Ndërlidhjet

PJESËMARRJE E VOGËL E FEMRAVE NË POLITIKË


Alma Çupi

Roli i gruas në politikën shqiptare ende mbetet në minorancë. Këtë e vërtetojnë edhe listat e kandidatëve për kryetarë të bashkive dhe komunave, të prezantuara nga partitë politike për zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Në këto lista, gratë zënë një përqindje mjaft të ulët. Për 384 njësi administrative, vetëm 16 emra janë propozuar gra nga ana e Partisë Socialiste dhe 10 emra të propozuara grash nga ana e Partisë Demokratike. Ky fakt ka ngjallur debat mes organizatave në mbrojtje të të drejtave të grave, të cilat kërkojnë që politika
shqiptare të jetë më mikëpritëse dhe më besuese ndaj punës së gruas.
Për kandidaten për njësi bashkiake të Partisë Socialiste Jeta Sehitaj, arsyeja e emrave kaq të pakët të grave është se burrat politikanë nuk besojnë tek gruaja dhe kanë frikë se një kandidate grua nuk i merr votat.
"Për shkak se lufta është e ashpër, lufta politike ndërmjet partive, pra ajo luftë që bëhet për të zotëruar pushtetin, atëhere ka shumë që thonë se ju gratë do të na merrni në qafë, nuk do t'a fitojmë dot zonën", thotë Jeta Sehitaj.
Lajla Pernaska, një nga ish aktivistet e Partisë Demokratike thotë se angazhimi i grave në listat e kandidatëve të Partisë Demokratike në zgjedhjet e kaluara, ka qenë shumë më i lartë se në këto listat e
fundit për zgjedhjet lokale "Po të mos harrojmë që ishte krahu i djathtë që fitoi me një maxhorancë absolute, sepse kishte brenda vetes një kontigjent të mrekullueshëm të grave. Ishte 20 % në 1991 dhe 10% në 1992", thotë Lajla Pernaska.
Për drejtuesen e qendrës së gruas Eglantina Germenji, fakti që gratë nuk i pranojnë në politikë ka të bëjë me mentalitetin e shoqërisë shqiptare, që ende e paragjykon gruan.
" Në përgjithësi nei edukojmë vajzat dhe djemtë ndryshe. I edukojmë vajzat që të jenë të urta, të sjellshme të bindura dhe gjithmonë presim nga ato që vetëm të na binden, jo të marrin vendime. Sigurisht kjo ndikon edhe në statusin apo pozicionin që ato zënë në shoqëri. Një shkak tjetër që do të përmendja është dhe fakti që politika jonë është shumë agresive dhe sidomos media ndikon fuqishëm që në momentin që kandidon, apo je një grua në politikë, imazhi vërtet të dëmtohet dhe reputacioni. Je në sulm", thotë Eglantina Germenji.
Ndërsa nënkryetarja e parlamentit shqiptar Makbule Çeço, thotë se realisht drejtuese femrat në politikë duhet të jenë shumë më tepër.
"Duam që të kemi më shumë drejtuese partie, gjë që nuk e kemi", thotë Makbule Çeço.
Ajo që shqetëson organizatat e grave janë edhe statistikat jo të plota që ofrojnë partitë politike në lidhje me angazhimin e grave në këto zgjedhje. Nga ana tjetër burrat politikanë kanë pretendimin se një grua kandidate për një komunë apo bashki e ka shumë të vështirë të marrë vota, pasi vetë mentaliteti i shoqërisë shqiptare, është i tillë që nuk beson shumë tek gruaja në pozicionin e drejtueses.


XS
SM
MD
LG