Ndërlidhjet

HOLBROOKE-KOUCHNER: MBRONI MINORITETET, SHKONI NË VJENË


Zijadin Gashi, Prishtinë

Ish ambasadori amerikan në Kombet e Bashkuara, Richard Holbrooke dhe ish kryeadministratori i Kosovës, Bernard Kouchner, kanë vlerësuar sot se mosshkuarja e lidershipit kosovar në takimin e 14 tetorit në Vjenë, do të ishte një është gabim i madh dhe do të shënonte një fitore diplomatike të Beogradit ndaj Prishtinës. Mosshkuarja në Vjenë do ta sinjalizonte bashkësinë ndërkombëtare se Kosova nuk është e gatshme që të bisedojë për të ardhmen e vet, tha Holbrooke. Këto komente, dy diplomatët e lartë ndërkombëtarë, i kanë bërë në një tryezë të mbajtur në Kuvendin Komunal të Prishtinës, në praninë e udhëheqësve të institucioneve vendore, liderëve partiakë dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile.
Zoti Holbrooke tha se edhe pse bisedimet e parapara të fillojnë më 14 tetor në Vjenë janë mbi çështjet teknike, ato në fakt nënkuptojnë fillimin e procesit të zgjidhjes së statusit të Kosovës:
“Edhe pse statusi nuk është zyrtarisht në tavolinën e bisedimeve këto bisedime kanë të bëjnë me statusin, dhe se ky është fillimi i procesit, prandaj si mundet pala kosovare që të mos shkojë në Vjenë?”, tha Holbrooke.
Është mëse e kuptueshme për të gjithë se popullata shumicë e Kosovës është për pavarësinë e saj, tha Holbrooke, për të shtuar se për t’i arritur këto aspirata, Kosova duhet që paraprakisht ta ndalë dhunën ndaj pakicës serbe si dhe të gjejë forcën qa ta mposhtë krimin e organizuar:
“Madje edhe në Beograd tani është shumë mirë e qartë, se Millosheviçi e ka humbur Kosovën”, pohoi Holbrooke, për të shtuar se në këtë rast, kosovarët janë ata që do ta përcaktojnë se cilës rrugë do të shkojnë, duke siguruar një trajtim të barabartë për serbët e Kosovës dhe duke i ruajtur monumentet e tyre kultoro-historike në Kosovë. Pa respektimin e të drejtave të serbëve, kosovarët nuk do të mund t’i realizojnë aspiratat e tyre, theksoi diplomati amerikan.
Holbrooke dhe Kouchner, thanë po ashtu se ata i kanë shprehur shefit të administratës ndërkombëtare Harri Holkerit, vlerësimin e tyre se në katër vitet e pasluftës në Kosovë nuk janë shënuar përparimet e pritura. Në këtë temë, zoti Kouchner tha se në takimin me Holkerin, ata i kanë propozuar atij që t’i pranojë kosovarët si partnerë dhe të fillojë bartjen më të shpejtë të përgjegjësive tek vendorët:
“Unë dhe zoti Holbrooke jeni pajtuar se në Kosovë janë bërë lëvizje shumë të ngadalshme këto katër vitet e fundit” theksoi Kouchner, për të shtuar se ai është i vetëdijshëm se popullata e Kosovës e dëshiron pavarësinë e saj. Kosova e meriton lirinë e saj dhe se askush, tha Kouchner, nuk duhet as të tentojë që ta kthejë Kosovën prapa aty ku ishte”.
Ndërkohë, diplomati amerikan Holbrooke, ka thënë po ashtu se popujt në rajon do të mund të jetonin së bashku, por jo si qytetarë të një Jugosllavie, apo si jugosllavë, por si qytetarë të Evropës dhe si evropianë.
Ish i dërguari amerikan për Ballkanin, ka thënë gjithashtu se ai beson që paralajmërimet për largimin e forcave amerikane nga Kosova dhe Bosnja janë vetëm spekullime, pasi sipas tij, pa zgjidhjen e statusit të Kosovës do të ishte gabim i madh që ushtarët amerikanë të tërhiqen nga Kosova. Diplomati amerikan dhe ai francez, me këtë tryezë e kanë përmbyllur vizitën treditore në Kosovë, ku kanë zhvilluar takime të ngjeshura me udhëheqësit më të lartë ndërkombëtarë dhe vendorët, duke i porositur miqësisht kosovarët, që të marrin pjesë në bisedimet me Beogradin dhe njëkohësisht të ndikojnë në ndaljen e dhunës ndaj pakicave, veçanërisht asaj serbe, si dhe të kujdesen më shumë për integrimin e tyre.


XS
SM
MD
LG