Ndërlidhjet

logo-print

TED CARPENTER: KA PAK GJASA PËR SUKSESIN E BISEDIMEVE PRISHTINË-BEOGRAD


TED CARPENTER, ANALIST NGA INSTITUTI CATO NË UASHINGTON

RADIO EVROPA E LIRË
Parlamenti i Kosovës e ka shtyrë votimin për autorizimin e qeverisë që ta përfaqësojë në Vienë në bisedimet teknike me Beogradin. Nga ana tjetër, bashkësia ndërkombëtare është unike në mbështetjen e këtyre bisedimeve.
Në bazë të situatës së tërësishme, cili është komenti juaj për këto bisedime?

TED CARPENTER
Mendoj se bisedimet me gjasë duket se do të jenë të kota dhe në shumë mënyra të pakuptimta, siç janë të ashtuquajturat negociata mes qeverisë së Izraelit dhe autoritetit palestinez. Të dyja anët kanë synime absolutisht të papërputhshme. Përfaqësuesit e Kosovës duan një shtet të pavarur dhe ky është qëllimi i tyre përfundimtar dhe nuk do kënaqen me asgjë më pak se pavarësia, ndërsa Beogradi kuptohet do që Kosova të rikthehet nën administrimin e Serbisë, tash që Serbia ka një qeverisje demokratike. Pra nuk duket se ka ndonjë hapësirë serioze mes këtyre dy pozicioneve.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se ata do të gjejnë ndonjë kompromis në një të ardhme të afërt?

TED CARPENTER
Nuk mendoj se do arrijnë ndonjë kompromis as në një të ardhme të largët. Në fund të fundit Bashkësia ndërkombëtare mbase do ta dobësojë kundërshtimin e Beogradit dhe t'i japë pavarësinë Kosovës. Por kjo nuk do të ndodhë menjëherë pasi Shtetet e Bashkuara duan që kjo çështje të mosdiskutohet të paktën për disa vite. Nuk do që të përballet me një çështje të tillë kundërthënëse, një krizë tjetër të madhe, ndërkohë që po merret me çështje si Iraku, rreziku i Al-Kaidës dhe tani problemi në rritje i Koresë së Veriut. Në këtë kohë Kosova mezi figuron në listën e problemeve që po trajton administrata Bush, e cila do të dojë që problemi të mbetet shumë, shumë i qetë për një periudhë të gjatë kohe.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju e përmendët pavarësinë për Kosovën...në këtë periudhë të përgatitjeve për bisedimet teknike ka pasur shumë diskutime për procesin e statusit final të Kosovës. Shqiptarët e Kosovës kërkojnë që kjo çështje të shqyrtohet sa më parë, por serbët janë kundër.
Cili është vlerësimi juaj për këtë çështje?

TED CARPENTER
Mendoj se të dy palët do të këmbëngulin në pozicionet e tyre. Në fund të fundit mendoj që shqiptarët e Kosovës do t'a arrijnë qëllimin e tyre. Do të ketë një Kosovë të pavarur, por kjo nuk do të ndodhë në të ardhmen e afërt, le të themi brenda një viti apo dy vitesh. Do të duhen disa vjet dhe do të duhet që të kapërcehen kundërshtimet e Beogradit.

RADIO EVROPA E LIRË
Kush do të vendosë për të ardhmen politike të Kosovës, pasi pozicionet e disa zyrtarëve ndërkombëtarë janë se as Prishtina e as Beogradi nuk do të vendosin për këtë çështje. Ata thonë se i takon Këshillit të Sigurimit që të vendosë.

TED CARPENTER
Mendoj që në fund Këshilli i Sigurimit do të jetë trupi që do marrë vendimin përfundimtar dhe elementi kryesor aty është parandalimi i vetos nga ana e Rusisë, pasi dihet që Rusia është fuqimisht kundër një Kosove të pavarur. Sidoqoftë Rusia ka plot interesa të tjera, përfshirë ato të lidhjeve me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, dhe në fund mendoj se si Bashkimi Evropian, ashtu dhe Shtetet e Bashkuara do të jenë për një Kosovë të pavarur. Në atë pikë Rusia, me gjasë, do përballet me dëmtimin e marrëdhënieve me BE-në dhe SHBA-të nëse do ta bllokojë këtë rezultat. Parashikimi im është që në një pikë Rusia do të tërhiqet...mendoj me shumë ngurrim.

RADIO EVROPA E LIRË
Dëshiroj përsëri ti kthehem çështjes për të cilën folët më parë, pranisë amerikane në Ballkan dhe veçanërisht në Kosovë. Siç e dimë të gjithë, tash amerikanët janë shumë të angazhuar në çështje të tjera siç janë Iraku, Afganistani...
Nga këndvështrimi juaj, çfarë është perspektiva e angazhimit të Shteteve të Bashkuara në Kosovë, ushtarakisht dhe politikisht?

TED CARPENTER
Mendoj se Shtetet e Bashkuara do donin të reduktonin përfshirjen e tyre në gjithë rajonin e Ballkanit. Kjo administratë nuk ka qenë kurrë aq entuziaste për masën e përfshirjes së SHBA-ve nën administratën Klinton. Dhe mendoj se nëse 11 shtatori nuk do të kishte ndodhur kurrë, SHBA-të, ndoshta do të kishin përqëndruar më shumë vëmendje në Ballkan, dhe do të kishin reduktuar gradualisht prezencën e tyre ushtarake me ritme më të shpejta se tash dhe ndoshta do të kishte inkurajuar Bashkimin Evropian që të merrte rolin kryesor në trajtimin e problemeve të ndryshme të ish-Jugosllavisë.

Intervistoi Fatmir BUJUPI
XS
SM
MD
LG