Ndërlidhjet

OLIVER IVANOVIQ: BISEDIMET VETËM MUND TË RREGULLOJNË DIÇKA, E KURRSESI TA PRISHIN GJENDJEN EKZISTUESE


"Sigurisht që deri në vitin 2004 nuk do diskutohet për statusin final. Duhet pritur përfundimin e zgjedhjeve në Serbi dhe në vetë Kosovën, që pastaj autoritetet e reja në fillim të mandatit të vet, më seriozisht të hyjnë në diskutimet për statusin final", thotë Oliver Ivanoviq.
"Nga ana jonë, apsolutisht e kemi përjashtuar mundësinë që pas atij dialogu apo negociatave, Kosova ta fitojë pavarësinë. Gjithashtu për Kosovën kushtetuta e 1989 nuk është opcion real, prandaj duhet kërkuar diçka ndërmjet", thotë Ivanoviq. Sipas tij, rezoluta 1244 flet për një autonomi substanciale.
Lidhur me kërkesën e Këshillit Kombëtar Serb që në bisedimet për çështjet teknike, serbët e Kosovës të marrin pjesë në kuadër të delegacionit të Serbisë, anëtari i kryesisë së Kuvendit të Kosovës thotë se ata duhet të jenë pjesë e delegacionit të institucioneve të përkohshme.
"Në fund duhet që përmes këtij delegacioni të nxitet dialogu ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë, që nuk është e parëndësishme. Ky dialog, i cili gabimisht është lënë pas dore duhet të ketë prëparësi. Në kuadër të institucioneve të përkohshme, këtë dialog duhej ta kemi para një viti ose shumë më parë", thotë Ivanoviq.
Lidhur me hezitimin e disa subjekteve politike shqiptare për pjesëmarrje në dialogun në Vjenë, Ivanoviq thotë se nëse në Kosovë realizohej dialogu i ndërsjellë, atëherë edhe dialogu në Vjenë do të ishte më i përgatitur.
"Kështu më duket se dialogu nuk është i përgatitur si duhet, dhe shqiptarët hezitojnë. Mendoj se motivi qëndron në frikën nga përgjegjësia, frikën nga vendimi, sepse në fund të çfarëdo bisede duhet të merret edhe vendimi", thotë Ivanoviq.
"Duhet të udhëhiqemi nga pragmatizmi politik. Shumë herë të papërgatitur i kemi pritur hapat e bashkësisë ndërkombëtare, dhe pastaj kemi shprehur keqardhje për humbjen e madhe të energjisë", tha ai.
"Bisedimet nuk mund të jenë punë e keqe, ato vetëm mund të rregullojnë diçka, e kurrsesi ta prishin gjendjen ekzistuese. Bisedimet mund të çojnë në uljen e tensioneve politike dhe krijimin e kushteve më të mira. Nuk ka ekonomi pa investime, dhe nuk mund të ketë investime në rajon jostabil. Nuk mund të arrihet stabiliteti nëse njerëzit në Kosovë jetojnë si në burg", thotë Ivanoviq.
"Njerëzit duhet të vetëdijësohen, të kuptojnë se zgjidhja janë dialogu dhe bisedimet, të kuptojnë se kishte një luftë, e cila tani ka përfunduar, dhe se duhet ta ndërtojmë një ardhmëri të re", tha Oliver Ivanoviq, anëtar i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës.

Përgatiti Vullnet Poshka
XS
SM
MD
LG