Ndërlidhjet

logo-print

REITER: ZGJIDHJA E STATUSIT FINAL TË KOSOVËS NUK DUHET ZVARRITUR SHUMË


Dr. Erich Reiter,Drejtor i Dep. të Sigurisë në Ministrinë e Mbrojtjes, Austri

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Reiter, para ca ditësh ju e prezantuat një libër të titulluar "Zgjidhja e konfliktit të Kosovës". Prezantimi u bë në Vjenë, në prag të bisedimeve teknike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, që janë caktuar të mbahen në kryeqytetin e Austrisë.
Si i shihni këto bisedime?

ERICH REITER
Këto bisedime janë të nevojshme, sepse, shikuar nga pikëpamja shkencore, statusi i Kosovës duhet të zgjidhet para pavarësisë së Malit të Zi.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Reiter, në librin tuaj "Zgjidhja e konfliktit të Kosovës", ju thoni se pavarësia e Kosovës është e pashmangshme, dhe se nuk do të sjellë kurrfarë problemesh për vendet fqinje. Me se e mbështetni pohimin tuaj?

ERICH REITER
Nuk do të thosha se është e pashmangshme, por duhet të shohim se kjo do të ndodhë, sepse shumica e politikanëve malazezë duan ta kenë pavarësinë dhe është e mundshme, sepse është e pranueshme nga Bashkimi Evropian dhe bashkësia ndërkombëtare. Kështu, nga pikëpamja shkencore, si rrjedhojë e kësaj pavarësie, shqiptarët e Kosovës gjithashtu do t'a shpallin pavarësinë, sepse nuk mund të pritet që Mali i Zi të bëhet i pavarur, kurse Kosova jo.
Rezultati do të jetë ky: Bashkimi Evropian dhe tërë bashkësia ndërkombëtare do të duhet të negociojnë me kosovarët, pra do të duhet të ballafaqohen me problemin. Për këtë arsye, kjo nevojitet të bëhet më parë.

RADIO EVROPA E LIRË
Pra, ju parashihni shpërbërjen e unionit Serbi-Mali i Zi?

ERICH REITER
Mund të ndodhë dhe bashkësia ndërkombëtare duhet të jetë e përgatitur për këtë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Reiter, ju sugjeroni se zgjidhja e statusit final të Kosovës nuk duhet të zgjatë së tepërmi. Sipas jush, cilat janë pasojat nga vonimi i këtij procesi?

ERICH REITER
Pasojat janë se zhvillimi ekonomik nuk mund të fillojë, sepse kush do të investojë në këtë vend, nëse statusi nuk dihet? Situata është e pasigurtë, prandaj do të ishte më mirë që fillimisht të diskutohet statusi i Kosovës dhe pastaj gjërat tjera, siç janë zhvillimi i demokracisë, zhvillimi ekonomik, apo zhvillimi shoqëror. Çdo vonesë në këtë drejtim do të çojë në përkeqësimin e situatës në Kosovë, prandaj nuk duhet humbur shumë kohë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Reiter, ju gjithashtu keni thënë se modeli i shtetit shumëetnik në Kosovë nuk është i mundur, ashtu si në Bosnjë e Hercegovinë. A mund ta shpjegoni këtë?

ERICH REITER
Nuk është aq e thjeshtë, sepse në Bosnjë e Hercegovinë, ekziston zgjidhja. Ende nuk e dimë nëse ajo do të funksionojë apo jo, por plani apo koncepti ekziston. Është Marrëveshja e Dejtonit, e cila pavarësisht nëse pranohet në tërësi apo jo nga palët e ndryshme, njerëzve do t'u duhet kohë që të mësohen me të.
Por për Kosovën nuk ka asnjë marrëveshje dhe asnjë koncept, kështu që asgjë nuk mund të funksionojë. Nuk është e mundur të funksionojë koncepti, i cili nuk ekziston. Prandaj edhe për Kosovën na nevojitet koncepti, ndërsa nga pikëpamja shkencore, nuk jam i sigurtë se koncepti shumëetnik është ideja më e mirë për Kosovën. Shkencëtarët që diskutojnë mbi situatën, mendojnë se do të ishte më mirë që për Kosovën të gjendet një zgjidhje e re, për shembull, disa kanë thënë se pjesë të veriut të Kosovës mund ti bashkangjiten Serbisë.
Ndoshta koncepti shumëetnik është rezultati i vetëm i politikës së bashkësisë ndërkombëtare, por nuk mund të jemi të sigurt se ky është koncepti më i mirë.

RADIO EVROPA E LIRË
Në librin tuaj gjithashtu keni paraqitur disa analiza apo modele të statusit të ardhshëm të Kosovës.
A mund të thoni diçka më shumë rreth tyre?

ERICH REITER
Ka disa modele se si mund të duket ardhmëria dhe si mund të rrjedhin zhvillimet, për të cilat disa ekspertë dhe shkencëtarë diskutojnë.
Sidoqoftë, ne kemi vënë re se është e një rëndësie të madhe që kontingjenti ushtarak apo trupat e NATO-s janë në Kosovë, sepse kjo është e pranuar nga palët, sidomos nga shumica. Për momentin, Bashkimi Evropian ndoshta nuk është ende i përgatitur ta bëjë punën e njëjtë që e bën NATO-ja në Kosovë.

Intervistoi Vullnet Poshka
XS
SM
MD
LG