin e takimit të Vjenës, ndërmjet përfaqësuesve të Prishtinës dhe Beogradit, si dhe në kuadër të bisedimeve dhe të përpjekjeve të vazhdueshme të diskutimit dhe të zgjidhjes së problemeve në Maqedoni, shqiptarët kanë rolin e tyre të padiskutueshëm dhe mendoj edhe Tirana zyrtare, madje gjithë politika shqiptare ka rolin e saj të pazëvendësueshëm. Kësisoj Tirana nuk do të mund t'a luante rolin e saj, pa qenë si të thuash "e pajtuar" me këto qëndra, qoftë me Shkupin, qoftë Beogradin. Zoti Majko ka qenë ndër politikanët shqiptarë që ka luajtur një rol reagues ndaj zhvillimeve në Beograd dhe qëndrimeve të tyre ndaj Kosovës; gjegjësisht ndaj qëndrimit të parlamentit të Serbisë për çështjen e Kosovës, një deklaratë e cila tashmë është e njohur. Për pasojë është dashur që zoti Tadiç dhe zoti Majko të takohen në një takim "paqësimi" le t'a quajmë ndërmjet tyre, në mënyrë që Tirana të mund të luajë rolin e saj në zhvillimet e bisedimeve, qoftë në ato të Vjenës në mes Prishtinës dhe Beogradit, qoftë edhe të influencojë sa më pozitivisht në zhvillimet e fundit në Maqedoni.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju vetë disa vjet keni qenë përfaqësues i Shqipërisë në Beograd. Sa mendoni se do të jenë të frytshme bisedimet mbi çështjet teknike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit?

BESNIK KONÇI
Po unë do të mundohem t'i ndaj duke qenë realist, rolin që mund të luajnë këto nga pikëpamja psikologjike dhe rolin që mund të luajnë këto bisedime nga pikëpamja praktike. Nga pikëpamja psikologjike është e rëndësishme që shqiptarët dhe serbët ndodhen përballë njëri tjetrit në një përfaqësim institucional për zgjidhjen e problemeve të tyre. Nga pikëpamja praktike, flitet për bisedimet për çështjet teknike, dhe askush nuk mund të kundërshtojë apo të vërë në dyshim rolin e rëndësishëm që mund të luajnë bisedime të tilla, nëse ato do të jepnin rezultat. Por praktikisht unë kam frikë se këto bisedime si gjithmonë do të kthehen në analizë të fundit në diskutimin e statusit të Kosovës. Unë do doja t'ju kujtoja ju rastin e bisedimeve për çështjet e arsimit që zhvilloheshin vite më parë ndërmjet Rugovës dhe Millosheviçit. Megjithëse problemi përpiqej të trajtohej nga pikëpamja teknike, pragmatike, praktike, sidoqoftë problemi shndërrohej në çështjen e statusit. Megjithatë mendoj se është shumë mirë që palët të ulen për të biseduar dhe do të gjykoja se në fund të fundit, kjo përpjekje do të japë një shkundje, do t'i japë fund një lloji ftohtësie në marrëdhëniet mes Prishtinës dhe Beogradit dhe do të japë një lloj impakti nga pikëpamja psikologjike. Pra në fund të fundit të gjithë jemi të interesuar që çështjet të zgjidhen me bisedime.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Konçi, edhe njëherë t'u rikthehemi integrimeve euro-atllantike. Për dallim nga Selaniku, në Ohër nuk kishte përfaqësues nga Kosova. A mund të flitet për integrime të suksesshme rajonale në strukturat euro-atllantike pa praninë e kosovarëve?

BESNIK KONÇI
Ne shpesh herë këtu në Ballkan, madje jo vetëm ne në Ballkan, por po e mëson edhe faktori ndërkombëtar që në Ballkan të ecë me zhvillime të njëpasnjëshme, hap pas hapi siç quhen në gjuhën diplomatike ose step by step. Problemi është se kur flitet për integrimin e rajonit është e pamundur të flitet për një integrim rajonal, në qoftë se të gjitha pjesët e rajonit nuk janë të futura në një vazhdë të tillë, në një rrjedhë të tillë. Atëhere unë do t'a shikoja një rajon të cunguar, nëse rajoni ynë do të merrej i shkëputur, i fragmentuar. Kjo, të flasim për Shqipërinë, Maqedoninë dhe Kroacinë dhe të lemë mënjanë Kosovën, nuk më duket se do të ishte një qëndrim produktiv. Madje do të thoja që ky integrim do të ishte i paplotë edhe pa pjesëmarrjen e Serbisë dhe Malit të Zi. Por problemi këtu është që nuk fokusohet tek çështja e Kosovës, se Kosova mbetet sidoqoftë një lloj ngërçi dhe çështja e statusit të Kosovës mbetet një domosdoshmëri për t'u zgjidhur, që vetë Kosova të përfshihet në rrjedhat e integrimeve euro-atllantike. Madje ajo t'i hapë rrugën edhe zhvillimit të proceseve demokratizuese në Serbi e Mal të Zi, në mënyrë që edhe ky vend, pra Unioni Serbi Mali i Zi të përfshihet në rrjedhat e integrimit euro-atllantik. Kështuqë sido që t'a marrim, sado të përpiqemi që gjërat t'i shikojmë në një mënyrë apo një tjetër, qoftë në mënyrë euforike apo mënyrë disi pesimiste, unë gjykoj se normalisht në fund të fundit, do duhej që të zgjidhet statusi i Kosovës, në mënyrë që t'u hapet mundësia integrimeve euro-atllantike për të gjithë rajonin. Pra edhe për Kosovën, Serbinë dhe Malin e Zi. Natyrisht nuk do doja të paragjykoja statusin e Kosovës, por ajo që do doja të thoja është, që këtu kemi të bëjmë me një proces që ka një sens. Dhe nëse ne do të tentonim që proceset t'i kthenim në drejtim të kundërt, kam frikë se do të mbërrinim andej nga u nisëm.

Intervistoi Vullnet Poshka
XS
SM
MD
LG