Ndërlidhjet

logo-print

LEGALIZIMI I UNIVERSITETIT TË TETOVËS-PARTITË SHQIPTARE ME QËNDRIME TË NDRYSHME


Zërijeta Hajro Jahjaga

Edhe përkundër asaj se këtë vit akademik pritet të finalizohet procesi i zyrtarizimit të Universitetit të Tetovës, partitë politike shqiptare kanë qëndrime diametralisht të kundërta në drejtim të formës së institucionalizimit. Bashkimi Demokratik për Integrim vlerëson se hise të madhe për institucionalizimin e Universitetit të Tetovës, kanë vetë shqiptarët e Maqedonisë.
"Ne me të drejtë e quajmë Universiteti i shqiptarëve. Është një kurorëzim i një përpjekjeje të kombit tonë për të patur një shkollim të lartë për brezat që do vijnë. Është meritë e gjeneratave të kohës, por njëkohësisht edhe e atyre intelektualëve, të cilët që në të qartë djemtë e UÇK-së që dolën në mbrojtje të vendit dhe njëkohësisht të institucionit të Universitetit të Tetovës, intelektualët e mirëfilltë, njëkohësisht edhe politikanët e rinj, të cilët u angazhuan në strukturat vendore për të institucionalizuar këtë institut të lartë shkencor apolitik", thotë deputeti i BDI-së Fazlli Veliu. Nga ana tjetër deputeti i Partisë Demokratike Shqiptare, Mendu Thaçi, thotë se projekti për zyrtarizimin e UT-së propozuar nga stafi qeveritar, aspak nuk i përmbush kërkesat e shqiptarëve.
" Është një hap tragjikomik. S'ka lidhje as me histori as me ideale kombëtare. Njerëzit e implikuar rreth atij projekti dhe këta të tjerët të cilët bëjnë legalizimin, sipas të gjitha gjasave, duan t'i fshehin paratë dhe të hollat të marra në diasporë për projekte kombëtare, në një legalizim shumë të turpshëm, "tragjik dhe komik" të Universitetit të Tetovës".
Ndërkohë deputeti i Bashkimit për Integrim, Fazlli Veliu, thotë që element kyç që pas një dekade të tërë, Universiteti i Tetovës të njihet në autoritetet shtetërore, është opinioni që ka arritur të krijojë partia shqiptare në pushtet BDI-ja.
"Gjatë të gjitha pyetjeve dhe gjatë të gjitha përpjekjeve me faktorin ndërkombëtar, ne e kemi theksuar se vendi ynë, sidomos Maqedonia perëndimore, ka një pasuri të madhe dhe do të rritet ekonomikisht, por na duhen kuadrot dhe nga kjo pikë ne kemi mundur të bindim faktorin ndërkombëtar, se shqiptarëve u takon edhe ngritjave e gjeneratave për të udhëhequr ekonominë. Do të thotë të kenë Universitetin për të qenë ata njëkohësisht të tillë, që do t'a prezantojnë imazhin tjetër të ekonomisë, të administratës, dhe njëkohësisht për vizionin e ardhmërisë së kombit këtu", thotë deputeti i BDI-së.
Forma jotransparente e institucionalizimit të Universitetit të Tetovës është e papranueshme për PDSH-në, thotë deputeti Mendu Thaçi.
"Kemi mungesë totale të transparencës. Numri i fakulteteve që parashihet është qesharak. Numri i studentëve, i cili parashihet se studjojnë nuk dihet ende, por sigurisht do të jetë shumë më i vogël sesa 12 000 dhe 13 000 dhe thjesht s'mund të bisedohet për të drejtën e hapjes së një shkollimi të lartë të ri dhe jo për legalizimin e Universitetit të Tetovës. Nëse realisht do duhej të legalizohej Universiteti i Tetovës, atëhere komplet strukturat funksionale të atij universiteti duhet të implementoheshin në këtë universitet të legalizuar", thotë Mendu Thaçi.
Ndryshe nga PDSH-ja, deputeti i Bashkimit Demokratik për Integrim Fazlli Veliu, vlerëson se hapi i parë drejt institucionalizimit të Universitetit të Tetovës është vendimtar për rrjedhat e mëtejme.
" Një këmbë e shëndoshë është vënë në këtë vend dhe kjo e kërkon të dytën, duhet përforcuar bindja se ky universitet duhet përkrahur dhe duhen bërë brenda përbrenda reformat e duhura dhe të ecet përpara pa u mbështetur në interesa politike apo partiake", thotë Fazlli Veliu.



XS
SM
MD
LG