Ndërlidhjet

logo-print

HEZITIMI I PALËS KOSOVARE PËR BISEDIMET TEKNIKE ËSHTË I KUPTUESHËM


Shaip Lloga, profesor në Victoria University, Melbourn

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Lloga, data dhe vendi për bisedime mbi çështjet teknike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit janë caktuar, por tek subjektet politike kosovare, ende vërrehet një hezitim për bisedime. Si e shpjegoni ketë?

SHAIP LLOGA
Hezitimi kuptohet fare lehtë se populli plagët e luftës ende i ka të freskëta dhe sa i takon bisedimeve teknike me Serbinë, këtu nuk ka ende një farë qartësie sa i takon faktit se ku do çojnë këto biseda. Cilat janë bazat në të cilat këto mbahen. A janë duke u mbajtur këto bisedime mbi bazën se Kosova ende është e aneksuar në Serbi, apo që është një entitet komplet i pavarur. Ky fakt nuk është i qartë, megjithëse flitet për gjëra teknike, por zgjidhja e atyre gjërave teknike po ashtu ka influencë në statutin përfundimtar të Kosovës. Kështu që sa i takon hezitimit të popullit të Kosovës, kjo është krejtësisht e kuptueshme.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa mendoni se statusi final i padefinuar i Kosovës ndikon në këtë klimë që u krijua rreth bisedimeve me Beogradin?

SHAIP LLOGA
Ky është problemi kryesor dhe krijon konfuzionin qëndror këtu. Natyrisht kosovarët janë në mëdyshje se si është e mundur të bisedojnë me një shtet të huaj, në një kohë që nuk është e qartë nëse është ende pjesë e një shteti të dominuar nga Serbia, nëse është i pavarur, apo çfarë statusi ka. Pra duhet zgjidhur statusi kryesisht ose t'u jepet ndikim kosovarëve për t'a bërë një road map se kur do zgjidhet, kur do shtrohet kjo pyetje. Kështu bisedat teknike do të kenë një kontekst, nëse janë duke u zhvilluar në kontekstin se Kosova do të jetë shtet i pavarur, apo nëse do të bisedohet sikur Kosova, sipas dëshirës së Millosheviçit, është ende pjesë e Serbisë. Kjo është një situatë krejtësisht e kompozueshme dhe këtu nuk duhet legjitimituar Serbia, pasi del sikur Kosova është duke biseduar me shtetin qëndror në Beograd, ku ata janë thjesht qytetarë që bisedojnë me shtetin amë. Kjo nuk është e pranueshme dhe kosovarët kanë çdo të drejtë që në të vërtetë janë duke hezituar, ose rezistuar të themi. Këtu Fuqitë e Mëdha kanë vendosur që të bëhet pajtim. Nuk mund të ketë pajtim pa zgjidhur këtë pyetje të pavarësisë dhe të statusit final të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Lloga, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka kërkuar që parlamenti menjëherë të shpallë pavarësinë e Kosovës.
Si i vlerësoni iniciativa të tilla?

SHAIP LLOGA
Unë besoj se Kosova ka çdo të drejtë që t'a shpallë pavarësinë, mirëpo këtu duhet legjitimizuar ajo pavarësi. Ne e dimë se shumica e kosovarëve duan pavarësi. Mirëpo duhet organizuar një referendum, i cili do ta legjitimizonte vendimin e parlamentit për pavarësi dhe pavarësia unë mendoj duhet shpallur sidomos në përgjigje të hapi që ndërmori Serbia, sikur Kosova është ende pjesë e Serbisë. Faktikish Serbia është ende duke vazhduar politikën e Millosheviçit, politikë kolonizuese dhe gjenocide.

Intervistoi Vullnet Poshka
XS
SM
MD
LG