Ndërlidhjet

K.BERISHA: KOSOVARËT DO TE SHKOJNË NË VJENË


Kolë BERISHA, nënkryetar i LDK-së

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Berisha, Harri Holkeri ka apeluar tek liderët kosovarë që të shkohet në bisedimet teknike të Vjenës. Do të shkojnë apo jo kosovarët në Vjenë?

KOLË BERISHA
Kosovarët duhet të shkojnë në Vjenë. Nuk e kanë asnjë arsye të mos shkojnë në Vjenë, pasi të gjitha të drejtat, të gjitha kushtet janë plotësuar që të shkojnë në Vjenë dhe të bisedojnë me palën serbe. Kur them të gjitha kushtet, kam parasysh faktin se edhe e drejta historike që dikush thirri deri tani, edhe e drejta demokratike dhe çdo e drejtë tjetër, është në anën e shqiptarëve, palës kosovare. Prandaj nuk ka arsye pse të mos shkohet atje, qoftë dhe për një fotografi të momentit. Në të drejtën zakonore shqiptare, pala që nuk shkon në takim, që nuk del përpara gjykatës së pleqve, konsiderohet si fajtore. Shqiptarët nuk janë fajtorë dhe nuk kanë arsye të mos shkojnë atje, sepse gjatë tërë historisë së tyre, kurrë nuk kanë vrarë serbë, apo popuj të tjerë, por gjithmonë kanë qenë të dënuar, respektivisht të masakruar, të denoncuar nga popujt e tjerë, pikërisht nga serbët.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Berisha, përse është krijuar ky hutim dhe ky konfuzion rreth shkuarjes në Vjenë? Cilët janë faktorët që kanë shkaktuar këtë konfuzion rreth takimit të ardhshëm, përkatësisht bisedimeve teknike në Vjenë?

KOLË BERISHA
Po mendoj se nuk ka qenë një përgatitje e duhur e faktorit ndërkombëtar për këtë takim dhe gjithmonë ka patur hezitime, propozime të ndryshme. Nuk ka qenë shumë i vendosur, nuk ka qenë me kohë e përcaktuar agjenda se për çfarë do të flitet. Gjithmonë ka qenë njëfarë mjegullie, paqartësie tek populli shqiptar, respektivisht tek pala kosovare, që nuk ka qenë e sqaruar për ecurinë apo rrjedhën e takimit që do të mbahet në Vjenë. Prandaj kanë patur arsye shqiptarët, respektivisht pala kosovare, që të hezitojnë pak dhe nuk i kanë patur gjërat e qarta. Megjithatë të tërë po thonë që shqiptarët duhet të shkojnë në bisedime në Vjenë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Berisha, cilat janë çështjet për të cilat pala kosovare do të kërkojë të bisedojë dhe cilat çështje pala kosovare nuk do të pranojë t'i diskutojë gjatë bisedimeve teknike në Vjenë ose më vonë?

KOLË BERISHA
Pala kosovare është e interesuar të bisedojë për të zhdukurit, në rradhë të parë, për personat e rrëmbyer dhe të mbajtur në Serbi, qofshin ata të gjallë apo të vdekur, sepse është një pjesë e popullatës, rreth 4 000 shqiptarë, që janë të rrëmbyer gjatë luftës dhe nuk dihet asgjë për fatin e tyre se ku janë dhe ku gjenden ata. Qoftë dhe të vdekur duhet të kthehen dhe duhen dhënë informata se ku gjenden personat e zhdukur dhe të kthehen në Kosovë. Pastaj problem tjetër është çështja e energjetikës, që gjithsesi duhet të vendoset jo vetëm mes Kosovës dhe Serbisë si dy shtete fqinjë, por në nivel të rajonit. Çështjet energjetike, që të gjitha shtetet e rajonit e kanë për praktikë mjaft të theksuara. Pastaj është çështja e regjistrimit të makinave, veturave të dy shteteve, të Kosovës dhe Serbisë, respektivisht të pranimit nga ana e Serbisë regjistrimin e targave të Kosovës. Në Kosovë shëtisin vetura të ndryshme, me targa të Kosovës dhe të Serbisë, respektivisht të ish shtetit jugosllav. Prandaj është e nevojshme që dhe kjo çështje të sqarohet. Ka dhe shumë çështje të tjera, për të cilat duhet të bisedohet dhe mund të konsiderohen si çështje teknike, pa hyrë në çështjet kapitale, që gjithsesi duhet të bisedohet më vonë, edhe për çështjen e statusit përfundimtar të Kosovës. Ndonëse tani për tani është çështje e definuar dhe e panegociuar, megjithatë faktori ndërkombëtar dhe praktika e deritanishme e shteteve, dëshmon, respektivisht tregon, se duhet të bisedohet për çështjen e statusit përfundimtar, respektivisht, për ndarjen totale të Kosovës nga Serbia, edhe në aspektin juridik edhe në atë formal.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se gjatë bisedimeve teknike në Vjenë, mungesa e kompetencave të autoriteteve kosovare në disa sfera mund të paraqesë problem real?

KOLË BERISHA
Natyrisht që paraqet problem real dhe këtu shqiptarët kanë një arsye të fortë që të ngurojnë të shkojnë në takim. Megjithatë gjatë procesit të zhvillimit të dialogut, fillimisht për çështje praktike dhe pastaj për çështje të tjera që janë më të rëndësishme, më thelbësore, mendoj se do të barten ato kompetenca tek pala shqiptare, në mënyrë që pala shqiptare të vendosë dhe të nënshkruajë marrëveshjet, të cilat do të arrihen me Serbisë dhe Kosovës. Unë mendoj se edhe një çështje është me shumë rëndësi tek ky koment, sepse shqiptarët nuk po shkojnë atje që të bisedojnë për çështjen e bashkëjetesës me serbët, apo për formimin e ndonjë federate, konfederate, apo unioni tjetër. Shqiptarët po shkojnë atje që të bisedojnë për çështje, të cilat janë jetike tani për tani dhe për ato më vonë, që të ndahet pra për mënyrën juridike dhe formale të ndarjes së Kosovës nga Serbia. Dhe tani për tani bisedohet nëse mund të arrihet ndonjë marrëveshje dhe për çështjet për të cilat do të diskutohet, pala shqiptare do të kthehet në Kosovë dhe do të marë pëlqimin e Kuvendit, për ta nënshkruar ose ratifikuar çdo marrëveshje që do arrihet. Domethënë takimi do të jetë mbi bazën e partneritetit, pra do jenë të barabartë dy shtete njëri me tjetrin.

Intervistoi Melazim Koci

XS
SM
MD
LG