Ndërlidhjet

HOLBROOKE DHE KOUCHNER ARRIJNË NË KOSOVË


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Ish-ambasadori amerikan në Kombet e Bashkuara dhe ndërmjetës në përpjekjet për zgjidhjen paqësore të konflikteve në Kosovë e Bosnjë, Richard Holbrooke dhe ish-kryeadministratori i parë i Kosovës, Bernard Kouchner kanë deklaruar sot në Prishtinë se bisedimet e ardhshme ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit janë në agjendën e takimeve të tyre të nesërme me udhëheqësit e institucioneve dhe të partive politike të Kosovës. Dy diplomatët e lartë ndërkombëtarë i kanë bërë këto komente sot pasdite me të arritur në aeroportin e Prishtinës në fillim të një vizite triditëshe Kosovë, me ç’rast do të takohen me kreun e UNMIK-ut, Harri Holkeri dhe me udhëheqës shqiptarë e serbë të institucioneve të Kosovës dhe të partive politike.
Ai që konsiderohet arkitekti i paqes së Dejtonit dhe negociatori final i bashkësisë ndërkombëtare me Beogradin para fillimit të bombardimit të NATO-s kundër Millosheviçit, zoti Richard Holbrooke tha se kishte kohë që nuk kishte qenë në Kosovë, prandaj kishte ardhur për të parë zhvillimet e fundit:
"Ne kemi ardhur këtu për ta respektuar Kosovën e lirë dhe për të parë se si gjërat po zhvillohen, ndërsa pikëpamjet për zhvillimet e ardhshme do t’i japim pasi të takojmë liderët e këtushëm politikë, tha zoti Holbrooke.
Në anën tjetër, duke e vlerësuar zotin Holbrooke si njeriun që ka bërë më së shumti për Kosovën, ish-kryeadministratori i parë i Kosovës, Dr. Bernard Kouchner tha se pas shumë bisedave të zotit Holbrooke me Beogradin, tani është radha e Kosovës që t’i provojë këto biseda, duke theksuar se ato janë edhe pjesë e agjendës së tyre:
"Mendoj se dialogu Prishtinë-Beograd do të jetë në agjendën time, mirëpo tani është radha juaj që të dialogoni me Beogradin," tha zoti Kouchner, i cili bashkë me zotin Holbrooke dhe me një grup diplomatësh dhe analistësh perëndimorë, të hënën pas një debati në temën "Ardhmëria e Kosovës", do t’u drejtohen qytetarëve të Kosovës nga ndërtesa e Kuvendit Komunal të Prishtinës, me ç’rast pritet të bëhen komente edhe lidhur me statusin përfundimtar politik të Kosovës.



XS
SM
MD
LG