Ndërlidhjet

DAMASK


Siria tha se sulmet e sotme të Izraelit në territorin e saj kanë goditur zona civile dhe kanë shkaktuar dëme materiale, ndërsa Damasku e quajti sulmin "shkallëzim të tensioneve në Lindjen e Mesme".
Ministri i jashtëm Faruq al-Shara kërkoi nga sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Kofi Annan mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit, për të diskutuar atë që ai e quajti "shkelje flagrante" të ligjeve ndërkombëtare.
Në orët e para të mëngjesit, aeroplanët luftarakë izraelitë sulmuan një kamp trajnimi të Xhihadit Islamik në territorin e Sirisë.
Bombardimi është i pari në 20 vitet e fundit, që Izraeli e ndërmori kundër caqeve në Siri.
"Ne nuk do të tolerojmë vazhdimësinë e boshtit të terrorit mes Teheranit, Damaskut dhe Gazës, që vret njerëz të pafajshëm, në mesin e të cilëve dhe fëmijë. Operacioni synonte ta dërgojë këtë mesazh tek Siria dhe udhëheqësit e Xhihadit Islamik e Hamasit", tha Raanan Gissin, zëdhënës i Qeverisë izraelite.
Departamenti amerikan i shtetit ka kërkuar nga të dy palët "të përmbahen", por Sirinë e ka përshkruar si shtet që e sponsorizon terrorizmin.
XS
SM
MD
LG